Në një natë të mistershme u nxor nga burgu i Kleçkës Behajdin Hallaqi, dhe nga ajo ditë nuk e pa askush më.
Përtej kësaj ka mbetur akuza e Murat Jasharit, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si bashkëpërgjegjës për vrasjen e Behajdint dhe të Shaban Ramë Shalës.
Sipas tij, këta dy ishin njerëzit e fundit që e panë të gjallë Behajdinin. Sidoqoftë kjo mbetet të zbulohet nga gjykata speciale përfundimisht.
Dyshimet e rritura
Por, është interesante se Behajdini konsiderohej shok i Xhavit Halitit. Sipas dëshmisë së Murat Jasharit, Xhaviti e kishte dërguar rastin ta ‘trajtonte’ Ali Ahmeti.
Në rrjedhën e dëshmisë për komunikimin rreth rastit mungon kthimi i përgjigjes së Ali Ahmetit, gjë të cilën se ka sqaruar as Xhavit Haliti.
Murat Jashari, rezulton se e ka dekonspiruar aksidentalisht vëllain e tij, Ismetin, tek vëllai i Xhavit Halitit, se Behajdin Hallaqi dhe Shaban Shala po mbaheshin në burg.
Pra, Murati pa dashtas ndërhyn në rast, dhe bëhet dëshmitar i arrestimit të Behajdin Hallaqit dhe Shaban Shalës, por me akuzën që ata ishin bashkëpunëtorë të Serbisë.
Këtë akuzë nuk ka dalur askush ta vërtetojë as 23 vjet pas vrasjes së Hallaqit dhe Shalës. Mbrojtja kundër akuzës, do t’i zbulonte vrasësit dhe porositësit. Askush nuk e merrte përsipër këtë rrezik. Pra, as Hashimi i akuzuar nga Murati, dhe as Kadri Veseli i SHIK-ut, nuk thoshin dot asnjë fjalë!
Por, edhe duke mos folur nxirren përgjigje. Heshtja flet vetë! Ndoshta, paratë mund ta bëjnë të flasë ndryshe edhe drejtësinë! Ajo mbase është shpresa e vetme e krimit!
Fakti që Xhavit Haliti, ka shprehur interesim, sipas dëshmisë së Murat Jasharit, ai mund të dijë shumë më shumë për vrasjen e Behadinit dhe Shabanit. Ai gjithashtu e din përgjigjen e Ali Ahmetit.
Por, çka din Ali Ahmeti?
Murat Jashari, pasi e kishte kuptuar se Xhaviti e kishte angazhuar Ali Ahmetin të interesohej, me gjasmë për shpëtimin e shokut të tij, Behajdinit, do ta merrte në telefon vetë Ali Ahmetin.
Në letrën drejtuar Ali Ahmetit me qindra pyetje, Murati i drejtohet atij: “Të lajmërova se Behajdin Allaqi e Shaban Shala ishin të kidnapuar, po i mbajshin në burgun e Kleçkës, pse nuk reagove?”
Ali Ahmeti sigurisht se di jo pak për rastin. Ai së bashku me Xhavit Halitin, do ta kenë biseduar këtë çështje. Dialogu me dilemat se kush vendosi, kush e bëri, apo edhe pse nuk na dëgjuan?, do të ketë qenë temë e pashmangshme në ndonjë takim të tyre!
I fundit njeri që dinte për këto vrasje ishte Murat Jashari, si një dëshmitar, pasi vëllai ia kishte konfirmuar se ishin në burg, po ashtu edhe vëllai i Xhavit Halitit.
Pra, ekzekutimi i dy figurave të ilegales, pa gjykim ushtarak, është shkelje e ligjeve të luftës, që nënkupton krim lufte.
A janë vrasje që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, thjesht aksidentale apo këto koinçidenca duhet hetuar si një zinxhir krimi.
Po si u vra Komandant Kumanova? Në rrëfimin e ardhshëm!