(E plotësuar 18:32) - Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje nuk miratohet raporti vjetor i KQZ-së për 2020
Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar sot raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.
Komisioni për Legjislacion dhe ai për Buxhet kanë rekomanduar mosmiratimin e këtij raporti, por që partitë opozitare e kanë kundërshtuar këtë gjë, duke thënë se pozita po synon të arsyetojë shkarkimin e kryetares së KQZ-së Valdete Daka nga presidentja Vjosa Osmani.
Deputeti Adnan Rrustemi, tregoi se pse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta përkrahë këtë raport të punës, derisa u shpreh se raporti i KQZ-së për 2020 nuk reflekton përkushtimin për të adresuar disa prej problemeve sistematike për zgjedhjet në Kosovë.
Rrustemi: Shihet mungesë thuajse e tërësishme për tejkalimin e problemeve të paraqitura
“Vitet jo zgjedhore janë periudha ideale kur institucionet si KQZ merren më së shumti për të adresuar mangësitë e proceseve të mëparshme përmes mësimeve të nxëna e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme. Por, raporti i KQZ-së për vitin e kaluar nuk reflekton përkushtimin e saj për të adresuar disa prej problemeve sistematike kur bëhet fjalë për zgjedhjet në Kosovë, madje as nuk i evidenton si nevojë për t’u përmirësuar. Nga pasaktësia e mos pastrimi i listës së votuesve, mungesa e adresave e alokimi i pasaktë i votuesve nëpër qendra të votimit, vështirësitë e votimit jashtë vendit, rinumërimet e shumta, pasaktësitë në plotësimin e formularëve të votimit, fletëvotimet e shumta të pavlefshme, janë disa nga çështjet që ndjekin çdo palë zgjedhje në Kosovë e që janë shprehje e nevojës për të ndërhyrë në operacione zgjedhore. Nga raporti për vitin e kaluar shihet mungesë thuajse e tërësishme për tejkalimin e problemeve të paraqitura”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se përkundër pandemisë me koronavirus, KQZ në vitin 2020 ka organizuar zgjedhje në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore, derisa potencoi se raporti ka qenë në rregull.
Ai tha se kundërshtimi i pozitës për këtë raport është vetëm për të arsyetuar shkarkimin e Dakës.
Beqa: Deputetët e pozitës e kanë arsyetuar shkarkimin e Valdete Dakës
“Atje në komision jemi ndarë pozitë-opozitë, është një praktikë e keqe sepse nuk e kemi vlerësuar punën e KQZ-së dhe sfidat që i ka pasur, por më shumë e kemi arsyetuar sidomos deputetët e pozitës e kanë arsyetuar shkarkimin që i është bërë në mënyrë jo ligjore, jo kushtetuese nga presidentja e Kosovës Valdete Daka dhe kjo i bie në një farë forme të kthejmë edhe në atë zhargonin popullor të drejtësisë, po së pari po e pushkatojmë e pastaj po ia bëjmë edhe vendimin”, tha Beqa.
Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se arsyetimet që kanë dhënë dy komisionet parlamentare që raporti i KQZ-së të mos miratohet nuk janë të bazuara në kompetencat që i ka KQZ-ja.
Zemaj: Arsyetimet nuk janë të bazuara edhe në kompetencat çfarë i ka KQZ-ja
“Vetë arsyetimet nuk janë të bazuara edhe në kompetencat çfarë i ka KQZ dhe në zgjidhjen e problemeve që dalin pothuajse çdo herë nga mbajtja e zgjedhjeve. Ne duhet të jemi realë, nuk duhet të jemi të ndikuar nga momentumet politike, qoftë edhe nga ajo që e tha kolegu parafolës nga opozita për shkarkimin që ka ndodhur të kryetares së KQZ-së”, tha Zemaj.
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se partitë politike duhet ta kenë parasysh që KQZ përbëhet nga anëtarët e të gjitha subjekteve politike.
Tahiri: Kur kemi qenë në qeveri është kryqëzuar dikush tjetër, tash po kryqëzohet dikush tjetër
“E shoh njëfarë tendence që në një farë forme duke e ditur se është shkarkuar Valdete Daka, goxha shumë të lidhet me menaxhimin që ajo e ka pasur në atë kohë dhe jo domosdo me trajtimin e meritave të raportit. Këtu e kam problemin esencial, problemin e kam që në një kohë kur ne kemi qenë në qeveri është kryqëzuar dikush tjetër, tash kur jeni ju në qeveri po kryqëzohet dikush tjetër”, tha ai.
Kuvendi ka mbyllur punimet për sot, ndërsa deputetët do të mblidhen sërish nesër në orën 14:00 për të zhvilluar debatin parlamentar për pagat në sektorin publik.
***
Kuvendi miraton Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit
Kuvendi i Kosovës me 68 vota pro, ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Të gjitha partitë politike pjesë e Kuvendit të Kosovës i ka dhënë mbështetje këtij projektligji.
Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.
Berisha: Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave
“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.
Tahiri: T’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO
“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.
Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.
Mehaj: Kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO
“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai.
Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim edhe Projektligjin për pijet e forta alkoolike, ku pro këtij projektligji ishin 60 vota, derisa ishin katër abstenime.
Ministri i Bujqësisë Faton Peci tha se ky projektligj rregullon kornizën ligjore përmes parimeve të përgjithshme që kanë të bëjnë me përshkrimin, prezantimin dhe etiketimin e pijeve të forta alkoolike, si dhe mbrojtjen e treguesve gjeografik të pijeve të forta alkoolike.
Po ashtu, me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar në parim edhe Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Në arsyetimin e tij, ministri Faton Peci, tha se ky projektligj ka për synim zbatimin e objektivave, të cilat përmbajnë qasje në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe më efikas të legjislacionit në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Ky projektligj i përcakton politikat kombëtare për bujqësi dhe zhvillim rural, planifikimin dhe masat e politikave bujqësore, masat për bujqësi të integruar, prodhim organik, standardet e cilësisë si dhe ato të marketingut, bazën e të dhënave, regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi. Mbështetjen institucionale për bujqësi, kontrollin administrativ, masat e menaxhimit të rrezikut në bujqësi, restaurimin e potencialit të prodhimit bujqësor, partneritetin social dhe ekonomik në fushën e bujqësisë, si dhe inspektimin në terren dhe zbatimin e masave”, tha ai.
Ndërkaq, në mungesë të ministrit është shtyrë për seancën e ardhshme, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturinat.
Miratimin e deputetëve e ka marrë edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, ku taksa investive do të jetë 0.32 për qind dhe taksa operacionale prej 0.057 për qind.
Bojkoti i Listës Serbe, sërish dështon miratimi i Projektligjit për festat zyrtare
Ka dështuar të hedhet në votim sërish Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare. Bojkoti i Listës Serbe në seancën e sotme plenare, ka bërë që të pamundësohet miratimi i tij, pasi nevojiten 2/3 e votave edhe të deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Iniciuesi i këtij plotësim-ndryshimi, deputeti i komunitetit egjiptian, Fridon Lala tha se Lista Serbe po ia pamundëson komunitetit egjiptian për ta pasur ditën ceremoniale të tyre.
Lala: Bojkoti i Listës Serbe po vazhdon
“Siç po shihet po vazhdon bojkoti i Listës Serbe, kështu që ky plotësim-ndryshim ka nevojë për 2/3 e votave të deputetëve dhe komuniteteve. Edhe sot mungon ky numër, kolegët tanë po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’ia mohuar një grupi tjetër, këtë rast komunitetit egjiptian për të pasur ditën ceremoniale të tyre”, tha ai.
Me këtë konstatim u pajtua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se kushtëzimet që po i bënë Lista Serbe lidhur me këtë projektligj janë të pandershme.
Konjufca: Kushtëzimi që po e bënë Lista Serbe është i pandershëm
“Pajtohem plotësisht është i padrejtë dhe pandershëm kushtëzimi që po e bënë Lista Serbe në këtë rast”, tha ai.
Kuvendi miraton dy marrëveshje ndërkombëtare
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme plenare kanë miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare. Me unanimitet të plotë, të zgjedhurit e popullit miratuan Projektligjin për ratifikimin e amendamentit 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2016 me Bashkimin Evropian dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Qeverinë e Zvicrës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në Kosovë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes me BE-në është shtyrja edhe për 1 vit të ekzekutimit të projekteve, që gjithsej sipas tij kapin vlerën e mbi 11 milionë eurove.
Murati: Qëllimi është shtyrja e afatit të ekzekutimit të projekteve
“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është të mundësohet shtyrja e afatit përfundimtar të ekzekutimit të projekteve të cilat mund të mos kryejnë me kohë, si rezultat i pandemisë Covid 19”, tha ai.
Duke arsyetuar projektligjin e dytë, ministri Murati tha se menaxhimi i resurseve ujore do të jetë primar për ekzekutivin. Sipas tij në bazë të këtij programi 10-vjeçar shuma totale nga ana e Zvicrës do të jetë 18.9 milionë euro.
Murati: Marrëveshja parasheh zhvillimin e resurseve ujore
“Marrëveshja parasheh zhvillimin e një programi i cili siguron krijimin e një kornize funskionale të integruar për mbrojtën, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe shpërndarjen e resurseve ujore për konsumatorët në Kosovë. Ky program pritet të zhvillohet në tri faza në periudhën 2021-2031”, shtoi ai.
Kuvendi miraton këmbimin e Notave Diplomatike mes Kosovës dhe SHBA-ve
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 83 vota “për” kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ani pse pati debat nëse ky projektligj duhej të miratohej në Kuvend, deputetët e të gjitha partive politike i kanë dhënë mbështetje.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, teksa ftoi deputetët që ta përkrahin këtë projektligj tha se niveli i bashkëpunimit mes ShBA-ve, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së është në nivel të shkëlqyeshëm.
