​Miratohet buxheti për vitin 2022

Aktuale

​Miratohet buxheti për vitin 2022

Nga: Bota sot Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 12:24
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 21:24) - ​Miratohet në parim projektligji për inspektimet

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e mbetur në gjysmë, ku u shqyrtua dhe miratua për herë të parë projektligji për inspektimet. Ky projektligj u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, i cili tha se derisa VV thoshte që do të angazhohet për zvogëlimin e administratës, me këtë projektligj shtohen katër agjenci ekzekutive, ndër to edhe në zyrën e kryeministrit.

Ferat Shala nga PDK kërkoi një arsye pse po shqyrtohet ky projektligj me kaq nguti dhe nuk shkon me procedura normale. Ai tha se po krijohen tri agjenci ekzekutive në tri ministri dhe një tjetër në zyrën e kryeministrit, me të cilën tentohet

Shala: Pse po e bini komplet trupën inspektuese te zyra e kryeministrit

“Vërtet po doni që përmes këtyre tri institucioneve ekzekutive në tri dikasteret tuaja më të fuqishme ekonomike, plus vet në kokë, realisht ta centralizoni në mënyrë ekstreme , të hapur me ligj në procedurë të shpejt një sektor të tërë që është edhe katalizator i të mirës por edhe të keqas, pra a mund të më thoni me analizën e juaj, pse po e bini komplet trupën inspektuese te zyra e kryeministrit, cilat praktika janë. Ju keni thënë që insistoni me zvogëluar administratën, tash me këtë ligj po na del se po i shtoni katër institucione ekzekutive, një për vete dhe tre për të tjerët, për besë nuk ka arsytushmëri”, tha ai.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se ky ligj është përkrahur edhe nga Banka Botërore që ka kushtëzuar për ta shtyrë përpara në mënyrë që të vazhdohet përkrahja.

Hajdari: Nuk është zyra e kryeministrit zyrë e inspektimeve

“Nuk është zyra e kryeministrit zyrë e inspektimeve. Kjo është një keqkuptim por zyra e kryeministrit ka rolin koordinues ku do t’i koordinojë këto autoritete të inspektimit dhe vlen të përmendi që ky është vetëm një fillim i reformës, nuk është e gjithë reforma me ligjin për inspektime por është vetëm një fillim dhe inicim i reformës për inspektime”, tha ajo.

Sërish ka reaguar deputeti shala i cili tha se ky projektligj është i mangët dhe kontrabandim.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, kanë miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2022. Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 2 miliardë e 748 milionë euro.

Në këtë seancë janë shqyrtuar 83 amendamente të propozuara nga deputetët. Shumica këtyre amendamenteve të propozuara nga deputetët e opozitës nuk morën mbështetjen, derisa ato të propozuara nga deputetët e pozitës janë miratuar.

Nuk miratohet amandamenti për shtimin e buxhetit për arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Deputetë të opozitës dhe pozitës kanë debatuar për amendamentin për shtimin e buxhetit për kategorinë e arsimit me nevoja të veçanta. Me 17 vota për, asnjë kundër dhe 61 abstenime, amendamenti i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë përkrahjen e shumicës së deputetëve.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka propozuar që të shtohet buxheti për kategorinë e arsimit me nevoja të veçanta, dhe në këtë mënyrë të rritet numri i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Hoxha: Të shtohet buxheti prej 2.5 milionë euro

“Arsimi për fëmijët me nevoja të veçanta të shtohet buxheti prej 2.5 milionë euro në kategorinë paga dhe shtesa dhe shuma e përgjithshme të jetë 3 milionë e 821 mijë euro. Kështu si arsyetim në mungesë të asistentëve prekë detyrimisht nënat e këtyre fëmijëve dhe i privon nga angazhimi i tyre në sferën publike, duke qenë duhet të kujdesen për këta fëmijë. Aktualisht janë 100 asistentë të angazhuar në sistemin para-universitar për 3 mijë e 939 fëmijë me nevoja të veçanta nga klasa e parë deri në klasën e 12. Propozimi për 500 asistentë në institucionet para-universitar, është se numri që një asistent që duhet të punoj me 12 fëmijë, të ulët që të paktën një asistent të punojë me 6 apo 7 fëmijë”, theksoi Hoxha.

Por ky amendament nuk ka marrë përkrahjen e pozitës. Për këtë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se do të abstenojë.

