Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me veprimtarin e çështjes kombëtare Xhim Xhema, me ç'rast i ka shprehur ngushëllime pas ndarjes nga jeta të mikut të tij, senatorit Bob Dole.
Njëkohësisht, Haradinaj ngushëllime i ka përcjellë edhe Komunitetit Amerikan Shqiptar, për të cilët Bob Dole ishte një hero, ashtu siç ishte për të gjithë amerikanët.
“Dole dhe Xhema, kishin një miqësi të ngushtë e personale mbi tri dekada, miqësi të cilën e çmonte shumë senatori i ndjerë, i cili nuk kishte kursyer vlerësimet e tij për Xhimin. Mendoj se aktiviteti jetësor i Xhim Xhemës, në çështjen kombëtare duhet vlerësuar maksimalisht nga të gjithë shqiptarët”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Më 5 dhjetor në Uashington, u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare senatori Bob Dole. Ai njihet si një personalitet që pati mjaft ndikim në jetën politike të SHBA. Shqiptarët do ta kujtojnë atë si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.