Kurti tregon kur do të lehtësohen masat anti-COVID

Aktuale

Kurti tregon kur do të lehtësohen masat anti-COVID

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 14:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se masat e fundit COVID që ka marrë Qeveria e Kosovës, janë përgjigje ndaj situatave të fundit të krijuara me pandeminë.

Kurti ka thënë se këto masa janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesë dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë, dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm, Omicron.

Kurti megjithatë ka thënë se nëse zbutet situata me pandeminë, atëherë Qeveria do të bëjë lehtësimin e masave.

“Mjeti ynë më efikas për të mbrojtur vetën dhe të tjerët mbetet vaksinimi masiv. Nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën e qytetarëve me mjetet që Qeveria ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese. megjithatë jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhëna më të reja, mbi të cilat do të përditësojmë masat konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Zotimi im është se në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken, Qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësimin e masave”, ka thënë Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat