(E plotësuar 19:59) - Pallaska në Hagë: Prokuroria po vepron sikur kjo gjykatë nuk i përket Kosovës
Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në procesin gjyqësor në Hagë, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po sillet sikur Gjykata Speciale nuk i përket Kosovës.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Pallaska ka thënë se të dyshuarit kanë të drejtë të bëjnë mocion për përfundimin e hetimeve nëse aktakuza nuk dorëzohet brenda një kohe të caktuar.
“Ne e kuptojmë që prokuroria vepron dhe sillet sikur kjo gjykatë nuk i përket Kosovës por teksti sipas rregullës 47 është shumë i qartë, ai kërkon, i jep të drejtë të dyshuarve që të bëjnë mocion për përfundimin e hetimeve nëse aktakuza nuk dorëzohet brenda një kohe të caktuar. Ajo që përmendi zotëri Kehoe, në parashtrimet e tij të mëparshme, është një nga parakushtet për ta marrë vendimin lidhur me këtë ka të bëjë me përcaktimin e kohës se kur duhet të mbarojë hetimi, dhe faktikisht hetimet kanë filluar përpara se të vendosej ligji të miratohej ligji dhe përpara se të krijohej kjo gjykatë”.
“Filloi me hetimet e zotëri Willamson dhe pastaj të bëhen procedurat penale dhe hetimore, por ne ende nuk kemi se cili është akti procedural që ka përcaktuar se kur kanë filluar hetimet, duam ta dimë në emër të klientit tonë kur është përmendur klienti ynë në atë vendim, kur është përcaktuar ai si person i dyshuar dhe pastaj në bazë të kësaj duhet të përcaktohet koha se kur është dorëzuar aktakuza dhe kur duhet të përfundojnë hetimet”, ka thënë Pallaska.
Avokati i Kadri Veselit: Dosja gjyqësore është dy herë më e madhe se ajo ndaj Millosheviqit
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson, deklaroi se dosja gjyqësore e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara është dy herë më e madhe se ajo në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit.
Ai kërkoi që të mos ketë vonesa të afateve gjyqësore dhe pyeti se sa kohë do të duhet për të filluar dhe përfunduar ky gjyq, përfundimisht, meqë prokuroria pohoi që ka nevojë për 300 dëshmitarë dhe se kjo periudhë do të kërkojë tre vjet gjyq, e që sipas tij, e gjithë kjo është krejt në shproporcion, krahasuar me gjyqin kundër Millosheviqit.
“Është dy herë më e gjatë sesa dosja paragjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, i cili kishte të bënte me konfliktet në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, gjatë një periudhe 10-vjeçare.Dhe është tri herë më e gjatë se dosja paragjyqësore në çështjen për gjenocid kundër Karaxhiqit për masakrën e Srebrenicës dhe një numër të krimeve kundër njerëzimit, të bëra kundër popullatës myslimane në Bosnje”, u shpreh ai.
Mbrojtja me ankesa ndaj ZPS-së sa i përket nxjerrjes së materialeve
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ankua se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk po respekton afatet sa i përket nxjerrjes së materialeve, qoftë atyre provuese apo shfajësuese. Po ashtu, avokatët mbrojtës patën edhe ankesa lidhur me materialet që lidhen me dëshmitarët që Prokuroria mëton të ftojë në gjykim.
Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë më 15 dhjetor po mbahet konferenca e tetë statusore ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në konferencën e tetë statusore, të akuzuarit nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.
Avokati Veselit, Ben Emmerson tha se deri më tani mbrojtja ka marrë 13,800 prova dhe më shumë se 11,000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve të 23 korrikut të këtij viti.
"Ky volum rritet gjithmonë para konferencave të ecurisë së çështjes. Sa ka materiale të tjera ka për t’u dhënë, që të kemi një ide se sa duhet të presim. A do të marrin një volum të madh të materialeve në janar?", pyeti ai.
"Besoj që ndoshta do të na duhet shumë kohë në vitin e ardhshëm, vetëm për të lexuar një pjesë të materialeve", tha mbrojtësi i Veselit.
