(E plotësuar 12:42) - Miratohen kërkesat për mjete shtesë buxhetore ndaj tri institucioneve
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfer gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2022, me propozim të kryetarit të komisionit, Armend Muja është vendosur që kërkesat e RTK-së dhe AKI-së për rritje të buxhetit të shqyrtohen në mbledhjen e nesërme të Komisionit.
Sot ky komision ka miratuar vetëm tri kërkesa nga institucionet për mjete shtesë buxhetore për 2022, atë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Zyrës Kombëtare të Audititmit dhe pjesërisht Universitetit të Mitrovicës.
***
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere po shqyrton në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin 2022 i planifikuar 2 miliardë e 748 milionë euro.
Ky komision po shqyrton një nga një kërkesat e institucioneve për mjete shtesë buxhetore.
Megjithatë shumicën prej tyre deri tash i ka refuzuar.
Komisioni në fjalë ka refuzuar kërkesën e specializantëve për pagat.
Po ashtu ky komision me shumicë votash ka refuzuar kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për krijimin e tetë pozitave të reja për punë, rritjen e fondit për paga dhe mëditje.
Kësisoj edhe kërkesa e KOSTT-it për 33 milionë euro për rrymën në veri është refuzuar nga Grupi punues dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Po kështu komisioni ka refuzuar edhe kërkesën e Këshillit Gjyqësor për rritjen e buxhetit për këtë institucion.
Ndaj këtyre refuzimeve të kërkesave për Këshillin Gjyqësor dhe Avokatin e Popullit, ka reaguar deputeti nga LDK Avdullah Hoti, i cili tha se këto refuzime janë në kundërshtim me parimin e institucioneve.
Hoti tha se në këtë mënyrë siç po refuzohen kërkesat, Kuvendi dhe Komisioni për Buxhet di të vije në situatën për leximin e tretë të këtij buxheti.
Ndërsa, kryesuesi i Grupit punues Eman Rrahmani tha se arsyet e refuzimit të këtyre kërkesave është për shkak të tavaneve buxhetore.
Po kështu Komisioni ka refuzuar dy kërkesa të ARKEP-it për rritjen e buxhetit për paga dhe mëditje.
Gjatë shqyrtimit të kërkesave, Deputeti nga VV Rrahmani tha se Grupi punues ka vendosur të mos përkrahet kërkesa e AKI-së për punonjës shtesë dhe për paga.
Po ashtu Komisioni pas shqyrtimit të Grupit punues ka vendosur që mos të aprovohen 31 kërkesat e komunave në vend.
Shqyrtohet projektligji i buxhetit të Kosovës për vitin 2022
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot mban mbledhje.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-066 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022;
3. Të ndryshme.
Vendi: C203 Koha: 10:00