(E plotësuar 21:09) -Dështoi votimi i rezolutës për Ligjin e Pagave në Kuvend
Propozimi i Projekt-rezolutës për pagat në sektorin publik, i prezantuar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar i AAK-së, nuk është hedhur në votim, në mungesë të kuorumit.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, iniciues i debatit parlamentar, ka paraqitur propozimin e projekt-rezolutës për pagat në sektorin publik.
“Qeveria e Kosovës sa më parë të sjellë Projektligjin e pagave në sektorin publik për miratim në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që zbatimi të fillojë më 1 mars 2022”, ka thënë ai duke lexuar projekt-rezolutën për pagat në sektorin publik.
Para kësaj, ai adresoi kritika ndaj Qeverisë Kurti për mungesë të vullnetit për miratimin e ligjit të pagave për këtë vit.
“Jam i vetëdijshëm që është një kaos i madh në sektorin e ligjit të pagave. Duhen katër çështje që ju duhet adresuar. Është aspekti i konsultimit politik. E kini konsultimin paraprak që mos të na kthehet ligji në një pakënaqësi sociale. Nën tre, e ki ekspertizën në qeveri dhe atë ndërkombëtare. Nën katër, e kini vendimmarrjen. Ligji është prishur kur është rritur koeficienti me ndikim politik. Ku t’i gjejmë paratë? Ne duhet të zvogëlojmë linjë buxhetore të shtesave, por këtë nevojitet vullnet politik, e vullnet për miratimin e ligjit këtë vit nuk ka qenë”, është shprehur Tahiri.
Kryesuesja e seancës Sarandaj Bogujevci ka thënë se në mungesë të kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 45 deputetë, projekt-rezoluta e propozuar nga GP i AAK-së nuk mund të hidhet në votim dhe se me pikat e mbetura do të vazhdojnë në një seancë tjetër.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, më herët sot gjatë seancës, tha se qeveria do ta hartojë Ligjin për Paga, me të cilin do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave.
Ai tha se nën udhëheqjen e tij janë ulur shpenzimet qeveritare dhe janë rritur të hyrat.
Miratim të Ligjit të Pagave po kërkojnë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe SBASHK-u. Tash e disa javë po vazhdojnë diskutimet e mospajtimet mes sindikatave të Kosovës në njërën anë dhe Qeverisë në tjetrën anë.
Përplasjet e javëve të fundit, vijnë pasi muaj me radhë sindikatat kishin kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti për t’i paraqitur kërkesat e tyre, ndërkaq ky i fundit deklaroi se duhet të ketë edhe ndryshime nëpër sindikata.
***
Mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës, e detyron nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin ta përfundojë seancën.
Deputetja e LVV-së ngritet papritmas në këmbë gjatë fjalimit për Nasim Haradinajn
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Sadiku, është ngritur në këmbë gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, në shenjë nderimi për Nasim Haradinajn dhe për ushtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sadiku tha se është familjare e Haradinajt, teksa atij iu referuar si “i madhi Nasim Haradinaj”.
Më tutje, Sadiku ka bërë thirrje që të punohet për vlerat sublime të UÇK-së dhe që këto vlera të mos kontestohen.
“Respekt si motër e veteranit të vërtetë që i bartë cpirrat e granatës, si familjare e të madhit, Nasim Haradinaj, ne për ata njerëz ngritemi në këmbë. Respekt të pafund. Ato janë vlera sublime që asnjëherë nuk duhet të kontestohen por të punohet shumë për ata njerëz që dhanë edhe pjesë të trupit që ne sot të gëzojmë lirinë”, ka thënë ajo.
Berish ironizon me energjinë elektrike
Hisen Berisha i Partisë Demokratike të Kosovës, ka ironizuar me situatën në të cilën gjendet vendi sa i përket çështjes me energjinë elektrike.
E derisa reduktimet ndodhën edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës parlamentare, deputetët janë duke zhvilluar punimet përmes sistemit me gjenerator.
Megjithatë, me të marrë fjalën, Berisha u përball me një problem me mikrofonin, për të cilin u shpreh se iu ndal përsëri për shkak të rrymës por për të u gjet zgjidhja me gjenerator, e për këtë ai kërkoi që të furnizohen me energji edhe qytetarët.
”Me i lidh edhe qytetarët me qet gjeneratorin tonë, se na si qeveri jemi të socializëm me qytetarë.
A erdh rryma a jo?”, u shpreh tutje Berisha.
Haxhiu: Koha e dehjes politike kaloi
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se punëtorët e sektorit publik po iu dhemb koka nga mashtrimi që sipas tij i ka bërë kryeministri Kurti atyre.
Teksa ka folur në seancën ku po diskutohet për Ligjin për Pagat, Haxhiu ka thënë se kokëdhimja e punëtorëve të sektorit publik, ndalet me veprime konkrete të Qeverisë.
“Koha e dehjes politike të 14 shkurtit ka kaluar, punëtorët shëndetësor, policët, ushtarët e Kosovës, të gjithë punëtorët e sektorit publik po iu dhemb koka nga nga mashtrimi të cilën e kanë përjetuar nga ajo dehje e 14 shkurtit.Ata sot po kërkojnë mbajtjen e premtimeve të cilat ua dhatë atyre e të cilat janë të argumentuara që vet e keni kërkuar sa keni qenë opozitarë. Pra sot po kërkojmë nga ju që të zbatoni atë që e premtuat, e këtë kokëdhimje të punëtorëve shëndetësor të ndalen me veprime konkrete të qeverisë”, ka thënë ai.
***
Reduktimet e energjisë elektrike kanë prekur edhe Kuvendin e Kosovës.
Derisa po vijon debati parlamentar për pagat në sektorin publik, kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka kërkuar pesë minuta pauzë për të kaluar në sistemin e energjisë me gjenerator, pasi tha se do të ndalet energjia elektrike.
Konjufca: Tash do të ndalet rryma, 5 minuta pauzë deri të kthehemi me gjenerator
“Tash do të ndalet rryma, pasi ndalet rryma deri sa të kalojmë në sistemin tjetër me gjenerator, kërkoj pesë minuta pushim dhe kthehemi në seancë prapë”, tha ai.
Për shkak të krizës energjetike në Evropë, javëve të fundit edhe Kosova po përballet me reduktime të ashpra të energjisë.
Ministri Murati dhe Mërgim Lushtaku debatojnë në Kuvend
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe ministri i Financave, Hekuran Murati kanë vendosur që debatin për Ligjin e Pagave në Kuvend ta bëjnë me “mesele”.
Lushtaku iu drejtua Muratit me një mesele nga foltorja e Kuvendit.
“Meqenëse ministri Hekuan Murati ka filluar me tregu mesele po ia filloj edhe unë me një mesele. Po du me tregu një metaforë që lidhet me gjendjen aktuale është kur një pjesë e një xhemati dëshiron me e ndryshu një hoxhë dhe e tregon një parakusht për me u zgjedh imam dhe kishin parakusht me kontrollu motin kur ata dëshironin me ra shi, kur është moti me diell këto kushte duhet me i plotësu imami dhe shumica e imamëve s’kanë ra në ujdi sepse e dijnë se moti është kompetencë e zotit. Një hoxhë pak më i mençur iu drejtua xhematit se po unë e plotësoj këtë parakusht që kur ju të gjithë të bini në ujdi me ra shi edhe unë e bëj lutjen tek zoti”, tha Lushtaku.
Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati ia ktheu njëjtë, duke iu përgjigjur Lushtakut me një tjetër mesele.
“Meqenëse veç kaluam në këtë fushë dhe ma përmendi emrin deputeti Lushtaku edhe unë po e tregoj një mesele. Shkoj njani me nejt te do miq dhe po e pyesin se qysh është e djemt tha shumë të meçëm i kam pse tha, se gjithmonë ia qëllojnë motit, i kam dy djem dhe I pyes se qysh është moti nesër a ka me ra shi, njëri thotë se ka me ra shi, tjetri s’ka me ra shi, kurrë nuk e lajnë pa ia qëllu”, tha Murati.
Bajrami – Kurtit: Përfaqësuesi i sektorit privat për të pestën herë ka kërkuar t’ju takojë, s’e keni pranuar
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësim për sjelljen e Qeverisë karshi përfaqësuesve të sindikatave. Bajrami tha asnjë nga pjesëtarët e Qeverisë nuk e ka pritur në takim për të pestën herë Jusuf Azemin, i cili përfaqëson komplet të punësuarit në sektorin privat.
Ajo tha se diskursi i kryeministrit Kurti dhe pjesëtarëve të Qeverisë karshi sindikatave është i paparanueshëm.
“Diskursi i kryeministrit Kurti dhe pjesëtarëve të Qeverisë karshi sindikatave është i paparanueshëm dhe i befasishëm nga një qeveri e majtë siç jeni ju. Të gjitha qeveritë kanë pasur problem me sindikatat, kemi pas kërcënime të lloj-llojshmë nga sindikatat dhe ka pas edhe greva. Por me gjithë punët që kemi pasur i kemi pritur që të diskutojmë, kemi tregu gjendjen buxhetore dhe në shumicën e rasteve e kanë kuptu një situatë të tillë. Kemi diskutu gjerë e gjatë edhe me sindikatën e punëtorëve të sektorit privat, edhe ai e ka kuptu situatën. E pash në media që z. Jusuf Azemi ka kërku për të pestën herë me u taku me pjesëtarët e qeverisë dhe ai përfaqëson komplet të punësurit në sektorin privat dhe ju nuk keni gjetur kohë asnjë nga pjesëtarët e kabinetit që ta takojë”, tha Bajrami në Kuvend.
Tutje ajo tha se Qeveria është dashur ta sjellë një version të ri të Ligjit për Pagat.
“Nëntë muaj mandat është dashur t’i mjaftojnë qeverisë aktuale të sjellë një version të ri të Ligjit të Pagave. Është e rëndësishme të sjellet një ligj i ri në Kuvend dhe të punohet në bashkëpunim të plotë me sindikatat”, u shpreh ajo.
***
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, lidhur me privatizimin e 200 hektarëve tokë.
Ai në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, tha se kreu qeveritar sa herë po dëshiron të fshehët prej pazotësisë së tij, po tenton të godas për blerjen e 200 hektarëve tokë.
Të njëjtat tha se i ka ri blerë me ligje të Kosovës dhe janë në fshatin e tij, Gllogjan.
Hardinaj: 200 Hektarët i kam ri blerë në Gllogjan me ligje të Kosovës
“Kurti sa herë po dëshiron me u fsheh prej pa zotësisë së tij, po thotë Ramush i ke ble 200 hektarë tokë. Po është e vërtet me ligje të Kosovës, kohë të OKB-së, e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e kam rible tokën e babës dhe është në katundin tim, është në Gllogjan”, shtoi ai.
“Nuk kam parë ndonjëherë një Qeveri më mashtruese se kjo. Ju siguroj se nuk më ka ndodhur me e ul atje e me pa një gjendje si kjo. Thotë kryeministri nuk është urgjencë. O z. Kryeministër mundet që so për ty, e ndoshta ti je komunist don me punu pa parë, por leja atyre të drejtën të flasin për veten. Ato sindikatat që po të vinë te dera. Nashta kryeministri s’ka qejf me pas pronë private, i pengon me qenë prona te njëri e te tjetri. Unë at tokën që e kam ble ka qenë e nacionalizuar, ma ka marr njëherë shteti”, ka thënë ai.
Kurti dhe Haradinaj patën një debat rreth një toke 200 hektarësh që Haradinaj thotë se e ka riblerë në Gllogjan.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka propozuar kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj t’ia kthen shtetit 200 hektarë tokë dhe do t’ia paguajnë 70 mijë euro, aq sa i ka privatizuar.
Kreu qeveritar në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, duke i replikuar deputetit Haradinaj, tha se pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve tokë nuk po janë të sinqertë me kërkesat e tyre.
Kurti: Haradinaj le t’ia kthen shtetit 200 hektarë, e na ja kthejmë 70 mijë euro
“Pronarët e mëdhenj kanë hallë pagat e zjarrfikësve, pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve thonë me ua rritë nja 5% pagat zjarrfikësve. Qe çfarë situate, qysh me besu këtë situatë? A kuptoni, ata të cilët që sillen si sistemin feudal, këqyrin argatët dhe shërbëtorët me iu rritë rrogën pak, po këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave që kanë hallin e shërbyesve civil nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihen, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ja kthejmë 70 mijë euro. Si thoni, le t’ia kthen shtetit 200 hektarë e na ja kthejmë 70 mijë euro”, tha ai.
***
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po mban ligjërata edukuese në Kuvend, por nuk po i zgjidh problemet sa i përket miratimit të Projektligjit për paga.
Duke folur në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, Haradinaj tha se “ligjëratat” e kryeministrit, mund t’i ndihmojnë atij ndonjëherë, por nuk i zgjidhin problemin e mjekëve, policëve dhe mësuesit.
Haradinaj - Kurtit: Po na mban ligjërata edukuese, por nuk po i zgjidhni problemet
“Kryeministri e ka zgjedh një rrugë të një elaborimi, po më pëlqen që po na mban ligjërata këtu, por ju siguroj se këto ligjërata janë edukuese edhe mua më ndihmojnë ndonjëherë, por nuk po i zgjedhin temat dhe problemet. Tani, mjekët, policët, mësuesit dhe kushdo qofshin ata që presin me hy fuqi ky ligj, pesë pare nuk i jepni se çfarë ligjërata më mban ti mua. Ata e kanë dertin dhe të presin ty t’iu tregosh a ke prioritet këtë ligj dhe me çfarë dinamike ke me i rregullu gjithë ato të këqija të ligjit që i paskan bërë këta keq. Kur ki me ja jep ligjin dhe me ia rritë rrogat”, tha ai.
Kurti: Një ligj i dobët i cili më shumë se dobi i bëri dëm shtetit
“[Për miratimin e Ligjit nga Qeveria Haradinaj] Një ligj i dobët i cili më shumë se dobi i bëri dëm shtetit. Thuhej se sistemi i pagave po ndërtohej mbi bazën e barazisë dhe jo diskriminimit, por na ofron një alternativë të mbushur me pabarazi dhe diskriminim. Rriten paga pa pasur rritje ekonomike, rritën paga për pazare politike, aq shumë sa 40 përqind të pozitave nuk e dinin aq sa i kishin klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë të shtetit nuk e gjenin vetën në këtë ligj dhe ata që e gjenin ishin me shumicë të pakënaqur”, shtoi Kurti.
Duke folur për rritjen e pagave, Kurti tha se rritja e ekonomike duhet të reflektohet më shumë në rritjen e punësimit.
Kurti: Rritja ekonomike duhet të reflektohet në rritje të punësimit
“Rritja ekonomike para se gjithash dhe mbi të gjitha duhet të reflektohet në rritje të punësimit. Sindikatat duhet të forcohen t’i mbrojnë interesat e të punësuarve në sektorin publik, por duhet të kenë parasysh të mbrojnë interesat edhe të qytetarëve që paguajnë taksa dhe presin shërbime cilësore, transparencë dhe llogaridhënie për të mbrojtur interesat e shtetit dhe jo ato të grupeve të caktuara”, theksoi ai.
***
Kryeministri Albin Kurti u ka premtuar të punësuarve në sektorin publik se Qeveria që ai udhëheqë do të hartojë Ligjin për Paga, me të cilin ka thënë se do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave.
Ai tha se hartimi i këtij ligji nuk ka qenë i lehtë, teksa tha se Qeveria i ka ulur shpenzimet qeveritare dhe i ka rritur të hyrat.
“Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që ajo që nuk u bë për 22 vite nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për pagat do ta bëjmë, do ta bëjmë ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave. Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ad hoc të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive sipas preferencave dhe lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin ne kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, në një kabinet minimalist. Kemi ulur shpenzimet qeveritare, janë rritur të hyrat”, ka thënë ai.
Më tutje, Kurti tha se me Ligjin e ri, përveç pagës bazë dhe kompensimeve, do të rregullohet dhe përcaktohet edhe çështja e shtesave.
“Tash e 22 vite në Kosovë mospunën e një grupi janë munduar ta fshehin me rekrutime shtesë e shtesa të ndryshme që janë përdorur për të rehatuar miq e familjarë. Me ligjin e ri krahas përcaktimit të pagës bazë, kompensimeve e shpërblimeve do të përcaktohen edhe llojet e shtesave. Duke mos lejuar që dy kolegë në të njëjtën zyre për të njëjtën punë të paguhen ndryshe dhe të marrin shtesa në mënyrë të pajustifikuar”, ka thënë Kurti sot para deputetëve, në seancën ku po diskutohet për pagat në sektorin publik.
LDK kërkon që Projektligji për paga të sillet në Kuvend
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të sjell Projektligjin për paga në Kuvend.
Ai tha se Projektligji ka qenë i gatshëm në ish qeverinë e tij dhe fokus ka qenë parimi i barazisë në paga.
Hoti: Ligji duhet të sillet sa më parë në Kuvend
“Ligji duhet të sillet sa më parë në Kuvend, e para. E dyta duhet të zhvillohet debat me palët që ndikohen nga ky ligj, pra me sindikatat përkatëse, nuk ka palë tjera për debatu. Këto sindikata duhet të binden për trajtimin e drejtë të të gjithë punëtorëve publik, e treta duhet të qartësohen struktura hierarkike e pagave në sektorin publik”, tha ai.
PDK i kërkon Qeverisë Kurti miratimin e Projektligjin për paga
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të miratojë Projektligjin për paga.