Mehaj: Bashkëpunimi SHBA, MM dhe FSK-së është në nivel të shkëlqyeshëm
“Projektligji ka për qëllim të rregullojë aspektin ligjor rreth të drejtave dhe detyrimeve të përdorimit të pajisjeve që kanë palët të autorizuara sipas këtij legjislacioni. SHBA-të kanë marrëveshje të njëjtë me partnerët dhe shtetet e tjera, me këtë është me rëndësi që ky projektligj të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e njëjta të hyjë në fuqi në mënyrë që bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së të vazhdojë dhe të thellohet edhe më shumë. Niveli i bashkëpunimit përmes SHBA, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së është në nivel të shkëlqyeshëm”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se si parti do ta përkrahin ratifikimin e Notave Diplomatike, por që shprehu dyshime se pse kjo është sjellë në Kuvend për miratim.
Tahiri tha se kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, për çka pyeti qeverinë se pse është sjellë në Kuvend për miratim. Ai pyeti se a nuk po i beson ShBA qeverisë apo qeveria ka ndonjë hezitim për këtë çështje.
Tahiri: A nuk po ju besojnë SHBA-të që me u kthye prej qeverisë kjo notë diplomatike
“Ratifikimi i këtyre notave diplomatike, a po më tregoni çfarë rëndësie ka kur e ratifikon Kuvendi i Kosovës e nuk e ratifikon Kongresi amerikan. Prandaj kjo prapë po them duhet me qenë në nivel të ministrive, SHBA-ve prej nga ka ardhur letra dhe me u kthye nga Ministria e Punëve të Jashtme. Pra, është shumë e paqartë për mua dhe për grupin parlamentar se pse është dashur të vijë dhe të ratifikohet në Kuvend. Nuk kam pikë dyshimi që duhet me qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe me vëmendje të plotë në raport me atë asistencë që e ofrojnë ShBA-të për Kosovën, në këtë rast më konkretisht për ushtrinë, mirëpo në anën tjetër pyetja ime është pse a nuk po ju beson, a nuk po ju besojnë SHBA-të që me u kthye prej qeverisë kjo notë diplomatike apo ju po hezitoni ta bëni një gjë të tillë”, tha ai.
Pro miratimit të këtij projektligji u shpreh deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, i cili tha se i njëjti do të avancojë diplomacinë ushtarake.
Dugolli: Ky akt ndihmon në promovimin e politikës së jashtme të sigurisë
“Ky akt ndihmon në promovimin e politikës së jashtme të sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme të SHBA-së duke i ndihmuar popujt e botës në përpjekjet e tyre drejtë zhvillimit ekonomik, sigurisë së tyre të brendshme dhe të jashtme si dhe për qëllime të tjera bashkëpunimi”, tha ai.
Sqarim më të madh nga ekzekutivi për këtë projektligj kërkoi deputeti i LDK-së, Anton Quni.
Quni: Ne jemi të vetmit që kësaj note verbale i përgjigjemi me projektligj
“Ne jemi të vetmit që kësaj note verbale i përgjigjemi me projektligj. Nuk po flasim për dy procese analoge dhe nuk po flasim për komunikim të dy institucioneve homologe. Po krijojmë një standard të ri dhe është shumë e kuptueshme që deputetët kërkojnë sqarime”, tha ai.
Miratimin e projektligji e përkrahu edhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj: Kuvendi është garantuesi kryesor për marrëveshjet
“Nuk është ndonjë tejkalim apo dalje nga ndonjë e drejtë e jona, pasi parlamenti është garantues kryesor dhe në rastin kur qeveritë janë në dorëheqje dhe ministrat janë në pozita të tranzicionit. Fakti që ne aprovojmë një ligj është një dëshmi që mënyrë serioze do të respektojmë këto marrëdhënie si në nota verbale, ashtu edhe akte të tjera. Pra Aleanca e përkrah”, tha ai.
Ndaj deputetëve ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili sërish kërkoi që ky projektligj të ratifikohet.
Mehaj: Kjo është marrëveshje prej vitit 1961
“Kjo është marrëveshje prej vitit 1961, ka shumë shtete partnere ShBA, nuk është e jashtëzakonshme Kosova e as partnerët e tjerë. Këtë tashmë edhe përmes edhe marrëveshjes po edhe besimit të plotë e kemi ta qesim këtë marrëveshje përpara sa i përket ministrisë dhe FSK-së. Ushtria e Kosovës është e popullit, kështu që ju lus ta mbështesni marrëveshjen e të ecim përpara”, tha ai.
Sërish ka reaguar Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se paaftësinë e qeverisë e sqaron shumë mirë kjo situatë, derisa tha se një jurist me një dije nën mesatare nuk e kish sjellë në Kuvend për ratifikim këtë projektligj.
Tahiri: Një jurist me një dije nën mesatare nuk e kish sjellë në Kuvend ta ratifikojë këtë projektligj
“Këtë farë paaftësie, këtë farë amullie që e ka krijuar qeveria e Republikës së Kosovës shumë mirë po e sqaron kjo situatë. Një jurist me një dije nën mesatare nuk e kish sjellë në Kuvend me ratifiku këtë projektligj, sepse fakti që nuk ratifikohet mes dy shteteve kjo flet vet”, tha ai.
Edhe Shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur paaftësi të qeverisë që një projektligj i tillë shkon për ratifikim në Kuvend.
Në debat është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh se si kryetari i Kuvendit është konsultuar me palën me të cilën po e lidh Kosova këtë marrëveshje, e që tha se nuk ka kurrfarë problemi që ky projektligj miratohet në Kuvend.
Konjufca: Kurrgjë nuk ka problem nëse ne përcaktohemi për këtë mënyrë
“Sa i takon përgjegjësisë të kryetarit të Kuvendit ai është konsultuar edhe dakorduar me vet palën me të cilën ne po e lidhim këtë marrëveshje. Pala thotë që krejt është në rregull edhe kjo mënyrë nëse duam të përcaktohemi për këtë. Kështu që, kurrgjë nuk ka problem për Republikën e Kosovës nëse ne përcaktohemi për këtë mënyrë, prandaj kjo thjeshtë i përket vullnetit të deputetëve që të përcaktohen me votë”, tha ai.
Kuvendi shkon në pauzë
Punimet e seancës parlamentare vazhdojnë me ndryshim të rendit të ditës.
Me 78 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët votuan ndryshimin e rendit të ditës.
Pas pushimit, kryeparlamentari Konjufca tha se do të shqyrtohet pjesa e mbetur e rendit të ditës.
Kumanova, flet sërish Blerta Deliu-Kodra: Sot u vërtetua kush ka qenë makineria manipuluese
Grupi i Kumanovës sërish është bërë temë debati në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri, Albin Kurti, tha se kërkesa për transferim të të burgosurve duhet të jetë individuale, por deri tani s’ka pasur një të tillë, pasi rasti ende është në Gjykatën Supreme në Maqedoninë e Veriut.
Kurti: S’ka ende kërkesë për transferimin e grupit të Kumanovës
“Deri më tani nuk jam njoftuar se është bërë një kërkesë e tillë, pra nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese, pra Maqedonisë së Veriut për t’u transferuar, ajo palë e njofton palën zbatuese, këtë rast Kosovën, porsa vendimi të ketë marrë formë të prerë. Por rasti i Kumanovës është në Gjykatën Supreme dhe rasti nuk ka përfunduar”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i cili edhe bëri pyetjen parlamentare, kërkoi nga kryeministri të tregoj çka kanë bërë që mos të cilësohen si terrorist.
Berisha: Çka është bërë që ata mos të cilësohen si terrorist
“Çka është bërë që ata mos të cilësohen si terrorist, se këtë në Kuvend është debatuar mbi këtë fushë”, pyeti ai.
Por këtë epitet, siç e quajti të padrejtë, Kurti tha se e ka thënë kolegia e Berishës në PDK, duke aluduar në Blerta Deliun.
Kurti: Epitetin e padrejtë ‘terrorist’ e ka thënë kolegia juaj
“Epitetin e padrejtë ‘terrorist’ e ka thënë kolegia juaj. Ndërkaq, ju tash kinse po brengoseni për djemtë e Kumanovës që mbahen në burg atje. Populli ynë e ka një fjalë të ulët për këtë shprehje dhe sjelljen tuaj. Por unë juve s’po iu them”, tha ai.
Por deputetja Deliu e quajti manipulim deklaratën e kryeministrit Kurti.
Deliu-Kodra: Sot u vërtetua kush ka qenë makineria manipuluese
“Sot u vërtetua kush ka qenë makineria manipuluese. E saktësoj qartë kryeministri me manipulimin se armata e udhëhequr nga ai që i ka bërë gjatë kohës”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë tregon përpjekjet për zgjidhjen e krizës energjetike
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se KEK është duke bërë përpjekje që të fusë në operim bllokun e tretë të “Kosova A”, i cili do të ndihmonte rreth 120 megavant në kohën e krizës energjetike.
Krahas kësaj, në seancën e sotme plenare, ajo tha se janë duke bërë përpjekje për ta licencuar edhe impiantin e erës në Selacë, i cili do të shtojë edhe 60 megavat.
Rizvanolli: KEK është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të Kosovës A
“KEK është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të Kosovës A që do të ndihmonte diku edhe me rreth 120 megavat, ndërsa Ministria e Ambientit, si dhe ZRRE-ja janë duke e marrë me prioritet të kapaciteteve që tanimë janë ndërtuar të impiantit të erës në Selacë, i cili do të shtojë edhe 60 megavat të licencuar kapacitet, i cili gjatë sezonin të dimrit të na ndihmojë situatën”, tha ajo.
Kurti pyetet për rastin Kumanova: Populli ynë e ka një fjalë, por s’po ua them
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar për rastin e të burgosurve në Kumanovë. Ai ka thënë se çështja ndaj tyre është në Gjykatë Supreme dhe se ende nuk ka ndonjë kërkesë për transferim të ndonjë personi për të vuajtur dënimin në Kosovë.
“Transferimi i tyre bëhet individualisht dhe jo në grup dhe procedura e transferimit fillon me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit. Deri tash nuk kemi diçka zyrtarisht që ka ndonjë një gjë e tillë. Pra nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese për t’u transferuar në Kosovë, ajo palë e njofton palën zbatuese posa vendimi të ketë marrë formë të prerë. Rasti i Kumanovës aktualisht është në Gjykatën Supreme, pra nuk ka përfunduar ende. Në takime që kemi pasur e kemi ngritur këtë çështje për ta diskutuar, por duhet ta kuptoni që rasti i Kumanovës gjendet në Gjykatën Supreme atje”, ka thënë Kurti në Kuvend.
E deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e ka pyetur Kurtin se çfarë ka bërë që të burgosurit në Kumanovë të mos quhen terroristë. E Kurti i është përgjigjur duke thënë se ata deputet ia ka dhënë vetë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Epitetin terrorist, e ka thënë një kolege e juaja. E ju këtu po bëheni kinse brengoseni për djemtë e Kumanovës. Për këtë populli ynë e ka një fjalë të urtë për këtë sjellje tuajën, por atë sot juve këtu nuk po jau them”, ka thënë Kryeministri.
Haradinaj: Murati nuk e ka vendin në seancë, por në një shatorr në KEK
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje është kundër investimit të Countur Global për termocentralin e ri.
Sipas tij, Murati nuk e ka vendin në seancë, por në një shatorr në KEK me shumë punëtorë që janë duke u mërdhirë në këtë dimër.
“Refuzimi i Countur Global na rrezikon edhe për shumë dimra tjerë dhe njëkohësisht edhe refuzimi i gazit që e keni bërë na rrezikon për shumë dimra tjerë, ndoshta nuk kishte mbërri rezultati tash por çka do të bëhet në dimrat që do të vjen më vonë, dhe ku do të jesh t’i se vonë iu ke bashkuar kësaj anije, por këtu në Parlament me çdo mjet Vetëvendosje e ka kundërshtuar investimin në Kosovën e Re me mbi 1 miliard euro”, tha Haradinaj
“Vetëvendosje duke u bazuar me njerëz sikur ti (Hekuran Murati) ka ardhë situata deri këtu. Unë nuk mendoj se e ke vendin këtu në seancë, por është dashtë të jesh në KEK me një shatorr, duke u mërdhirë së bashku me disa kolegë tjerë, se një pjesë e qytetarëve janë duke u mërdhirë në këtë dimër”, tha Haradinaj.
Haradinaj e Murati replikojnë për “Contour Global”
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i AAK’së, Ramush Haradinaj kanë replikuar sa i përket shkëputjes së kontratës me kompaninë amerikane “Contour Global”.
Murati në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se qeveria nuk ka shkëputur kontratën me këtë kompani, por që sipas tij, shkëputja e kontratës është bërë nga “Contour Global”.
Ai ka thënë se kritika e Haradinajt ka si pretekst t’i sigurojë ndonjë pozicion të favorshëm kësaj kompanie në raport me arbitrazhin dhe një padi potenciale.
“Sa i përket çështjes së energjisë elektrike e cila u ngrit nga deputeti Haradinaj, më duhet të theksoj se megjithatë ka të pavërteta në dy prej gjërave që u ngritën edhe sa i përket çështjes së “Contour Global” edhe sa i përket gazit. Nëse synimin e ka për ta kritikuar qeverinë, mund ta bëj me argumente tjera. Kritika e tij është pretekst për t’i siguruar ndonjë pozicion më të favorshëm “Contour Globalit” në raport me arbitrazhin dhe padinë potenciale që mund të rezultojë ndaj shtetit të Kosovës, atëherë besoj që nuk i bën shërbim vendit nëse vazhdon të flet për çështje të tilla të pavërteta“, ka thënë ai.
Ndërsa, Haradinaj i ka replikuar Muratit duke thënë se refuzimi i “Contour Global” rrezikon Kosovën edhe për shumë dimra tjerë.
Ai i tha Muratit se nuk e dinë se ku do të jetë ai në dimrat e ardhshëm.
“Refuzimi i “Contour Global” na rrezikon edhe për shumë dimra tjerë që na vinë. Çfarë do të bëjmë në dimrat e ardhshëm dhe ku do të jesh ti sepse e di që vonë ju ke bashkuar kësaj anije”, ka shtuar Haradinaj.
Kurti: Po punojmë që ta zbusim krizën energjetike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth krizës energjetike, për çka tha se janë duke punuar që ta gjejnë zgjidhjen më të mirë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshëm por edhe të zbusin krizën energjetike.
Ai tha se për këtë po punojnë bashkë me ministrat e linjës, KEK, KOSTT dhe ZRRE, derisa potencoi se çështjen e krizës energjetike e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Kurti tha se çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as në Kosovë një situatë e favorshme.
