Pse po heshtet?
Ka kaq shumë kohë që ka nisur një përpjekje për spastrimin e veriut nga krimi i organizuar. Vetë spastrimi nga krimi i organizuar nuk nënkupton vetëm paqtimin e tij nga njerëz thjesht të përfshirë në krime.
Ajo që do të ndodhë me spastrimin e krimit është ulja e ndjeshme e rrezikut të destabilizimit të veriut nga Serbia, prandaj do të duhej të investohej nga të gjitha qeveritë që në fillim të Pavarësisë (2008).
Në vend të investimit, jo vetëm ekonomik, do të duhej të kishte investim në siguri, luftë kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale, që do të shpartallonte instrumentet njerëzore dhe institucionale të Serbisë në Kosovë.
Duke mbetur pa ‘mjetin problematik’ Serbia nuk do të mund t’i krijonte të gjitha ato probleme që i ka bërë deri më tash në bisedime, si në Vjenë e në Bruksel, dhe të gjitha thuaja nëpërmjet bandave në veri. Sikur të ishte spastruar me kohë krimi i organizuar në veri, veçmas në bisedimet pas pavarësisë, do t’ia kishin dalë ta thyenin Serbinë, argumentet e saj.
Lidhjet speciale me bandat
Por, këtë nuk e deshën, sepse liderët si Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, krijuan lidhje speciale me bosët e krimit në veri, dhe ish-presidenti me Vuçiqin në Serbi, dhe nëpërmjet tij, u afrua me Moskën.
Në dokumentin ku një grup serbësh i shpalli në listën e zezë Thesari i SHBA-ve, akuzohen se kanë kryer veprimtari kriminale në katër shtete, Kosovë, Serbi, Bullgari dhe Kroaci, dhe se operojnë me 24 biznese.
Shtetet e Bashkuara nuk e quajtën rastësisht: “Krimi i organizuar ndërkombëtar me bazë në Kosovën veriore”!
Kjo sintagmë definon shumë paqartësi, të cilat ka mund t’i ketë pasur edhe BE-ja apo Europa. SHBA-të, po i tregojnë botës se në veri, nuk ka asnjë mister, veçse disa banda.
Pra, problemi i veriut nuk është problem real politik, sa është problem atje krimi i organizuar dhe bandat, nëpërmjet të cilave, me kërcënimin e tyre, Serbia, ushtron kontroll, dhe i manipulon serbët kundër interesave të Kosovës, kundër demokracisë dhe kundër stabilitetit rajonal.
Ky mesazh duhet të lexohet drejt edhe nga Qeveria e Kosovës. Ajo nuk duhet të pret interpretime të dikujt tjetër.
Me ‘vulën’ amerikane
Nuk ka një pushtet, institucion apo çfarëdo organizmi që duhet pyetur se çfarë duhet të bëjë me kriminelët.
Pra, është njësoj, veçse tash me ‘vulën’ amerikane, se krimi i organizuar në veri duhet ndëshkuar, pas asnjë kompromis. Dhe jo siç kërkonte Borell, apo përcillte mesazhe të gabuara zëdhënësi Stano, për ndërhyrjen në veri në muajin tetor nga Qeveria e Kosovës. Sikurse atëherë, e tash edhe më e përforcuar, pra duhet t’i thuhet Europës, që të mos shkelë parimet themeltare të demokracisë mbi të cilat është ngritur ajo, që t’i kërkojë Kosovës të kundërtën, tolerimin e krimit të organizuar në veri, vetëm pse ata janë serbë.
Kriminelët janë kriminel, dhe ata duhet t’i godasë shteti ligjor.
Lista serbe që kontrollon dhe fiton 10 deputetë rregullisht është bërë pengesë kyçe për Kosovën.
Këta 10 deputetë janë pengesa kryesore në miratimin e ligjeve që mund të mos i pëlqejnë Serbisë, në ndryshimin e Kushtetutës dhe në një varg çështjesh të tjera, si rezultat i votës së dyfishtë e 20 deputetëve të Kuvendit, e cila nuk mund të arrihet pa pëlqimin serb.
Pra, nëse vazhdon të lihet kështu situata Serbia fare lehtë mund t’i riorganizojë strukturat kriminale, duke i zëvendësuar bosët e listës së zezë me kriminel të rinj, që i ka kultivuar me bollëk!