Edhe kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka reaguar pas deklaratës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Borrell, dje në takimin e mbajtur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, në Bruksel, ka thënë se marrëveshja për Asociacionin është më e rëndësishmja.
“Pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Borrell.
E sipas Faton Kurtit, Borrell nuk mund të Bosnjëzojë Kosovën, përcjell Bota sot. Ai ka thënë se viktimës po i kërkohet të bëjë kompromise me xhelatin.
“Borrell shko në ferr - ti dhe askush tjetër nuk mund ta bosnjëzoni Kosovën. Ky këshill nuk mund të quhet Këshill i Stabilizimit-Asocimit - por i Destabilizimit! Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk i është kërkuar viktimës të bëjë kompromise ndaj xhelatit!!!”, ka shkruar Faton Kurti në një postim në Facebook./BS