Kurti: Po punojmë që ta gjejmë zgjidhjen më të mirë
“Rrjeti i shpërndarjes si dhe stabilimentet prodhuese në Kosovë edhe janë vjetërsuar e janë amortizuar, ndërkaq konsumi i energjisë është rritur. Ta zëmë sot në orën 9 në mëngjes kemi qenë duke provuar me kapacitet të plotë diku rreth 760 megavat, ndërkaq konsumi i energjisë në orën 9 të mëngjesit ka qenë 1 mijë e 113 megavat. Pra, konsumi është tejet i madh edhe për shkak të stinës së dimrit edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit edhe e jetesës është e organizuar rreth ngrohjes përmes termoelektranave, por që besa edhe për shkak se energjia elektrike është lirë dhe konsumi është i kollajshëm. Tash kur kërkesa rritet e kapacitetet janë të brishta sigurisht që gjendja rëndohet, mirëpo bashkë me ministrat e linjës, KEK-un, me KOSTT-in, me ZRRE-në po punojmë që ta gjejmë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që edhe të kemi furnizim të qëndrueshëm, por në të njëjtën kohë edhe ta zbusim krizën në energjetikë në të cilën nuk ndodhemi vetëm ne”, tha ai.
Deputeti i PDK-së: Gërvalla menxi s’pret të jap dëshmi për Thaçin e Veselin por reagoi për Reçakun
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka kritikuar institucionet e Kosovës, për siç tha reagimin e dobët ndaj mohimit të serishëm të masakrës së Reçakut, nga ministri serb, Aleksandër Vulin.
Në foltoren e Kuvendit, ku vendosi mesazhin “Vuline pusti vodu”, që në shqip do të thotë “Vulin, lëshoje ujin”, Kastrati mes përplasjeve me deputetët e mazhorancës, tha se është dashur një reagim më i ashpër në këtë drejtim.
Kastrati: Nuk pash një reagim të ashpër nga kjo qeveri
“Nuk pash një reagim të ashpër nga kjo qeveri, nuk pas reagim të ashpër. Dëgjo çfarë po flas, ju keni qenë, ‘shuj me axhin’ edhe në rrugë për Palestinën dhe keni dramatizuar Palestinën atje, Palestina, Millosheviqit i jepte medalje kur i kish bërrylat deri këtu me gjak në Reçak. Prandaj unë, jo me iu kritiku juve, por me jep një porosi prej këtu me gjuhën e tij që është e turpshme se në të dalim me një reagim aq të dobët, jo si qeveri, po edhe si shoqëri. Është dashur që kjo ministrja e Kurtit, Gërvalla që bënë ‘takataka’ që menxi s’pret me jep dëshmi për Hashimin dhe Kadriun atje, por nuk u pa të reagoj për këtë çështje. Kjo porosia poshtë shkon për atë zotëriun atje, është e vdekur kjo, ata e dinë dhe e kanë të kot pasi realistin që jetojmë sot e kanë mundësuar Reçaku dhe shumë Reçaka të tjerë”, tha ai.
Deputetit i reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe dënime.
Konjufca: Shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe dënime
“Zotëri Kastrati nëse jeni në ngjarje, shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe dënime të cilat i mohojnë këto masakra në Kosovë. Kjo është mënyra e reagimit të shtetit tonë dhe gjykatave tona”, theksoi ai.
“Nuk e di se ku do të jesh në dimrat e ardhshëm”, Haradinaj e Murati replikojnë për “Contour Global”
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i AAK’së, Ramush Haradinaj kanë replikuar sa i përket shkëputjes së kontratës me kompaninë amerikane “Contour Global”, raporton Gazeta Express.
Murati në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se qeveria nuk ka shkëputur kontratën me këtë kompani, por që sipas tij, shkëputja e kontratës është bërë nga “Contour Global”.
Ai ka thënë se kritika e Haradinajt ka si pretekst t’i sigurojë ndonjë pozicion të favorshëm kësaj kompanie në raport me arbitrazhinë dhe një padi potenciale.
“Sa i përket çështjes së energjisë elektrike e cila u ngrit nga deputeti Haradinaj, më duhet të theksoj se megjithatë ka të pavërteta në dy prej gjërave që u ngritën edhe sa i përket çështjes së “Contour Global” edhe sa i përket gazit. Nëse synimin e ka për ta kritikuar qeverinë, mund ta bëj me argumente tjera. Kritika e tij është pretekst për t’i siguruar ndonjë pozicion më të favorshëm “Contour Globalit” në raport me arbitrazhin dhe padinë potenciale që mund të rezultojë ndaj shtetit të Kosovës, atëherë besoj që nuk i bën shërbim vendit nëse vazhdon të flet për çështje të tilla të pavërteta“, ka thënë ai.
Ndërsa, Haradinaj i ka replikuar Muratit duke thënë se refuzimi i “Contour Global” rrezikon Kosovën edhe për shumë dimra tjerë.
Ai i tha Muratit se nuk e dinë se ku do të jetë ai në dimrat e ardhshëm.
“Refuzimi i “Contour Global” na rrezikon edhe për shumë dimra tjerë që na vinë. Çfarë do të bëjmë në dimrat e ardhshëm dhe ku do të jesh ti sepse e di që vonë ju ke bashkuar kësaj anije”, ka shtuar Haradinaj.
Kurti flet sërish kundër sindikatave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka kursyer edhe një herë sindikatat nga kritikat e tij për kërkesat e tyre.
Ai ka thënë se nuk do të kursejë kritikat ndaj sindikatave, pasi që ai është qëndrimi i tij.
“Unë nga pikëpamja ime social-demokrate, nuk do të ndal kritikat aty ku duhet, as ndaj sindikatave”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se sindikatat janë duke bërë kërkesa për rritje pagash, ndërsa për sa vite nuk kanë pasur kushte elementare.
“Kërkohet rritja e pagave, kur në shkollat tona për dy dekada nuk ka pasur as sapun”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se për ndryshime të mëdha, nuk mund të vazhdohet me njerëz të njëjtë, ndërsa ka kritikuar opozitën se më herët nuk i kanë mbrojtur sindikatat.
Deklaratat për Reçakun, Kastrati del në foltore me mbishkrimin: Vulin, lëshoja ujin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas deklaratave të ministrit serb, Aleksandër Vulin, për masakrën e Reçakut.
Kastrati ka thënë se mohimi i masakrës së Reçakut nga Ministri i Brendshëm i Serbisë, ka nxitur reagime edhe nga faktorët ndërkombëtar, por nuk ka nxitur mjaft reagime në Kosovë.
“Unë nuk kam parë ndonjë reagim serioz ndaj këtyre deklaratave, edhe pse i reaguan edhe ndërkombëtarët”, ka thënë Kastrati.
Pas fjalës së Kastratit, ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thënë se shteti i Kosovës e ka një ligj që dënon të gjitha këto deklarata dhe mohimin e masakrave apo gjenocideve.
Kujtojmë se ministri serb, Aleksandër Vulin, ditë më parë, e kishte cilësuar masakrën e vitit 1999 në Reçak të Kosovës, si një “gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm”.
Murati: S’u kam thënë specializantëve se janë të lirë ta lëshojnë Kosovën
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se takimi që është mbajtur me specializantë nuk është shpërfaqur e vërteta.
Ai ka mohuar akuzat se Murati u ka thënë specializantëve se janë të lirë ta lëshojnë Kosovën.
“Çështja e specializanteve e di që ka pasur disa reagime për ata që i kemi pritur në takim dhe disa publikime në disa medie, që në fakt nuk e shpërfaq atë që është diskutuar.
Ka pasur deputetë nga PDK-ja, AAK-ja, dhe nuk e kam parë të arsyeshme që të reagoj, meqenëse disa medie udhëhiqen nga disa këshilltarë të PDK-së, dhe më duhet të them se ajo që është ngritur si temë nuk është ashtu”, tha Murati.
***
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është shprehur i shqetësuar me krizën energjetike në vend.
Haradinaj, i cili është edhe deputet në seancën e sotme plenare tha se refuzimi i kryeministrit Kurti ndaj gazsjellësit dhe investimit “Kosova e Re”, e la Kosovën pa energji të qëndrueshme.
Haradinaj: Kryeministri Kurti e la Kosovën pa projekte për energjinë
“Cilat janë këto dy veprime, i pari është refuzimi i investimit të ‘Kosovës së Re’, një investim privat, amerikan dhe njëkohësisht 450 megavat energji të përhershme në çmim deri në 86 euro megavatin. Kryeministri i sotëm Kurti, atëherë opozitar, arriti të dobësoj këtë projekt me kundërshtimin e vet dhe sa ishte kryeministër e refuzoi. Pra, e la Kosovën pa 450 megavat të çmimit 86 euro. Njëkohësisht, kryeministri Kurti i tha ‘jo’ një projekti për dezinfektimin në energji, gazsjellësit prej Shkupit, 200 milionëve amerikanë falë, 90 milionë kredi, 20 milionë grand. Na la edhe pa këtë projekt. Në të vërtet shtrohet pyetje se ‘kush është ky kryeministër dhe kjo qeveri në energji për Kosovën’. Çka është qëllimi juaj, a është qëllimi juaj me lënë Kosovën pa kapacitete në energji, nëse po, në interes të kujt? Tani pasi është kjo gjendje dhe po shihet se ky dimër do të jetë i vështirë na tregoni ju lutem si do ta zgjidhim situatën. E dimë se një megavat tash paguhet deri 450 euro në këtë kohë dhe e dimë që janë humbjet e mëdha financiare, ju lutem tregonani si do t’i mbulojmë këto humbje, pasi raportet janë alarmante. Tregona si do të veprohet për gjithë Kosovën, jo vetëm për veriun, pasi e kemi pa se aty jeni të zot dhe e keni mbulu deri tash”, tha ai.
Ai pati edhe një kërkesë interesante ndaj kryeministrit Kurti, që disa prej ministrave të tij t’i zhvendosë në një tendë (shatorre) në KEK, për prodhimin e më shumë megavatëve.