Avokati i Selimit, David Young tha se ZPS-ja po vazhdon që të dërgojë materiale për dëshmitarët, por nuk po tregon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitarë. Deri më tani, mbrojtja, tha ai, ka pranuar mbi 200 pako materialesh për dëshmitarët.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se sistemi 'legal workflow', ku ZPS-ja ndan me mbrojtjen provat që ka, nuk po funksionon si duhet.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së po ashtu thanë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vendosur që të mos përdor rreth 30,000 materiale, që fillimisht kishte thënë se janë materiale provuese, që avokatët do të mund të përdornin për të përgatitur mbrojtjen për klientët e tyre.
Po ashtu, mbrojtja u ankua për vonesa nga Prokuroria sa i përket nxjerrjes së materialeve shfajësuese.
“Ne i dimë që i kanë materialet shfajësuese, ne e dimë që i kanë nga burimet kompetente. Kur do t’i vijë fundi kësaj procedure sepse kështu po shtyhet procesi”, tha avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.
Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftuan se besojnë që deri në afatin e 31 janarit të vitit të ardhshëm për nxjerrjen e materialeve. ZPS-ja tha se nga 11,300 materiale, 545 ende nuk janë përkthyer në shqip. Po ashtu, kjo zyre tha se po punon në krijimin e entiteteve për dëshmitarët e mbrojtur. Mbrojtja e mirëpriti krijimin e entiteteve apo rubrikave për informacionet rreth dëshmitarëve.
Thaçi mbetet në paraburgim
Në fillim të konferencës, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se pavarësisht se sot gjykata mori vendim për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, mbrojtja do ta apelojë vendimin. Por, për shkak të festave të fundvitit, ai kërkoi që të shtyhen afatet e apelimit.
“Nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo gjykatë jo”, tha ai, duke shtuar ata do të respektonin kushtet e lirimit nga paraburgimi dhe kërkoi seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet se pse të pandehurit mbahen në paraburgim për një vit dhe për dilemat që ka Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me Policinë e Kosovës, e cila do të ishte përgjegjëse për sigurinë e të pandehurve nëse ata do të ktheheshin në Kosovë.
Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Avokati i Veselit: Mbrojtja ka marrë 13,800 prova
Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë po mbahet konferenca e tetë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në konferencën statusore që po mbahet më 15 dhjetor, të pandehurit nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.
Në fillim të konferencës, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se pavarësisht se sot gjykata mori vendim për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, mbrojtja do ta apelojë vendimin. Por, për shkak të festave të fundvitit, ai kërkoi që të shtyhen afatet e apelimit.
“Nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo gjykatë jo”, tha ai, duke shtuar ata do të respektonin kushtet e lirimit nga paraburgimi dhe kërkoi seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet se pse të pandehurit mbahen në paraburgim për një vit dhe për dilemat që ka Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me Policinë e Kosovës, e cila do të ishte përgjegjëse për sigurinë e të pandehurve nëse ata do të ktheheshin në Kosovë.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftuan se besojnë që deri në afatin e 31 janarit të vitit të ardhshëm për nxjerrjen e materialeve. ZPS-ja tha se nga 11,300 materiale, 545 ende nuk janë përkthyer në shqip. Po ashtu, kjo zyre tha se po punon në krijimin e entiteteve për dëshmitarët e mbrojtur. Mbrojtja e mirëpriti krijimin e entiteteve apo rubrikave për informacionet rreth dëshmitarëve.
Ndërkaq, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se deri më tani mbrojtja ka marrë 13,800 prova dhe më shumë se 11,000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve të 23 korrikut të këtij viti.
"Ky volum rritet gjithmonë para konferencave të ecurisë së çështjes. Sa ka materiale të tjera ka për t’u dhënë, që të kemi një ide se sa duhet të presim. A do të marrin një volum të madh të materialeve në janar?", pyeti ai.
"Besoj që ndoshta do të na duhet shumë kohë në vitin e ardhshëm, vetëm për të lexuar një pjesë të materialeve", tha mbrojtësi i Veselit.
Avokati i Selimit, David Young tha se ZPS-ja po vazhdon që të dërgojë materiale për dëshmitarët, por nuk po tregon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitarë. Deri më tani, mbrojtja, tha ai, ka pranuar mbi 200 pako materialesh për dëshmitarët.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se sistemi 'legal workflow', ku ZPS-ja ndan me mbrojtjen provat që ka, nuk po funksionon si duhet.
Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.
Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit
Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.
Këtë e bëri të ditur sot në seancë, avokati i Thaçit, Gregory Keohe
“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite, dhe kjo do ta apelohet”, tha ai.
Kësisoj, gjykata me kërkesë të avokatëve ka marrë vendim që të zgjatet afati edhe për rishikimin tjetër të paraburgimit.
***
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka pasur mjaft kritika ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar sa i përket mospranimit të garancës së policisë së Kosovës për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve.
Kehoe u shpreh se duhet të ndodh një debat lidhur me dyshimet që i ka Prokuroria sa i përket garancës së policisë dhe lirimit me kusht të tyre.
“Unë nuk ju kërkojë të ndryshoni urdhërin që keni lëshuar, por unë po ju kërkoj, po them se asnjë shqiptar nga Kosova nuk është liruar nga kjo gjykatë, më herët ka ndodhur. Pse? Nuk paska asnjë kusht që garanton që këta individë do të paraqiten në gjykatë në kohën e duhur dhe se do të respektojnë çdo vendim tuajin. Kjo procedurë duhet të shqyrtohet, pra me debat të hapur, të shohim se cilat janë rezervat që ka prokuoria mbi policinë e Kosovës, pra ne kërkojmë seancë dëgjimorë që t’i dëgjojmë se pse këta burra po e presin gjykimin ktu dhe të merremi me kushtet e vendosura.”, tha ai.
Kehoe u shpreh se nuk duhet të vazhdohet me komente të Prokurorisë sipas së cilave policisë së Kosovës nuk mund t’i zihet besë.
“Të mos vazhdojmë me këto komente të maskuara të Prokurorisë së kinse policisë së Kosovës nuk mund t’i zihet besë. Ne duhet t’iu bëjmë pyetje këtyre personave se do t’i respektojnë vendimet e Gjykatës. Marrë parasysh afatet e ngushta kur ne do të dalim para jush, duam që të zhvillojmë atë se çfarë do të bëjmë nesër, të flasim hapur, të mos flasim në bazë të gjërave të okupuara.”, tha Kehoe.
Seanca dëgjimore ndaj Thaçit dhe të tjerëve po vazhdon të mbahet dhe mendohet se është e fundit për këtë vit.
Nis konferenca për ecurinë e çështjes Hashim Thaçi dhe të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po mbahet konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Lajmi është bërë i ditur në faqen e Dhomave të Specializuara, ku njoftohet se konferenca do të mbahet në orën 14:30.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Në aktakuzën e konfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, thuhet se në nga viti 1994 anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së kanë marrë përgjegjësinë për miratimin, legjitimitetin dhe inkurajimin e sulmeve dhe vrasjen e kundërshtarëve të tyre.
Specifikisht aktakuza nuk përmend emra. Por, thuhet se kanë kërcënuar kundërshtarët e tjerë (të cilët nuk dihet kush janë), do t’i presë i njëjti fat, shkruan Express. Kjo sepse, sipas aktakuzës, kundërshtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së identifikuan disa persona si ‘tradhëtar’ dhe ‘kolaboracionist’ të trajtohen pa mëshirë. Kështu thuhet në pikën 36 të aktakuzës.
“36. Nga viti 1994 e tutje, gjatë gjithë periudhës së akuzës, deklarata të ndryshme publike të Shtabit të Përgjithshëm morën përgjegjësinë për miratimin, legjitimitetin dhe inkurajimin e sulmeve dhe vrasjen e kundërshtarëve dhe kërcënimin në mënyrë të qartë të tjerët kundërshtarë me të njëjtin fat. Kundërshtarët u deklaruan si ‘tradhtarë’ dhe ‘kolaboracionist’ të ‘ndëshkohen’ dhe të trajtohen ‘pa mëshirë’. Njëkohësisht, përmes deklaratave dhe veprimeve publike në terren, përfshirë kërcënimin, poshtërimin, dhe largimin, duke përfshirë vrasjen e kundërshtarëve, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm u përpoqën të pozicionohen si zëri i vetëm i ligjshëm dhe përfaqësues dhe populli shqiptar i Kosovës”.
