Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në konferencën për media tha se është diskutuar një takim i mundshëm në Bruksel mes tij dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në javën e dytë të dhjetorit.
Ai tha se vlerësimin për mbajtjen e këtij takimi e japin shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe emisari special për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
“Është diskutuar për një takim të mundshëm në Bruksel në javën e dytë të dhjetorit me presidentin e Serbisë. Nuk kam kurrëfar informacioni se ka kushtëzime nga ndokush veçse vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë apo jo i përket ndërmjetësuesit siç e quajnë ata veten, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri z. Josep Borrell dhe emisari Lajçak dhe jo kushtëzimi i palës tjetër”.
Kurti foli edhe për viziten që do ta zhvillojë në fillim të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se nuk do të bëhen publike takimet para se të përfundojë programi i plotë.
“Shefi i stafit i Kryeministrit Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të vitit të ardhshëm. Mirëpo ne nuk do të njoftojmë per takimet e veçanta pa u bërë programi i plotë”.