Sindikatat e vendit kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka lënë të nënkuptohet se qytetarët kanë nevojë të kenë përfaqësues tjerë në krye të sindikatave.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, për Klankosova.tv ka deklaruar se zgjedhja e kryetarëve të sindikatave është vullnetare.
“E drejta për t’u anëtarësuar në sindikatë është vullnetare, më pastaj edhe zgjedhja e udhëheqësve është vullnetare. Zgjedhjet nëpër federata bëhen në mënyrë demokratike, ne si sindikata nuk i ndërhyjmë askujt”.
“Ne prapë kërkojmë që t’i lëmë anash këto muhabete, duhet të ulemi dhe të bisedojmë për punët që na preson,” ka thënë Hykolli.
Ndërsa, Rrahman Jashari nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se kjo është hera e parë që nga paslufta që një kryeministër i vendit e thotë një deklaratë të tillë.
“Është hera e parë që nga paslufta që një qeveri e jep një deklaratë të tillë. Për atë se kush e udhëheq një sindikatë nuk e vendos Qeveria dhe asnjë ministri, vendos vetëm anëtarësia e atij sektori,” ka thënë Jashari.
“Në SBASHK në çdo katër vjetët mbahet kongresi, delegatët vendosin se kë do ta zgjedhin për t’i drejtuar,” ka thënë Jashari.