A kishte një pakt financiar që i shuante herëpashere armiqësitë ndërmjet atyre që udhëhiqnin forcat ushtarake në luftë. Ushtarët kishin thuaja të njëjtat emblema apo simbole në uniformën e tyre. Shquhej shkurtesa e UÇK-së. Por, formacionet drejtoheshin nga dy qendra të ndryshme, thuaja gjatë gjithë luftës apo deri në prag të përfundimit të saj.
Formacioni më i madh dhe më i sofistikuar ishte ai që drejtohej nga Ministria e Mbrojtjes, pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo kishte numrin më të madh të oficerëve dhe një strukturim organizativ solid. Meritat më të mëdha për organizimin dhe strukturimin ushtarak, vlerësohet se padyshim i takonin ministrit të vrarë Ahmet Krasniqit, në shtatorin e vitit 1998. Vetë Ahmet Krasniqi në dokumentet e tij, dhe në praktikë, UÇK-në e kishte strukturuar si pjesë të FARK-ut, por ushtarët kishin emblemën e UÇK-së.
Vrasje për mosnënshtrim
Ministri Krasniqi u vra, sepse nuk pranoi t’i nënshtrohej ‘Shtabit të Rognerit’, pavarësisht që edhe ai nga fondi i ministrisë ua kishte ndarë një shumë të majme për luftë, “Shtabit të Rognerit”, si quhet në pezhorativ.
Forcat tjera udhëhiqeshin nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili selinë e kishte po në Tiranë, por çuditërisht në një hotel, i cili ishte investim austriak dikur, me emrin “Rogner”. Për shkak të shndërrimit të hotelit në seli të përhershme të Shtabit, ai e mori nofkën “Shtabi i Rognerit”.
Vendimet për ekzekutime, hartime listash për ekzekutime dhe vendime të tjera negative lidhen me këtë Shtab, por në këtë rast nuk janë pjesë e përpjekjes për të gjurmuar ato lloj veprimesh destruktive.
Ky Shtab e pat shpallur presidentin Rugova tradhtar.
Por, është e habitshme se si për shembull pavarësisht përplasjeve në publik, ish kryeministri Bukoshi nuk ishte aq i rrezikuar. A ishte në pyetje ndonjë bashkëpunim i fshehtë ndërmjet tij dhe anëtarëve të Shtabit të UÇK-së?
Përgjigjen për këtë duket se provon ta jep, ish njëri prej figurave më negative në luftën në Kosovë, Ibrahim Kelmendi.
Në njërën nga letrat e tij, të publikuara së fundi, që i quan ai ‘Fletërrufe’ dëshmon për një sjellje kërcënuese që e kishte bërë Xhavit Haliti, duke ju dhënë ultimatum për ta lëshuar Shqipërinë. Sipas kësaj dëshmie, bëhet fjalë për periudhën e ditëve më të vështira që po e kalonte Kosova, ndonëse NATO-ja po bombardonte me intensitet të rritur caqet ushtarake serbe, këto nuk po ndaleshin së kryeri gjenocid ndaj shqiptarëve dhe duke i dëbuar jashtë Kosovës.
“... nga mesi i prillit, asistova vet në mbledhje që kishte thirr Kryesia /shtabi koordinues, kur Xhaviti, me një agresivitet ekstra, i kërcënoi shokët dhe kolegët e tij të deriatëhershëm, që ta lëshonin sa më parë Shqipërinë. Ai kërcënim çoi deri të vendimmarrja për ta mbajt Mbledhjen e përgjithshme (Kuvendin) e Lëvizjes (më 1 e 2 maj 1999 në Zvicër)...”
Kërcënimi u bë, sipas tij nga Haliti, i motivuar se nuk po arrinin t’i merrnin të gjitha mjetet financiare.
Kërcënimi?
“Pata menduar, kërcënimi kishte për motiv kryesor mjetet financiare dhe komandën. Kryesia para ca ditëve kishte marrë vendim që mjetet e Fontit të mos u dorëzoheshin ushtarakëve Xhavitit dhe Azemit, por vetëm në Kryesi. Xhaviti, si më i shkathëti, duke shpërdor lidhjet që kishte me institucione në port dhe aeroport, ua kishte zënë pritën ndihmave financiare që vinin nga Fondi “Vendlindja thërret”.”
