Erë e fortë në Sofje, vonesa në arritjen e kufomave në Shkup

Aktuale

Erë e fortë në Sofje, vonesa në arritjen e kufomave në Shkup

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 08:03
Pamje nga tragjedia

(E plotësuar 10.53) Për shkak të erës së fortë në Sofje, do të ketë vonesë në arritjen e kufomave të viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.

Edhe pse dje u njoftua se kufomat do të arrijnë në ora 09:00 të mëngjesit, sot dy herë është zhvendosur termini i arritjes.

Tani për tani pritet që avioni i parë me grupin e parë të 45 kufomave të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, në ora 11:15.

Familjarët dhe gazetarët presin para Aeroportit.

Ndërkohë nga Qeveria kanë njoftuar se do të ketë pritje shtetërore të kufomave, si dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në këtë link.

Tragjedia në Bullgari, mbërrijnë sot në Maqedoni 45 trupat e pajetë

Këtë të premte në Maqedoninë e Veriut do të mbërrijnë 45 trupat e pajetë të shqiptarëve që humbën jetën tragjikisht nga djegia e autobusit në autostradën e Strumës në bullgari.

Mediat bëjnë me dije se pritet që mëngjesin e sotëm me dy helikopterë ushtarakë në  Shkup të mbërrijnë viktimat.

Ambasadori i Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov, ka njoftuar se trupat e pajetë do të barten me dy avionë transportues ushtarak.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë me dije se sot do të ndryshojë orari i pritjes së kufomave.

Ai njoftoi se pas transportit në aeroportin e Shkupit, me kërkesë të disa familjarëve, kufomat do të dërgohen në shtëpitë e tyre ose në varreza në mënyrë që të mbërrijnë para namazit të Xhumasë.

Ndërkohë Ministria e Punëve të jashtme ka bërë me dije se trupat e viktimave do të priteshin me homazhe në sheshin “Skënderbeu” në Shkup ku do të vendoseshin edhe kurora me lule në nder të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat