Kosova në krizë, Kurti: Qeveria do ta mbulojë furnizimin me energji elektrike

Aktuale

Kosova në krizë, Kurti: Qeveria do ta mbulojë furnizimin me energji elektrike

Nga: Bota sot Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 16:50
Konferenca e kryeministrit Albin Kurti

(E plotësuar 19:17) - Ministrja e Eknomisë, Artane Rizvanolli nuk ka dashur të tregojë para mediave se me çka ngrohet ajo në banesën e saj.

Rizvanolli gjatë konferencës për media tha se ky nivel i tillë diskutimi nuk i kontribuon shumë kësaj çështje.

Ajo tha se nuk është e rëndësishme me çka ngrohet por sipas saj e rëndësishme është që të kursehet energjia elektrike.

“Mendoj që një nivel i tillë diskutimi nuk i kontribuon shumë kësaj çështje. Nuk është më rëndësi me çka ngrohemi është më rëndësi që ta kursejmë energjinë. Çka kam thënë dhe vazhdoj të them është që nëse keni mundësi të tjera mos e përdorni energjinë elektrike. Jemi duke folur për ata që nuk kanë mundësi të tjera, por ka shumë familje që kanë mundësi të ngrohen në forma të tjera por e shfrytëzojnë rrymën vetëm pse është më lehtë”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli: Sot ka qenë dita më e vështirë sa i përket energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kursejnë energjinë elektrike derisa vendi po përballet me krizë.

Ajo ka thënë se si ministri janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e veçanërisht me atë të Shqipërisë për të kërkuar mbështetje.

“Aktualisht jemi duke prodhuar 400 megavat orë energji nga një mijë e 200 që është kërkesa ditore. Dita e sotme ka qenë më e vështira në këtë krizë energjetike deri më tani dhe shpresoj që të mbetet më e vështira”, është shprehur Rizvanolli.

“Fushata e informimit dhe këshillat për kursim kanë filluar të kenë efekt të dukshëm. Fushata ka pasë sukses dhe për këtë i falënderoj qytetarët për hapat e duhur për të minimizuar konsumin e energjisë dhe duke e zhvendosur nga dita në gjatë natës”.

“Inkurajoj të gjithë qytetarët, institucionet, ndërmarrjet publike që t’i ndërmarrin të gjitha masat për kursim të energjisë dhe ta zhvendosin konsumin nga dita në natë, veçanërisht pas mesnatës kur edhe çmimi i importit të energjisë është më i lirë”.

Qeveria kërkon miratimin e presidentes për një kredi lidhur me krizën elektrike

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot për të kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes për një kredi.

Këtë lajm e dha sot në konferencë për media kryeministri Albin Kurti, i cili tha se kriza energjetike është bërë e papërballueshme.

“Nga mbledhja me korrespodencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, posa e miratuam vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it pra dhe KFW-së për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit”, deklaroi Kurti.

Kurti paraprakisht ka njoftuar se Qeveria do ta ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë elektrike, çmimet e së cilës në bursë janë rritur jashtë normales.

Kurti fajëson qeveritë e kaluara për krizën energjetike: Shtetin e kemi gjetur për toke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë folur për krizën energjetike në vend.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se termocentralet që Kosova ka e kanë të pamundur të mbulojnë të gjithë kërkesën për furnizim me energji elektrike, andaj edhe jemi të varur nga importi i energjisë.

Por, ai ka thënë se çmimi i importit të energjisë elektrike është ngritur, andaj kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.

“Importi i energjisë elektrike po bëhet me çmime më të mëdha se normalja, pra po paguhet me çmim 7-fish më të shtrenjtë se më parë, andaj kjo pritet të ndikojë edhe në çmimin e energjisë së shfrytëzuar nga qytetarët. Duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera, Qeveria do të ndërmarrë hapat e duhur për të ndihmuar krizën që mund të kaplojë vendin.  Unë mund të marr masa të ndryshme për të kaluar krizën energjetike, edhe ju mund të ndihmoni në këtë aspekt, duke kursyer sa më shumë energji elektrike. Hapi i parë do të ndërmirret në fillim të vitit 2022”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka kritikuar edhe një herë Qeveritë e mëparshme për situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Shtetin e kemi gjetur për toke, por do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë e kemi të trashëguar, andaj ata që na kan sjellur në këtë pikë le të na kursejnë nga leksionet, e le të skuqen me situatën ku na kanë sjellur”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga opozita për refuzimin e projektit të gaz-sjellësit amerikan, për të cilin kanë thënë se do të zgjidhte krizën energjetike. 

Kurti: Qeveria do ta mbulojë furnizimin me energji elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur një konferencë për medie, në lidhje me krizën energjetike që ka përfshirë Kosovën.

Ai ka thënë se kjo krizë ka prekur edhe vendet e rajonit, dhe si e tillë ka përfshirë Kosovën, teksa ka thënë se Qeveria do të ndaj shumën për mbulimin e importeve në mënyrë që të ruhet furnizimi me energji elektrike.

“Kriza energjetike që po prek vendet e rajonit ka arritur edhe në mesin tonë.

“Ne kemi pasur fatin të mbulojmë ndërmjet termocentraleve kosova A dhe B. Në periudhën e dimrit rritet kërkesa shkaku i ngrohjes.  Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur. Dy blloqe të Kosova B i kemi jashtë funksionit. Kjo ka rritur kërkesën për importe. Energjinë e kemi 390 megavate prej 3 blloqeve të Kosovës A. Deri më tani këto ndërmarrje bartin barrën e krizës energjetike. Qeveria do të ndaj shumën për mbulimin e importeve dhe të ruajmë furnizimin. Përderisa unë mund të marrë masa atë përkohshme jam i varur nga përfshirja e gjithsecilit”, ka thënë Kurti.

***

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të mbajë sot një konferencë për media së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Konferenca do të mbahet nga ora 18:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mban konferencë për media”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Pritet që ata të diskutojnë mbi krizën energjetike në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat