Aktori dhe shkrimtari Ҫun Lajҫi në një postim të tij në Facebook sërish ka kritikuar liderët shtetërore, duke ua kujtuar të bëmat e Serbisë në Kosovë dhe veprimet e tyre të pasluftës.
Ai thotë se derisa nuk po bëjmë filma për Reçakun, për Izbicën e Mejën për t’i treguar gjithë botës për të bëmat e serbëve, të njëjtën kohë politikanët e Kosovës po blejnë toka lirë, e, edhe ma lire.
Ai nuk la pa përmendur edhe ‘luftën’ ndërmjet Sali Berishës e Lulzim Bashës për selinë e Partisë Demokratike.
Krahas kritikave, shkrimtari Lajҫi ka edhe disa këshilla.
Postimi i plotë:
Ballkan i mjerë!
Sllavët po eçtohen e akullnajat po shkrihen n'veri! N'jug krojet po buçasin. Sërbët po bajnë filma për ne e ne iliro-dardanët, as t'untuem as t'eçtuem, por t'hutuem, po i përcjellim shekujt tue hangër njeni tjetrin.
Si sot si dje, hijena, tue u mundua me ia grabitë kafshatën njeni tjetrit. S'po bajmë filma për Reçakun, për Izbicën e Mejën, por po blejmë toka lirë, e, edhe ma lirë po i vrasim fëmijët tanë!
Po bajmë luftë me konop tue ngreh sa njeni sa tjetri e mezhdat prap s'po lëvizin. Bruxeli prap n'Evropë po rrin e prap n'Ballkan Kosova. Veç Serbia po i afrohet Zveçanit.
Nato i ka hapë krahët, si skyfteri kur frynë erë e madhe, e spo i lëvizë fare veç po kqyrë e po ban seri me rodin e shkjaut e farën e arrnautit!
Duhet me i nda përgjithëmonë këto fara, thashë, po si me i nda shqiptarët prej shqiptarëve? Këtu e kam hallin!
Kullaj asht, foli statuja e Klintonit n'Dardani. Secilit jepjani nga nji flamur! Partitë le ti ndajnë për gjysëm. Kolltuqet përgjysëm. Darsmorët përgjysëm. Secili le t'bahet bajraktar. Veç nusja le të mbetët e pa prekun!
Paske mësua edhe ti nga Ali Binaku, ani se gjumin e ban përtej Oqeanit! Shqiptarët s'mundin pa bajrak i thashë!
Tokat i përmbyti uji n'Fier e Luli me Salihun po e ngrehin konopin: Kush kujt po ia merr Selinë e Partinë n'Tiranë. Po e shajnë Edin që po zgërdhihet, e s'po e shohin vetën para mikrofonit si po çierrën!
Ju kam thanë, veç koha ndryshon; shqiptarët jo. Ata nuk ndrrojnë pse ndrrohet moti. E kanë mbajtë mend fjalën e mbretit! "Rekao je Kralj, kazao je Kralj" (Ka thanë Mbreti, ka kallxua Mbreti), dhe ma nuk duen me mendua se çka po thotë Amerika e çka Bruxeli! Sërbishtën e marrin vesh, se Non Grata s'dinë çka asht! Boll e kan me ditë kush asht Veseljinoviči!
Mirë e ka Imeri, daja im, që thotë mos humb kohë me insanin, se ai asht rob i Zotit. Zoti asht nji dhe atij besoi! Edhe Amerikës.
Po de po! Malësorja s'e pat keq kur i tha çikës: Oj bijë, ishalla martohesh me begun, veç njiherë përnjiherë do magjup po na sillën rreth shtëpisë, me krejt kyvetin që e kan!
Edhe Albini pat qejf me u ba kallauzi i kombit, dietar i madh si Lutheri, m'thotë Imeri i Balidemajve, e foli si Krajli dikur: Na erdhi dita! Ne jemi ma t'mirët. Tjerët janë hajna! E turma brohoriti: Tha Albini, kallxoi Albini, tue harrua se edhe ai asht insan e politika rrenë e kopilhane. Si loja me tri letra: Dy popa e nji kec! Njerëzit u turrën me hangër andej e këndej e ky mbet hu n'gardhin e kalbun! Tashti po thotë jam demokrat, e kurrkush s'po e kundershton, as hajnat e opozitës, pos ky vetvetën! M'thotë Imeri prej Amerikës e mua ma xeherlisë zemrën!
Gjithmonë nusës së bukur në ditën e grave ia venë n'faqe nji pikë t'kuqe, që t'mos merr syshë, si Kosovës fusnotën*
A mos asht dashtë edhe Albinit me ia vu nji shej, që t'mos i turren hajnat e rrjepcat!?
Unë s'po them po as jo, veç po them" Rekao je kralj, kazao je Kralj"