Pandemia shtoi dhunën, LDK kërkon angazhim kundër shtypjes e diskriminimit

Aktuale

Pandemia shtoi dhunën, LDK kërkon angazhim kundër shtypjes e diskriminimit

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, LDK ka bërë thirrje për respektim të të drejtave njerëozre.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e cila u miratua më 10 dhjetor 1948, vendosi themelet e iniciativës për të siguruar liri dhe drejtësi për të gjithë njerëzit ku do që janë.

“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta”, me këtë fjali fillon edhe Deklarata Universale e cila erdhi si nevojë e domosdoshme për një dokument të përbashkët botëror i cili do të bëhej gardian i këtyre të drejtave.

“Tani është detyrë e jonë e përbashkët ta vazhdojmë këtë betejë, derisa të sigurohemi se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut të respektohet e të vlejë për secilin individ ku do që ndodhet dhe pa marrë parasysh se nga vjen e cilit grup shoqëror i takon.”, apelon LDK.

“Pandemia përveç se ka ndikuar në aspektin ekonomik, ajo ka ndikuar edhe në aspektin social e psikologjik, duke e rritur dukshëm dhunën ndaj grave dhe vajzave e duke thelluar edhe më tej nivelin e varfërisë në vend. Ne duhet të angazhohemi bashkë e fuqishëm për t'i dhënë fund çdo lloj shtypje, diskriminimi dhe dhune qoftë ajo fizike, psikologjike e emocionale.

Me një përkushtim të përhershëm, ne mund të bëjmë Kosovën një vend me nivel të lartë të respektimit të dinjitetit njerëzor të gjithë secilit e secilës.”, vijon më tej njoftimi i LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës historikisht ka dëshmuar për një orientim të qartë në respektimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Duke u bazuar në një traditë të tillë ne do të vazhdojmë me përkushtim në ngritjen e zërit saherë që cenohen këto të drejta ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.”, është zotimi i partisë opozitare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat