Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, pas katër vitesh ka vendosur drejtësi në rastin e aktgjykimit dënues, ndaj Ramë Vatës, ish-rektor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Ramë Vataj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se Vataj ia ka kufizuar të drejtën në punësim personave me të drejta të barabarta në konkurs. Ai është dënuar me 1.500 euro gjobë.
“I akuzuari nga data 30 shtator 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, pasi që i njëjti vendim me datën 30.09.2017 behët i plotfuqishëm, i pandehuri si udhëheqës kryesor i institucionit nuk e zbaton, e përmes të cilit urdhërohej Universiteti që: “të rishqyrtoj konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236 për lëndët si në vendim; të themeloj komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantoj respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtoj barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedh komision recensues të veçantë për çdo fushë.”, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri R.V., , me çka të dëmtuarit V.M., ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”.
“Me këtë ka kryer veprën penale Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, nga neni 219, par. 1 dhe 2 të KP-së nr. 06/L-074.
Siç kuptoi gazeta “Bota sot”, padia ishte ushtruar nga Dr.Vehbi Miftari, studiues i letërsisë. Ish rektori Vataj, kishte deklaruar për media se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, por ato letra, pavarësisht paralajmërimit nuk i kishte bërë publike.
Vataj nuk e mbante veten përgjegjës për punësimet, të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.
Miftari para gjykatës ka deklaruar se nga viti 2007 kishte qenë i punësuar në Universitetin e Prishtinës, por pas themelimit të Universitetit të Prizrenit, ai ka thënë se ishte pranuar në pozitën e mësimdhënësit të rregullt në drejtimin gjuhë dhe letërsi deri në vitin 2012.
Miftari në vitin 2016 kishte aplikuar për dy pozita të mësimdhënësit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prizrenit. Por, në këtë rast ‘komisioni ia kishte shtrembëruar të dhënat për botimet e kandidatëve, konferencat shkencore dhe përvojën akademike, duke ia fshehur atij të gjitha këto, përfshirë edhe monografinë e botuar në Gjermani’.
Vehbi Miftari aktualisht është këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.