Në vazhdimësi të aktakuzës, në pikën 37 të saj përmendet se bashkëpuntorët e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, të cilët kishin role kryesore në UÇK, të cilët ishin të përfshirë në strukturat e policisë dhe inteligjencës ushtarake, sipas aktakuzës, kanë identifikuar dhe targetuar kundërshtarët e tyre duke i rrëmbyër, keqtrajtuar dhe marrë në pyetje, shkruan Express.
“37. Anëtarët e JCE duke përfshirë ata që janë të lidhur ngushtë me Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup KRASNIQI, mbajtën role kryesore në UÇK, dhe më pas strukturat e PGoK. Anëtarët e JCE, duke përfshirë edhe ata në strukturat e policisë dhe inteligjencës ushtarake, kanë identifikuar dhe targetuar kundërshtarët duke kryer vepra, rrëmbim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim. Të paktën nga Prilli 1998, kanë vazhduar gjatë gjithë periudhës së akuzës, anëtarët e UÇK-së kanë operuar duke arrestuar qindra kundërshtarë, janë keqtrajtuan dhe / ose u vrarë nga Anëtarët e JCE”, thuhet në aktakuzë.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po akuzohen se kanë kryer edhe vrasje, tortura, abuzime dhe zhdukjen me forcë të personave.
Në aktakuzën e konfirmuar nga Gjykata Speciale thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi zhvilluan fushata të persekutimit kundër kundërshtarëve në komunat e shumta të Kosovës dhe në rrethet e Kukësit dhe Hasit në veri të Shqipërisë.
Thuhet se përndjekja u krye në baza politike dhe etnike, shkruan Gazeta Express. Ata thuhet se kanë kryer arrestime dhe ndalime të paligjshme arbitrare, zhdukja me forcë e personave, kushtet çnjerëzore në vendet e paraburgimit, abuzimi fizik dhe psikologjik.
Po ashtu thuhet se kanë bërë tortura, vrasje, kërcënime dhe ngacmime.
Në aktakuzën e publikuar nga Specialja, pika 173 tregon specifikisht për krimet individuale për të cilat akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi:
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë individualisht përgjegjës për krimet si:
Pika 1: PËRNDJEKJE në baza politike dhe etnike, krime kunër njerëzimit, të dënueshme sipas neneve 13 (1) (h), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit
Pika 2: BURGIM, një krim kundër njerëzimi, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjjit.
Pika 3: ARRESTIM ILEGAL DHE NDALIM ARBITRAR, një krim lufte, i dënueshëm sipas Neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.
Pika 4: VEPRIME TË TJERA ÇNJERËZORE, një krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas Neneve 13 (1)(j), 16(1)(a) dhe 16 (1)(c) të Ligjit.
Pika 5: TRAJTIM MIZOR, një krim lufte i dënueshëm sipas Neneve 14(1)(c)(1), 16 (1)(a) dhe 16 (1)(c) të Ligjit;
Pika 6: TORTURË, një krim lufte, i dënueshëm sipas Neneve 13(1)(f), 16(1)(a) and 16 (1)(c) të Ligjit;
Pika 7:TORTURË, një krim lufte, i dënueshëm sipas Neneve 14(1)(c)(1) 16(1)(a) and 16(1)(c) të Ligjit;
Pika 8: VRASJE, një krim kundër njerëzimit, i denueshëm sipas Neneve 13(1)(a), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit;
Pika 9: VRASJE, një krim lufte, i dënueshëm sipas Neneve 14 (1)(c)(i), 16(1)(a) dhe 16 (1)(c) të Ligjit, dhe
Pika 10: ZHDUKJE E PERSONAVE, një krim kundër njerëzimit, i denueshëm sipas Neneve 13(1)(i), 16(1)(a) dhe 16 (1)(c) të Ligjit.