Duke folur për Halitin, ai jep një informacion tjetër, që sipas tij, ekzistonte një pakt i fshehtë, që sipas interpretimit të tij, Qeveria Bukoshi, po ia paguante një këst mujor prej 30 mijë DM.
“Interesant, vetëm kur më ra në dorë monografia e LPK-së, që e kanë përgatit Fazli Veliu dhe Sejdi Gega, u informova se Xhavit Haliti dhe Bujar Bukoshi, në prani të Adem Demaçit dhe Shaban Mujës (takim më duket në Rosenheim te bashkëveprimtari me mbiemër Muzaqi), kishin bërë marrëveshje që Bujari t’i jepte 30 mijë DM në muaj për UÇK-në. Ishte precizuar që mjetet t’i dorëzoheshin Shabanit, e ai t’ia përcillte Xhavitit. Në monografi është edhe faksimili i një vërtetimi, me nënshkrim të Xhavitit, për pranim të një kësti mujor prej 30 mijë DM. (Megjithatë, si të pa informuar që ishim, ne kritikonim Bujar Bukoshin, besa edhe e shanim, pse nuk po jep ndihma për UÇK; sapo pash këtë informim, si dyshues që e ka djeg tamli e i frynë edhe kosit, më pat shkuar mendja se Beogradi ka urdhëruar Bujarin t’ua paguante honorarin komplotistëve, duke i kamufluar ato si ndihma për ish të burgosur politik)... “, shkruan Kelmendi.
Liria e lëvizjes për Bukoshin
Më kujtohet se pas luftës, meqë punonim në të njëjtën ndërtesë ku ishte vendosur edhe Qeveria Bukoshi, na binte në sy, se kryeministri Bukoshi, po lëvizte thuaja fare vet, e shumta me një përcjellës, duke ecur në këmbë qytetit.
Ndërsa, kur e kujtoj sot, se a do të ishte e mundur të lëvizte kështu presidenti Rugova? A do të lihej gjallë, po të mos vepronte shpejt sigurimi i tij, duke e bartur nga vendi i takimit zyrtar në vendin tjetër apo në selinë në rezidencë, me automjete dhe në përcjellje të policisë së UNMIK-ut një kohë.
Pa i llogaritur këtu atentatet, sulmet, kërcënimet e vazhdueshme, që i pohon edhe vetë Rugova, pas atentatit ndaj tij me tritol në rrugën Agim Ramadani në vitin 2005, derisa po shkonte në Presidencë për ta takuar Havier Solanën.
As Isa Mustafa, megjithëse ministër i Financave ende pas luftës (deri më 31 janar 2000), dhe më pas si një ish-ministër, nuk është raportuar që të ketë qenë në rrezik ekzekutimi.
Pse nuk ishin të kërcënuar? A paska ekzistuar një pakt pagese, nga i cili kanë përfituar anëtarët e Shtabit, dhe me këtë nuk mund të motivoheshin për agresion ndaj tyre, apo edhe më keq, këta ishin palë në agresionin ndaj Rugovës, siç thotë njëri nga anëtarët e Shtabit, Rexhep Selimi se ju ishin ofruar para nga qeveria Bukoshi, vetëm e vetëm që ta ekzekutonin Rugovën apo Shaban Muja, që thotë se u ishte kërkuar ta ekzekutonin Rugovën dhe Fehmi Aganin.
Po pse nuk flet Isa Mustafa, cili ishte roli i tij në këtë mes, të ndante para vetëm apo si?
Po bëhen 23 vjet nga ato ngjarje dhe ende nuk është dëgjuar të flasë apo dëshmojë Isa Mustafa. Si kryetar i LDK-së, partisë që ka deri në qindra viktima të zyrtarëve të saj, vetëm pse nuk hiqnin dorë nga Rugova dhe LDK-ja!
Ai duhet të rrëfejë!
Edhe Bujar Bukoshi ende është gjallë, duhet të rrëfejë dhe argumentojë për shumë krimet që ndodhën!