Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, dje ka mohuar Masakrën e Reçakut, ngjarjen në të cilën u vranë civilë shqiptarë të Kosovës.
Këtë e kanë dënuar SHBA-të dhe BE-ja.
E lidhur me këtë ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Përmes një deklarate për media, ajo ka thënë se në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit dhe është e pamundur e paarritshme që ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike, përcjell Bota sot.
Ajo ka thënë se mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur, derisa ka shtuar se e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij.
Osmani ka theksuar se ata mund të bëjnë filma, por ishin ndodhitë që ndodhën në Reçak që bënë NATO-n të ndërhyjë në Kosovë për të ndalur gjenocidin nga Serbia.
Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:
Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën.
Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur.
Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal.