Deputetja e Vetëvendosjes Tinka Kurti ka kërkuar masa ndaj gjykatësit që ka nxjerrë një vendim që po konsiderohet seksist.
Rasti i dhunimit u trajtua nga Gjykata e Gjilanit dhe nxiti reagime të ashpra.
Kurti ka thënë se do ta hapë në Kuvend këtë rast të rëndë.
Postimi i plotë i deputetes Tinka Kurti
"Viktima ka pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin, përkundër se e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore.”
“person me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral.”
"të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se viktima ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale.”
Këto janë cilësime që i ka bë një gjykatë e jona (Gjilan). Ky hulumtim u bë publik sot në emisionin "Betimi për drejtësi". Jetët e grave tashmë janë edhe zyrtarisht e institucionalisht në rrezik.
Pra, Gjykata trajton e udhëzon që të gjitha gratë ta trajtojnë veten si viktima potenciale dhe t'i konsiderojnë të gjithë burrat dhunues potencial. Gjykata ia lejon vetes që me e akuzu e përulë viktimat. Ky nuk është profesionalizëm. Ky është krim. Shkarkimi është i vetmi opsion në këtë situatë.
Menjëherë, ne mbledhjen e ardhshme të Komisionit për të Drejta të Njeriut do të kërkoj që Këshilli Gjyqësor të ftohet për raportim enkas për vendimet mizogjene të gjykatësve.