Deputetja Fitore Pacolli ka njoftuar se dje, në vazhdën e vizitave në terren, si Komision Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në përbërje me anëtarët e komisionit, deputetin Milazim Salijaj dhe stafin profesional të komisionit Hajriz Berisha dhe Gazmend Hajda, me kërkesën e banorëve të fshatit Stanishor të Artanës, kanë vizituar lokacionin ku zhvillojnë veprimtarinë gjashtë kompani, shkruan Syri.net Kosova.
Sipas saj, aktiviteti i tyre fokusohet në eksploatim, thërrmim dhe seperim të gurit gëlqeror.
"Banorët e fshatit Stanishor kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me aktivitetin e këtyre kompanive duke u ankuar se pluhuri i madh që vie si pasojë e aktivitetit të minimit, eksploatimit dhe proceseve tjera teknike është duke iu shkaktuar probleme në shëndet, ekonomitë e tyre familjare, kryesisht në sektorin e pemëtarisë dhe bletarisë.
Pas dëgjimit të ankesave të banorëve të fshatit Stanishor, ne vizituam punishtet e kompanive “Kofix” SHPK, “Proeng” SHPK, “ABI” SHPK, “GURI” SHPK, dhe “AGI DANI” SHPK, të vendosura në Stanishor - Artanë.
Komisioni vërtetoi se disa nga këto kompani kanë pëlqime mjedisore, por nuk kanë edhe leje mjedisore, respektivisht janë në procedurën e shqyrtimit të lëshimit të lejeve mjedisore.
Pavarësisht gjithë kësaj, pluhuri i madh që shkaktohet nga veprimtaria e këtyre 6 operatorëve, është duke prekur fshatin Stanishor dhe fshatrat përreth duke shkaktuar dëme në ekonomitë familjare. Banorët kërkojnë zgjidhje të këtij problemi dhe ne si Komision u zotuam se ankesat dhe kërkesat e tyre do ti adresojmë me seriozitet në Ministritë përkatëse.
Është shumë me rëndësi që kompanitë të cilat operojnë të kenë kujdes mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës.
Tjetër vend nuk kemi. Prandaj, ta ruajmë e ta zhvillojmë vendin tonë..", ka shkruar ajo në Faebook.