Deputeti, Bekim Haxhiu, në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, tha se ekzekutivi duhet të planifikojë përfshirjen e Projektligjit për paga në buxhetin e vitit 2022.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/14/auto_unnamed_71639491760.jpg)
Haxhiu: Zbatoni Ligjin për paga
“Sot po kërkojmë nga ju që të zbatoni atë që e premtuat dhe këto kokëdhimbje të punëtorëve shëndetësor, të policëve, zjarrfikësve, ushtarëve dhe shërbyesve civil të ndalen me veprime konkrete të qeverisë. Ka qenë e lehtë të kritikoni punën e të tjerëve, por tani si qeveritar nuk iu pengon askush dhe keni votat dhe mbështetjen e opozitës të bëni veprimet e duhura në këtë sektor, të miratoni ligjin”, tha ai.
Kusari-Lila: Projektligji për paga nuk duhet të diskutohet nën presion dhe me kushtëzime
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Projektligji për paga nuk duhet të diskutohet nën presion dhe kushtëzime. Ajo ka theksuar se nuk duhet të rrezikohet buxheti i shtetit duke e shndërruar në pengë të pagesave të pagave.
Në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, Kusari-Lila, tha se ish Projektligji i propozuar nga PAN ka qenë një hendek i madh mes sektorit publik dhe privat.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/14/auto_unnamed_61639491503.jpg)
Kusari-Lila: Projektligji për paga nuk duhet të diskutohet nën presion dhe me kushtëzime
“Është domosdoshmëri, ky ligj nuk bënë të diskutohet në presion, nuk bënë të diskutohet në kushtëzime, ky duhet të ketë qasjen gjithëpërfshirëse për gjitha kategoritë në shoqëri. Edhe ata që nuk janë me rroga në sektorin publik. Çka kishte shkaktuar atë botë projektligji i prezantuar nga PAN, një hendek enorm të pagave në sektorin publik dhe sektorit privat. Në vitin 2019 është vlerësuar se paga në sektorin publik ka qenë 42 përqind më e lartë se ajo në sektorin privat”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se kosto e projektligjit prej 90 milionë është e papërballueshme.
Kusari-Lila: Nuk guxojmë të rrezikojmë buxhetin e shtetit duke e shndërruar në pengë të pagesave të pagave
“Nuk guxojmë të rrezikojmë buxhetin e shtetit duke e shndërruar buxhetin në pengë të pagesave të pagave. Kosto prej 90 milionë euro, siç ka qenë e përgatitur në kohën e PAN është e papërballueshme, krijon hendek mes sektorit publik dhe privat dhe sikur të ishte bërë punë e mirë e asaj kohe, sot mbase mund të kishim një draft-ligj që mundemi t’iu referohemi. Por sot puna ka filluar nga zero, dhe si e tillë duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, siç na takon”, shtoi ajo.
AAK kërkon që Projektligji për paga të përfshihet në buxhetin e vitit 2022
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkon që Projektligji për paga të përfshihet në buxhetin e vitit 2022.
Iniciuesi i debatit parlamentar për pagat në sektorit publik, deputeti, Besnik Tahiri, tha se kjo do t’i ndihmonte qeverinë nga presioni i sindikatave, pasi i njëjti do të hynte në fuqi më 1 mars.
Tahiri: Ligji për paga të hyjë në buxhetin për vitin 2020
“Përmes këtij debati dëshirojmë që të dakordohemi të buxhetojmë ligjin e pagave që do të hyjë në fuqi më 1 mars. Amendamentin që e kemi propozuar të gjejë formën të hyjë në buxhet, kjo i ndihmon qeverisë, pasi e ulë edhe presionin e sindikatave”, tha ai.
Tahiri adresoi kritika ndaj ekzekutivit për vonesa në procedimin e ligjit për paga në Kuvend, sipas tij, ekzekutivi po e neglizhon të projektligjin ose janë të pazotë për tu marrë me tema madhore.
Tahiri: Qeveria po e neglizhon ligjin për paga ose janë të pa zotë për t’u marrë me këtë temë
“Ka ndodhur një neglizhencë e cila është ose mungesë e vullnetit politik për të shtyrë përpara këtij projektligj ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe, ose një dëshirë në agjendën legjislative ose planin e qeverisë, pasi s’ka asnjë veprim të deritanishme. Synimin me këtë debat nuk e kemi që të kemi një betejë partiake politike, por qëllimi jonë është fisnik që bashkërisht këtë ligj me shty përpara”, tha ai.
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.
Edhe sot do të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit.
Në seancën që pritet të nisë në orën 14:00 në rend do të jenë pikat e mbetura nga seanca e djeshme.
Pozita dhe opozita janë përplasur dje për sindikatat dhe ccështjen e energjisë elektrike që janë dy temat më aktuale në vend.
Në ndërkohë Kuvendi dje ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare ndërsa mbështetje nga deputetët mori edhe Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.