Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi ka bërë të ditur se në tri ditët e ardhshme situata me energji elektrike do të jetë edhe më rënduar për shkak se, siç theksoi ajo, një bllok i Termocentralit “Kosova B”, detyrimisht është ndaluar për 36 orë.
Ministrja Rizvanolli përveç që tha se vendi është në një situatë të jashtëzakonshme për furnizim me energji elektrike edhe për shkak të importit të shtrenjtë, ajo para komisionit ka folur edhe për gjendjen e ndërmarrjeve publike dhe për rritjen e pagave në sektorin publik, për çka tha se është e pakuptimtë të ngritën pagat për punonjësit e këtij sektori.
Rizvanolli: Në tri ditët e ardhshme situata me energji elektrike do të jetë edhe më rënduar
“Sot është dashur që një bllok i TC ‘Kosova B’, detyrimisht të ndalohet për 36 orë, për disa riparime të cilat duhet të bëhen në këtë kohë. Kështu që në tri ditët e ardhshme, 36 orë prej pritet që situata të jetë edhe më rënduar”, theksoi Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë ka thënë se në dy muajt e fundit importi i energjisë elektrike ka kushtuar mbi 12 milionë euro, ose siç tha ajo, deri në 400 euro është çmimi për një megavat.
Rizvanolli: Situata është e jashtëzakonshme, importi është shtrenjtë
“Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike, është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit është tejet i lartë, është një situatë e jashtëzakonshme. Përderisa në një vit normal, çmimi i energjisë elektrike për 1 megavat orë është rreth 60 euro, sivjet çmimet prej 250 eurosh është katërfishuar, ka raste shpesh që mbërrin deri 400 euro sidomos në orët e ditës kur konsumi është më i lartë”, theksoi ajo.
Derisa Rizvanolli paralajmëroi thellim të krizës me energji elektrike, ajo nuk iu ka garantuar deputetëve se s’do të ketë shtrenjtim të rrymës.
Rizvanolli: Ne si qeveri jemi të përkushtuar të mos ketë rritje të çmimeve, kjo varet nga ZRRE-ja
“Pyetja e juaj ishte a garantoni ju si qeveri se do të ketë furnizim dhe a garantoni ju si qeveri se nuk do të ketë ngritje të çmimeve? Tani ne e dimë shumë mirë gjendjen e kapaciteteve gjeneruese, të cilat i kemi. Ne kemi një termocentral 40-vjeçar dhe një tjetër 60-vjeçar. Është mrekulli në fakt që ne arrijmë të prodhojmë kaq sa prodhojmë me një punë dhe përkushtim të madh të atyre punëtorëve në KEK. Dhe gjithashtu e dimë se kërkesat për energji gjatë dimrit e tejkalon dukshëm mundësitë e prodhimit, që do të thotë se varemi nga importi… Sa i përket rritjes së çmimeve, ZRRE-ja i ka hapur në përputhje me kornizën ligjore, dhe është detyrim i saj që të hap shqyrtimin e jashtëzakonshëm, në raste të tilla kur ka kërkesa dhe ato janë të bazuara. Në këtë rast kërkesat kanë qenë të bazuara, duke qenë se çmimi I energjisë dhe shpenzimet për import janë rritur, janë katër-pesëfishuar. ZRRE-ja sigurisht që bën punën e saj si institucion i pavarur, mirëpo ne si qeveri jemi në kontakt të vazhdueshëm për të parë rezultat e analizave që do t’i bëj ZRRE-ja dhe për t’i parë rekomandimet dhe vendimet që do t’i jep ZRRE-ja. Dhe ne si qeveri do të bëjmë maksimumin që të mos ketë rritje të çmimeve, sidomos për familjet e varfra”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, deputeti nga VV Armend Muja ka paralajmëruar proces hetimor ndaj kompanisë distribuive KEDS për investimet dhe fitimin e pastër të realizuar prej 150 milionë euro për një dekadë.
Muja: Do të bëjmë një proces hetimor ndaj KEDS-it
“Ky është një shqetësim besoj kombëtar marrë parasysh që ky rrjet I shpërndarjes është privatizuar për 24 milionë euro, ndërkohë që kompania në një dekadë ka realizuar 150 milionë euro neto fitim. Për mua është totalisht e papranueshme dhe do të lansojmë një proces hetimor, dhe të shohim se çka ka ndodhur në gjithë këtë problem”, theksoi Muja.
Përveç rrymës, ministrja Rizvanolli ka folur edhe për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e pagave, e cila tha se në sektorin publik nuk ka kuptim të rriten pagat.
Rizvanolli: Në sektorin publik nuk ka kuptim të rriten pagat
“Në sektorin publik nuk ka kuptim të rriten pagat, duke qenë se veç janë 25 përqind më të larta se sa në sektorin privat. Sektori publik punon në kushte të punës shumë më të mira dhe me produktivitet e orë të punës me të ulëta, ndërsa në sektorin privat absolutisht se duhet të rritet paga minimale dhe kjo do të bëhet, por që kërkon ndryshime legjislative që marrin kohë, e kur do të bëhet kjo saktësisht këtë mund t’iu tregoj ministri i Financave”, theksoi Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli nuk ka dashur të flas në prani të mediave për pagesat e rrymës në veri dhe për mundësinë e krijimit të infrastrukturës për faturim në atë pjesë.