Policia e Kosovës ka demantuar shkrimet e mediave serbe se po përgatitet operacion policor në veri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se raportime të tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit.
“Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore”, ka thënë Kelani.
Ndryshe, media e afërt me pushtetin në Serbi “Kurir” raportoi sot se pjesëtarë shtesë të Njësisë Speciale janë stacionuar në bazën “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut.
Sipas këtyre raportimeve që po dalin të jenë të pavërteta, në veri po përgatitej një aksion i gjerë policor.