D E K L A R A T Ë
Si një ish oficer i FSK-së dhe ish oficer i UÇK-së i bëj thirrje Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të ri të FSK-së që të nisin procesin e avancimit në pozita udhëheqëse, në nivel shtabi, të oficerëve të rinj të FSK-së të edukuar e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, në sinkron me demobilizimin e programuar e me nder të të gjithë ushtarakëve që FSK-ja i ka trashëguar nga TMK-ja.
FSK-ja, si një ushtri moderne e shtetit tonë, është krijuar me qëllimin strategjik që të bëhet pjesë e pandashme e NATO-s, rrjedhimisht një shtyllë jetike për sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Të gjithë ne, pra ushtarakët që, pas demobilizimit të UÇK-së, kemi shërbyer në TMK i takojmë një mendësie ushtarake që rrjedh nga doktrina e ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), nga doktrina e ish Ushtrisë Popullore të Shqipërisë (UPSH) ose të një gërshetimi të të dyjave.
Që të dyja këto doktrina nuk janë kompatibile me doktrinat e NATO-s, e sidomos me doktrinën bashkëkohore të NATO-s, pjesë e të cilës ne synojmë që të jemi.
Oficerët e rinj të Kosovës janë shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të botës perëndimore dhe ata tashmë janë të gatshëm që të marrin të gjitha përgjegjësitë. Prandaj, është obligim i yni që brezi i ri i ushtarakëve të Kosovës të fuqizohet pa asnjë rezervë.
Hisen Berisha, deputet i Kuvendit