Promovohet libri “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, ndihmesë për studiuesit e politikës
Është promovuar sot libri “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit”, nga autorja Nevenka Tromp, libër ky që flet për një analizë të hollësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Me këtë rast u tha se ky libër është një ndihmë e madhe për të gjithë ata të cilët duan të merren me zhvillime politike.
Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, ka kujtuar përjetimin e tij si banor i Kosovës gjatë kohës së diktatorit serb, Sllobodan Millosheviqit.
Ai tha se do të kishte dashur që kasapi i Ballkanit të mos vdiste pa marrë dnëimin për krimet e kryera në Kosovë.
Demjaha: Ky libër ka një bazë të mirë për hulumtime
“Unë si një banor i Kosovës që ka përjetuar, dhe shumica prej jush, kohën e Millosheviqit qoftë në moshën e hershme qoftë në moshën e mesme tregon që është një ndjenjë e veçantë, ndjenjë e veçantë në kontekst negativ, emocion i vështirë që sa herë na kthen mbrapa na bën që të ndjehemi keq. Kësaj radhe për herë të parë ndoshta unë kisha pas dëshirë që një person i cili është quajtur si kriminel ‘Kasapi i Ballkanit’ të jetë gjallë dhe të shpallet aktakuza dhe dënimi i tij që shumica prej nesh e kanë prit me padurim, dhe në njëfarë mënyre të ndjejë një satisfaksion, një krim nuk mund të shkohet të kalohet pa u dënuar. Unë mendoj që ky libër ka një bagazh fantastik një bazë të mirë për hulumtime të mëtutjeshme për ata që duan të merren me zhvillime politike me një qëllim të vetëm që të mos përsëriten ato krime që kanë ndodhur më parë”, tha rektori.
Kurse autorja e librit, Novena Tromp, tha se janë dashur gjashtë vite punë për të ardhur deri tek promovimi i librit.
Tromp: Ky libër është produkt i një pune shumë të madhe
“Ky libër është produkt i një pune shumë të madhe, gjashtë vite punë në rastin e Millosheviqit, shumë herë duke mos e ditur se as cila ditë e javës është. Kam shkuar në zyre të shtunave dhe të dielave, kam filluar punën në Maj të vitit 2000, ndërsa Millosheviqi vdiq në Mars 2006. Atëbotë, e tërë jeta ime ishte në funksion të të bërit ndryshim, sepse të punuarit në një proces gjyqësor është rast që vjen vetëm njëherë... Unë kam pasur vetëm një rast në jetën time deri tani, të punojë në këtë rast, që të bëjë ndryshim. Unë kam mundur vetëm të marrë pagën time dhe të shkoj në shtëpi, por kam zgjedhur që të ngris zërin, për ata që nuk kanë mundur ta dinë atë që unë kam arritur ta kuptoj, shkaku i pozitës sime, dhe ta ndaj me ju e ta bëjë tuajën. Me momentin që e kam shkruar këtë libër, ai më nuk ka qenë i imi, kam vazhduar tutje, mirëpo duhet të jetë i rëndësishëm për ju”, tha ajo.
Tromp tha se në faqet e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” ka futur të gjitha njohuritë që ka. Derisa theksoi se kishte shkuar në Universitetin shtetëror të Amsterdamit, për të kërkuar nga një kolege e veta, ekpserte e Holokaustit, që të bëhej mbikëqyrëse në mënyrë që libri të ishte sa më i plotë.
Tromp: Millosheviqi shkoi në vetëshkatërrim në Kosovë
“Unë e kam përcjell shndërrimin e tij [Millosheviqit], nga një komunist tek një lider popullist, të cilit filloi t'i pëlqente vëmendja e serbëve të Kosovës, një mënyrë narcistike. Nga një kriminel lufte që ishte deri më 1995, më 1995 ai u bë paqebërës, dhe po të kishte logjikë, ai do të ndalonte aty dhe do të vazhdonte të shtrëngonte duart me presidentët amerikanë, por nga 95-ta, ai shkoi në vetëshkatërrim në Kosovë”, tha Tromp.
Ish-presidenti i Serbisë dhe Republikës Federative të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, i cili njihet edhe si kasapi i Ballkanit, vdiq më 11 mars të vitit 2006 në njësi të paraburgimit të Tribunalit të Hagës.
Ai, akuzohej për krimet që kishte kryer në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Millosheviq është arrestuar me 1 prill të vitit 2001, kurse është depërtuar në Hagë me 28 korrik të atij viti. Vdiq pa u dënuar për krimet e kryera në Kosovë.