Nga e premtja e fundit e nëntorit, po bëhen dy javë, dhe ende pa përgjigje nga policia e Kosovës për krimin makabër të Gllogjanit.
Vetë pamjet e fotove të nesërmen, që shihje policë me kallashnikovë gjithandej, nuk arrin të kuptosh se pse u sollën të gjithë ata atje. A ishte në panik popullata apo edhe vetë policia.
Vrasësi i padukshëm po ndiqej me kallashnikov në mes të fshatit. Po, ku ishte vrasësi?!
“Ultimatumi” i ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ka kohë që ka skaduar, në fakt atë dikush e këshilloi gabimisht, dhe ky ende nuk dha ndonjë deklaratë për rastin, dhe as sqarim, se si u nxit për një urdhër, të gabuar, dhe madje të pa adresë.
Vështirësia për hetime
Policia e Kosovës për krime të tilla të rënda është shumë e ngathët, në veçanti në zonat rajonale.
Në fakt, supozojë se ka rënë cilësia e hetimit të vrasjeve që nga vrasja e Sebehate Tolajt dhe Jusuf Haklajt, të cilët edhe pse epror policie po merreshin intensivisht me hetimin e krimit makabër të vrasjes së kolonelit Tahir Zemaj, me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin, zyrtar i Forumit Rinor të LDK-së.
Është e habitshme pastaj, se si autorët u kapën dhe u dënuan për vrasjen e policëve, por jo porositësi apo porositësit e tyre. Ata nuk u vranë për asnjë punë të tyre personale, përkundrazi e provuar nga drejtësia ranë viktima të hetimit të madh, rastit Zemaj.
Arsyet për rënien e cilësisë së hetimeve janë dy. Me vrasjen e këtyre dy policëve mesazhi për kolegët e tyre ishte tronditës. Kushdo që ia mësyn zbardhjes së krimeve politike do ta pësojë njësoj. Sepse porositësit e vrasjeve janë të lirë, e ekzekutorë të tjerë ka me bollëk. Këtë e dinte policia, e më së miri hetuesit aty, që sigurisht dikush nga hetuesia i dekonspiroi dosjet e rastit “Zemaj”.
Hetimet po ashtu u dobësuan, sepse nga stacioni i policisë rajonale në Pejë, u vodhën dosjet dhe u shkatërruan provat e krimit për rreth 200 raste para rreth 10 vitesh.
Shumica prej dosjeve ishin për vrasje, në të cilat sipas tyre, ishin të përfshirë ‘numër i madh i njerëzve të fuqishëm të rajonit të Pejës’.
“Ne kemi zbuluar shkatërrim të madh provash dhe dëshmish. Armë, gëzhoja, gjurmë të ADN-së, e prova tjera të rëndësishme materiale janë zhdukur nga kjo dhomë”, ka thënë për media, vite më parë një zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës në kushte anonimiteti.
Pra, vrasja e hetuesve këmbëngulës, shkatërrimi i dosjeve, janë prova se si është goditur dhe minuar sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Sigurisht se kjo është shoqëruar me futjen në hetime vetëm të njerëzve të kontrolluar nga krimi, dhe mos krijimin e kushteve teknike dhe profesionale për hetimin e krimeve.
Për shkak të vrasjes në Gllogjan
Rasti i Gllogjanit mund të përdoret si një pikë kthese për ta ndryshuar këtë gjendje kritike në hetimet rajonale, dhe në ato në tërësi në Kosovë.
Hetuesit policor, dhe shërbimi inteligjent do të duhej dhe mund të kishte informacion-indicie për një rrezik apo kërcënim sikur vrasja e Gllogjanit.
Duke pasur parasysh këto dy premisa, si më sipër, është e domosdoshme që të merren masa ndëshkuese. Shkarkimin e hetuesve të dyshimtë në tërë rajonin e Pejës, të prokurorëve që kanë dështuar në zbardhjen e krimeve duke krijuar shtrat të sigurtë për krimin. Dhe po ashtu të shkarkimit të zyrtarëve në hierarki: polici-prokurori-gjykatë-AKI, të cilët kanë lejuar rënien e cilësisë së hetimeve, mungesën e rezultateve në zbardhjen e krimeve, dhe vetë fshehjen e tyre.
Investimi
Sikur policia rajonale të kishte pasur në pronësi dronët e duhur për hetime, rasti i Gllogjanit do të mund të ishte zgjidhur që atë natë, më së voni në 48 orët e para.
Mos blerja e helikopterëve, si duket ka qenë e qëllimshme nga qeveritë e pas pavarësisë. Jo për mungesë buxheti, por për shkak se do t’ia komplikonin punët krimit të organizuar. Vrasësve, trafikantëve të drogës, të naftës, të njerëzve etj.
Vrasësit do të mund të zbuloheshin shumë shpejt, dhe nuk do të kishin kohë, vite e vite para vete, që t’i ndryshojnë ngjarjet, pra t’i modifikojnë historitë dhe motivet.
Po ashtu shumë nga ekzekutorët janë vrarë, sikurse dhe shumë dëshmitarë të tjerë.
Pra, blerja e dronëve, që ndihmojnë hetimet dhe zbulimin e krimeve është akute, dhe rrezet e tyre të veprimit do të duhej t’i mbulonin të gjithë kufijtë e Kosovës.