(E plotësuar 12:26) - Pendarovski në Qeveri, takohet me Kurtin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Takimi është zhvilluar me dyert të mbyllura.
Pendarovski ështa takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Përderisa në mëngjes është pritur me ceremoni nga presidentja Vjosa Osmani.
***
Kryetari Glauk Konjufca priti në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët e Kabinetit dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu, priti sot në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Takimi me presidentin maqedonas, në të cilin u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen reciproke në rrugën e integrimit evropian, u karakterizua nga një frymë e pajtimit të plotë mbi interesat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu u vlerësuan të mira marrëdhëniet e deritashme bilaterale dhe u ritheksua gatishmëria për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve miqësore.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, falënderoi presidentin Pendarovski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në proceset eurointegruese të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, por edhe në sfera të tjera me interes të ndërsjellë, duke konsideruar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje i kontribuon zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.
Nga ana e tij, presidenti Pendarovski konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij për liberalizimin e vizave, rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përderisa shfaqi rezerva për nisma rajonale, duke u shprehur se “Ballkani i Hapur” mund të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë.
***
Pendarovski dyshon te “Ballkani i Hapur” pa krejt vendet, Osmani dyshon te qëllimet e Serbisë
Dy homologët fqinj, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ajo e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët dolën me qëndrime të përbashkëta për synimet që kanë drejt së ardhmes dhe bashkëpunimit.
Por, ata u ndanë në pikëpamje kur u pyetën për iniciativën “Ballkani i Hapur” ku Maqedonia e Veriut është e përfshirë bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë.
Pendarovski tha se në fillim e kishte marrë me rezerva këtë iniciativë, por se tanimë e sheh si një aspekt të Procesit të Berlinit, për të cilin tha se është pozitiv për vendin e tij.
Megjithatë, Pendarovski nuk është i kënaqur dhe as shumë optimist se kjo iniciativë do të prodhojë sukses pa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Isha politikani i parë që kam shprehur rezerva për këtë. Kësaj iniciative i mungon diçka sepse në vend se të marrin pjesë krejt shtetet nga Ballkani Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma. Derisa kjo iniciativë s’i përfshinë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kjo s’do të ketë sukses dhe qëndrimi im dhe i shtetit tim është se “Ballkani i Hapur” mund të jetë vetëm një nga instrumentet për përmirësim të bashkëpunimit rajonal, ekonomik dhe tregtar dhe jo politik. Mund të trajtohet kështu dhe kështu do të trajtohet. Do të jetë vetëm një aspekt i Procesit të Berlinit me tendenca që të zgjerohet”.
Nga ana tjetër, Osmani tha se iniciativa u nis keq në Novi Sad dhe se aspak nuk është në interes të Kosovës.
“Kjo iniciativë nuk është ndërtuar në parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor që ndër të tjera kanë të bëjnë me gjithëpërfshirjen dhe e dyta nuk e pranon parimin e barabartësisë. Pra, të trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe s’është e gatshme ta trajtojë në mënyrë të barabartë si shtetet tjera”.
Osmani tha se Kosova është dyshuese edhe e qëllimeve dhe se e marrin me rezerva edhe në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.
“Ne e shohim që Serbia dëshiron ta trajtojë këtë si ekspansion të interesave të saj hegjemoniste që këto ditë po quhen në togfjalëshin “bota serbe”.
Presidenti Pendarovski: Mbështesim dialogun dhe aspiratat e Kosovës për në NATO
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se mbështesin Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në NATO.
Ai këto deklarime i ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit që kanë pasur.
Ai ka thënë se Kosova dhe Maqedonia Veriore janë vende mike dhe duhet të bashkëpunojnë.
Pendarovski tha se u bisedua edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se e mbështesin.
“Maqedonia e Veriut dhe Kosova si fqinjë natyrisht do të bashkëpunojnë. Jemi dy vende mike dhe duhet të përforcojmë bashkëpunimin bilateral. Para pak kohe u mbajt dhe mbledhja e dy qeverive në Shkup dhe u nënshkruan 11 marrëveshje. Maqedonia Veriore mbështet aspiratat e Kosovës për integrim në NATO. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë që të kemi një rajon të zhvilluar dhe e mbështesim Kosovën në iniciativa rajonale. Ne sot diskutuam edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe e mbështesim këtë dialogë”, tha Pendarovski.
Osmani e pret me ceremoni shtetërore presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski
Me ceremoni shtetërore, Osmani priti në vizitë Pendarovskin
Me nderime të larta shtetërore presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka. Pritur në vizitë zyrtare presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pas takimit bilateral të dy presidentët do dalin në një konferencë të përbashkët për medie.
Ndërsa, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në orën 11:00 do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ende nuk dihet nëse Pendarovski a do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kjo është vizita e parë në Kosovë e presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski pasi ka marr postin në vitin 2019.
Për qarkullim të automjeteve janë bllokuar hyrjet por edhe disa rrugë të kryeqytetit.
***
Presidentja Vjosa Osmani, e ka pritur me ceremoni shtetërore presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Të dy do të zhvillojnë takim në zyrën e të parës së shtetit, për të mbajtur më pas një konferencë për medie.
Pendarovski do të pritet në takim edhe nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca.
Kjo është vizita e parë e Pendarovskit në Kosovë që nga marrja e detyrës më 2019.
Pendarovski sot viziton Kosovën
Presidenti i Maqedonisë Veriore Stevo Pendarovski sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani.
Sipas agjendës, në orën 09:00, Osmani do ta presë Pendarovski me ceremonitë më të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Në fund të takimit do të mbajnë konferencë për media.
Këtë e kanë bërë të ditur Zyra e informacionit pranë Presidencës.