​Trupi gjykues refuzon kërkesën e avokatit të Haradinajt për shtyrje të seancës

Aktuale

​Trupi gjykues refuzon kërkesën e avokatit të Haradinajt për shtyrje të seancës

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 08:28
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

(E plotësuar 12:16) -  Trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nasim Haradianajt, avokatit Toby Cadman për të shtyrë procedurat gjyqësore deri të mërkurën. Kërkesa e Cadman është bërë pasi i njëjti ka thënë se është infektuar me koronavirus dhe ka pengesa në komunikim me të akuzuarin.

Në seancën e sotme gjyqësore në dhomat e Specializuara në Hagë, Cadman ka thënë se deri të mërkurën edhe Nasim Haradinaj do të mund të lirohej nga karantina ku po qëndron për shkak të virusit.

Cadman: Procedurat gjyqësore të shtyhen deri të mërkurën

“Do të kërkoja të shtyhet procedura për dy ditë të tjera, deri të mërkurën, në mënyrë që të përmirësohet situata ime shëndetësore dhe shpresojmë që zotëri Haradinaj të ketë dalë nga karantina, zotëri Berisha do të ketë mundësi të jetë i pranishëm po ashtu, dhe duam që zotëri Haradinajt të jetë i pranishëm në gjykatë, shpresojmë që kjo mos të jetë kërkesë jo e arsyeshme dhe dua të ju kërkoj që këtë kërkesë ta merrni seriozisht, e kemi të pamundur të vijojmë në këto rrethana po kërkojmë një shtyrje shumë të kufizuar”, ka thënë avokati Cadman.

Këtë e ka kundërshtuar zyra e Prokurorit të Specializuar.

Bolici: Nuk ka justifikim për shtyrjen e seancave të planifikuara

“Prokuroria vëren se në çështjen Haradinaj kemi dy bashkëmbrojtës që janë të disponueshëm,, njëri që e ndjek online dhe një tjetër që është i pranishëm në gjykatë, bashkëmbrojtësi i cili është në gjykatë ka mundësi të ndjek seancat private, për këtë arsye nuk ka justifikim për shtyrjen e seancave të planifikuara”, ka thënë prokurorja Valeria Bolici.

Lidhur me këtë çështje, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka sugjeruar që seancat të mbahen të gjitha të hapura.

Rees: Gjykimi të zhvillohet në seanca publike

“Nëse shqetësimi kryesor është paaftësia e zotëri Cadman dhe personave të tjerë të cilët po na ndjekin ‘online për të ndjekur seancat private neve kemi një përgjigje të thjeshtë, që e gjithë seanca të organizohet apo të realizohet në seancë publike, praj jo në seancë private. Ne parashtrojmë që prova e zotëri Gucatit duhet të dëgjohet në seancë publike dhe për këtë arsye ne mund të vazhdojmë që mbi këtë bazë të mund të vijojmë”, ka thënë avokati Rees.

Edhe pse Rees ka deklaruar që emrat të cilët do t’i përmendin gjatë seancave janë publik, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka theksuare rëndësinë e ruajtjes së informacioneve konfidenciale.

Ai ka bërë të ditur se seancat do të vazhdojnë ashtu siç ishin planifikuar duke hedhur poshtë kështu kërkesën e avokatit të Haraidnajt për shtyrje të procedurave.

Smith: Nuk pranohen kërkesa për shtyrje të seancave

“Zotëri Cadman Trupi gjykues nuk e pranon kërkesën tuaj për arsyet e më poshtme, së pari duket që ju mund të komunikoni me klientin tuaj përmes telefonatave ose përmes lidhjeve në ‘zoom, së dyti, ju mund të merrni pjesë në këto seanca në distancë, ky institucion përfshire trupin gjykues dhe zyrën e administrimit kanë detyrën të sigurojnë sigurinë dhe efikasitetin e proceseve gjyqësore, një aspekti kësaj detyre është që të sigurohen që informacioni konfidencial dhe jo publik të mbrohet gjatë gjithë kohës. Gjatë seancave ne shkojmë në seanca private për të mbrojtur një informacion të tillë, gjatë seancave private zyra e administrimit duhet të sigurohet që informacioni konfidencial të mos ekspozohet në asnjë mënyrë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Edhe njëherë, ai ka kërkuar nga avokatët që pyetjet që do të shtrohen gjatë gjykimit të lidhen vetëm me çështjen në fjalë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Avokati i Haradinajt infektohet me Koronavirus, ja çka kërkon nga Haga

Mbrojtja e Nasim Haradinajt në Hagë, avokati Toby Cadman ka kërkuar të shtyhen procedurat aktuale të gjykimit meqë i njëjti ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Si pasojë e kësaj, ai nuk është sot në gjykatë por ka folur në seancë përmes një video-lidhjeje ku i ka kërkuar trupit gjykues që këtë javë të shtyjë procedurat derisa ai të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet se si të vazhdohet tutje.

Në seancën e sotme gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, Cadman ka thënë se në situatën shëndetësore në të cilën ndodhet, nuk mund ta përfaqësojë siç duhet Nasim Haradinajn.

Për shkak të infektimit me Covid-19, ai ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontaktojë me Haradinajn.

Cadman: Për shkak të Covid-19, ka qenë e pamundur të kontaktoj me Nasim Haradinajn dhe të marrë udhëzimet nga ai

“Në këtë fazë unë po kërkoj thjesht një shtyrje të përkohshme në mënyrë që të mund të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe në mënyrë që të marrë udhëzimet e plota nga zotëri Haradinaj nëse ai dëshiron që ne të vijojmë ose nëse është pro shtyrjes, pra kjo është një situatë e paparashikuar dhe është rrethanë përjashtimore. Zoti Haradinaj nuk është i pranishëm, ka qenë e pamundur të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe nëse zotëri Haradinaj do të jetë në gjykatë nesër, përkthyesi ynë dhe hetuesi nuk është në gjendje të jetë në gjykatë nesër për shkak të kohës që duhet të pres për testin PCR... Siç e dini edhe zotëri Haradinaj është në karantinë, nuk kam pasur mundësi të flas me zotëri Haradinaj gjatë fundjavës, kam kërkuar që të paktën të flas me të në telefon në mënyrë që të mund ta informoj për gjendjen time aktuale shëndetësore”, ka thënë Cadman.

Përveç avokatit Cadman, i gjithë ekipi mbrojtës i Haradinajt është lajmëruar në seancë përmes video-lidhjes.

Ndërsa prokuroria nuk ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt që i njëjti të mund të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet nga ai.

Kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se sekretari do të organizojë mundësinë e komunikimit të avokatit Cadman me Nasim Hradinajn ndërsa seanca do të vazhdojë pas një ore pauzë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

***

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë, do të vazhdojë edhe sot.

Sipas njoftimit ky gjykim do të fillojë sot nga ora 09:30, deri në orën 16:00.

Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Në aktakuzë thuhet se “Kjo sjellje tregon qartë synimin dhe motivin e tyre për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DHS-së”.

“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat