Ka muaj që bota nisi ta ndiej një krizë energjetike, alarmi i kuq u ndez në shumë shtete, e qytetarët zunë të panikoseshin. Por, ama Kosova si shtet i vogël e me një ekonomi jo fort të qëndrueshme e ndjeu krizën deri në “palcë”. Përderisa vendet e rajonit nisën të hartonin strategji konkrete për përballjen me këtë gjë dhe me evitimin e pasojave, në Kosovë as edhe një hap konkret nuk u mor.
Krejt çka pamë si fakt para vetës na doli një deklaratë e ministres kosovare të Ekonomisë, Artanë Rizvanolli e cila luti qytetarët që “të mos ngrohen me energji elektrike”.
“Sa më shumë që importojmë kjo do të reflektohet në tarifa gjatë vitit vijues. Të kursejmë energji, gjatë viti tjetër do të ketë ndikim, tarifat rishikohen në prill, t’i ikim ngrohjes me energji gjatë këtij dimri”, u shpreh ajo.
Por, sot jo larg prej asaj kohe pikërisht kjo ministre akoma pa shpalosur një plan përballje me krizën, po bën thirrje për kursim të energjisë. Tash kërkesa është edhe më absurde, qytetarët luten të largojnë nga rryma edhe “joysticks” për playstation.
E situata po bëhet edhe më e rënde. Shtrenjtimi i rrymës për 4 fish më shumë po ia pamundëson Kosovës blerën e energjisë nga jashtë, kurse prodhimi i brendshëm më nuk është i mjaftueshëm për konsumin e shtuar gjatë stinës së dimrit.
Se gjendja është alarmante e ka paralajmëruar vetë Rizvanolli e cila ka thënë se për shkak të kërkesave të rritura për energji dhe çmimeve të larta të importit Kosova është gjendje të jashtëzakonshme.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Kështu me orë të tëra në kryeqytet lagje me lagje me radhë po mbesin pa rrymë, dhe jo vetëm ata po vuajnë edhe për ngrohje.
E kriza energjetike ka shkuar deri në atë pikë që tash po vërehet edhe në daljen jashtë nga prodhimi i Blloqeve të Termocentralit “Kosova B2” e B1. Kurse këtë gjë ministrja Rizvaolli e ka konsideruar si të qëllimshme duke thënë se dikujt i konvenon kjo gjë.
“Dikujt i konvenon që blloku të ndalët për shkak te lëndës së parë, përflitet që ka pasë raste që i kanë ndal blloqet. Kjo si gabim me qëllim. Kemi pas një dyshim që një gjë e tillë të ketë ndodhur edhe gjatë verës”, tha ajo.