Faqja në facebook “Ekrem Rexha Komandant Drini“, faqe kjo që menagjohet nga familjaret e Komandant Drinit, ka postuar një letër, të cilën sipas tyre ambasadori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jean Victor i kishte dërguar Ekrem Rexhes më 7 dhjetor të vitit 1999, pasi kishte qëndruar në vizitë tek familja e Komandant Drimit.
“Komandant, po e shkruaj këtë shënim para se me zbrit n’aeroport t’Shkupit. Po shkoj n’Gjenevë, pastaj n’Londër. Spata kohë as mu përshëndet me ty. Do të thërras n’shpi ose do ta dergoj një letër t’detajume përmes Urimit. Mbaje veten Shpirtmirë, unë do t’jem mirë. Je një shok i mirë edhe po ndjena krenar qe t’kom njoftu... Letër e dërguar Komandant Drinit nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara US, Jean Victor me 07.12.1999”, thuhet në postimin e faqes në facebook “Ekrem Rexha Komandant Drini“, përcjellë “Bota sot”.
Kujtojmë se Ekrem Rexha, i njohur si komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, dhe që nga ajo kohë vrasja e tij ka mbetur e pazbuluar.