Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të zyrës së kryeministrit Albin Kurti në një darkë, ku sipas fakturës së siguruar nga Kallxo.com, në këtë darkë u shpenzuan hiç më pak se 375 euro.
Kryeziu tregoi se ishte darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palme, përcjell "Bota sot".
Zëdhënësi i qeverisë përmendi edhe pjesëmarrësit e kësaj darke.
Postimi i plotë
Në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike me numër protokolli 2726, mediumit Kallxo i janë dërguar faturat e shpenzimeve për dreka zyrtare të kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Për të dhënë kontekstin e munguar në artikullin mbi atë shpenzim (375€), njoftojmë se darka e datës 31 maj 2021, ishte darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.
Në këtë darkë pune ishin të pranishëm:
1. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák
2. Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Mattheë Palmer
3. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani
4. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti
5. Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
6. Zëvendëskryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, njëherit Minsitre e Jashtme, Donika Gërvalla
7. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett
8. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Tomáš Szunyog
Edhe pse nuk ka kërkuar informata shtesë lidhur me darkën e përmendur në artikull, Zyra e Kryeministrit ia ka dërguar këtij mediumi në fjalë informatën si më lartë.