Haradinaj - Kurtit: Zhvendosi një pjesë të kabinetit tuaj në KEK, pra të ministrave, vendosi një shtatorre dhe të mërrdhijnë
“Njëkohësisht nga përvoja po ju them kryeministër, zhvendosi një pjesë të kabinetit tuaj në KEK, pra të ministrave, vendosi një shtatorre dhe të mërdhijnë këta ministrat e juaj dhe menaxhmenti i KEK-ut, pasi sa megavat më shumë që prodhoni, i bie me ble më pak megavat, aq të shtrenjta që janë sot”, shtoi ai.
Kurti thotë se qytetarët po shpenzojnë shumë rrymë edhe për shkak se është lirë
Kryeministri Albin Kurti tha në Kuvendin e Kosovës se po diskutojnë për ta gjetur një zgjidhje lidhur me krizën e energjisë elektrike, e cila tha se po na troket në derë. Ai tha se qytetarët po shpenzojnë shumë rrymë, edhe për shkakun se ajo është lirë.
Kurti tha se Kosova është e fundit në rajon që po e kaplon kjo krizë. Ai tutje përsëriti se kriza e ka përfshirë gjithë rajonin dhe më gjerë dhe se shtetet po ndërhyjnë në prodhim, konsum dhe tregun e energjisë elektrike.
“Ne në mbledhjen e fundit të qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, mirëpo ne megjithatë jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni ynë, por edhe më gjerë, një pjesë e madhe e kontinentit, ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike. Shtetet po ndërhynë si rrallë më parë në prodhimin, konsumin dhe tregun energjetik. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, për derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 vent për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, tha Kurti.
Ai tha se konsumi i energjisë elektrike ditët e fundit është shumë i madh, ndërsa si faktorë përmendi stinën e dimrit, por tha se kjo po ndodh, ndër tjerash, edhe për shkak se energjia elektrike është lirë në Kosovë.
“Tash kur kërkesa rritet dhe kapacitetet janë të brishta, sigurisht që gjendja rëndohet, por me KEK-un, me KOSTT-in, me ZRRE-në po punojmë ta gjejmë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të kemi edhe furnizim të qëndrueshëm, por edhe ta zbusim krizën energjietike në të cilën nuk ndodhemi vetëm ne”, deklaroi Kurti.
Deputetja e PDK-së: Kryeministri Kurti po bën luftë gjahu ndaj sindikatave
Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar akuza ndaj kryeministrit, Albin Kurti se po bënë luftë gjahu me sindikatat e pavarura. Në seancën plenare, deputetja Eliza Hoxha tha se paaftësia e Qeverisë Kurti për t’i dal në ballë premtimeve që vet i kanë bërë ndaj sindikatave, po i konvertojnë në shantazh dhe kërcënim direkt ndaj tyre.
Ajo i bëri thirrje kreut të qeverisë t’i trajtojë kërkesat sindikatave, pasi për zbatimin e tyre është angazhuar gjatë sa ka qenë në opozitë.
Hoxha: Kryeministri Kurti po bënë luftë gjahu ndaj sindikatave
“Sot zotëri Kurti nuk i pret më as për dialog, as për zotim dhe as për obligim. Në fakt me sindikatat po sjell diçka të re dhe të paprecedent në demokracinë tonë, që është shantazhi, kërcënimi direkt, antiligjor dhe anti kushtetues ndaj tyre. Më duhet të them se është një pamje jo e mirë për demokracinë tonë. Deklarata e kryeministrit se duhet të ishte më mirë ndryshime edhe në përfaqësimet e sindikatave vjen në një kohë kur sindikatat kërkojnë dialog për kërkesat e tyre. Mbase mund të kuptoj se organizimi dhe përfaqësimi sindikal në Kosovë edhe mund të ndryshojë, por kjo është një çështje tjetër dhe një debat i brendshëm i sindikatave. Ajo çfarë deklaron kryeministri, përveç që është ndërhyrje sipas ligjit është edhe degradim i nivelit dhe punëtorëve të cilët sot apo nesër duan t’i kërkojnë të drejtat e tyre përballë qeverisë. Është e papranueshme që paaftësia e kësaj qeverie për t’i dal në ballë premtimeve që vet i ka dhënë ndaj sindikatave të konvertohet sot në gjah kundër tyre”, tha ajo.
***
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të hënën për të diskutuar për një varg çështjesh.
Në seancën plenare, të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë disa projektligje dhe debatojnë për pagat në sektorin publik.
Paraprakisht në rend të ditës janë të zakonshmet, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Kuvendi mban sot seancë, ky është rendi i ditës
Kuvendi i Kosovës sot do të diskutojë për pagat e sektorit publik.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 11:00, ndërkaq në rend të ditës janë 14 pika për diskutim.
Pikat e rendit të ditës:
-Deklarimet jashtë rendit të ditës,
-Pyetjet parlamentare,
-Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
-Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
-Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Amendamentimit nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”,
-Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë,
-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,
-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pijet e forta alkoolike,
-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina,
-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural,
-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,
-Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022,
-Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020,
-Debat parlamentar në lidhje me pagat në sektorin publik.