Bogujveci: E kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë ta kesh asistencën e nevojshme

“Unë kam qenë fëmijë që kam pasur asistencë, gjatë kohës kur kam qenë unë në shkollë për dy arsyeje. E kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë ta kesh asistencën e nevojshme. Ka qenë për asistencë për mungesë të gjuhës por edhe për aftësi të kufizuar. Për shkak se kam pasur të pamundshme përdorimin e dorës së majtë. Dhe kjo ka zgjatur me vite të tëra. Por, unë sot do të abstenojë në këtë amendamentin, për shkak se e respektoj faktin që kemi njerëz në qeveri tani që kanë marrë hapat për të cilët është kërkuar shumë kohë më përpara në relacion me nevojat që janë. Po, e kuptoj sa është e nevojshme dhe cilat janë nevojat për përkrahjen e këtyre fëmijëve por edhe të rinjve në fakt”, ka deklaruar ajo.

Bogujevci ka premtuar se do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për asistencë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, ka kërkuar që të mbështetet amendamenti i propozuar nga deputetja Eliza Hoxha për punësimin e 500 asistentëve. Sipas saj, 100 asistentë nuk do të përmbushin as 20 për qind të nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

​Lushtaku tërheq tri amendamente: Qeverisja e LVV është hakmarrëse

Gjatë shqyrtimit të mbi 80 amendamenteve, deputeti i Partisë Demokratike, Mergim Lushtaku ka tërhequr nga votimi tri amendamente.

Image
Mergim Lushtaku

Sipas tij, shumica nuk po përkrah këto propozime për projektbuxhet të vitit 2022 dhe po hakmerret politikisht.

Lushtaku: Qeverisje e juaja është vetëm për hakmarrje

“Unë i kam edhe tri amendamente të tjera, meqë po e shoh që e keni këtë tendencë që projektet, sidomos ato që janë të planifikuara qysh më herët, t’i largoni dhe të bëni diskriminim, atëherë i tërheq amendamentet e mia. Dhe po tregojmë që me të vërtetë kjo qeverisje e juaja është vetëm për hakmarrje dhe për dënim politik”, ka thënë ai.

Në seancë të jashtëzakonshme, organi më i lartë legjislativ po voton një nga një, 83 amendamentet e projektbuxhetit për vitin 2022.

Ujkani e VV-së: PDK-ja e ka lënë që 20 vite regjionin e Mitrovicës pa ujë - i përgjigjet Lushtaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka kritikuar gjuhën e përdorur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushataku lidhur me amendamentin për rregullimin e ujësjellësit në Skenderaj.

Ajo tha se regjioni i Mitrovicës ka mbetur pa ujë të ujësjellësit për shkak të qeverisjes së PDK-së për 20 vite, e jo për faj të Qeverisë “Kurti”.

“Gjuha dhe adresimi i tij është i papranueshëm që del dhe e akuzon Qeverinë Kurti pse nuk ka ujë në regjionin e Mitrovicës. Nuk ka ujë në të regjion për shkak që gjatë këtyre viteve ju keni praktiku politika të tillë që regjionin e Mitrovicës e keni lënë pa ujë. E kemi rastin e ndërtimit të fabrikës së ujit në Vushtrri që 20 vite, pas luftës ende nuk është funksionalizuar dhe nuk është shtrirë rrejti i ujit të ujësjellësit. Ndërtimi i asaj fabrike është bërë pa asnjë kriter”, ka thënë ajo.

Përveç Skenderajt, Ujkani tha se problem me ujë ka edhe në Vushtrri dhe në Mitrovicë.

Image
Fjolla Ujkani

“Njëjtë ka ndodhur edhe në komunën e Mitrovicës edhe të Skenderajt ku keni qenë ju në udhëheqje dhe asnjëherë nuk keni menduar se si me furnizua të paktën me gjëra esenciale dhe që të pajisen qytetarët e regjionit të Mitrovicës dhe ujë të pijshëm”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj deklarate të deputetes së LVV-së, ka reaguar Lushtaku i PDK-së.

“Së pari duhet me e kuptua se cilat janë kompetencat e një qeverie, një Kuvendi, cilat janë mundësitë e investimit e cilat janë edhe penalizmer që i bëhen një regjioni për shkak të bindjeve politike. Projekti nuk është i ri por ka qenë i planifikuar më herët. Pse për procedura të ndryshme fatkeqësisht nuk është implentu është çështje tjetër, por projekti ka qenë i planifikuar”, ka thënë ai.

Më tutje ai tha se është treguar i kujdesur me gjuhën që ka përdorur ndaj deputetëve të VV-së.

“Unë si Mërgim Lushtaku edhe te qytetarët e tjerë por edhe tek vendasit e mirë jam cilësuar se jam i kujdesshëm me gjuhën time, por tash së paku qiky amendament me dha arsye edhe më shumë se me të vërtetë kisha qenë i butë me juve, i qetë me juve sepse ju nuk keni gjuhë të arsyeshme të komunikimit, por keni vetëm arsye se si me ja marrë çdo projekt komunës së Skenderajt, komunave që janë në mbështetje të PDK-së”, ka thënë ai.

Edhe Ganja përfshihet në debatin me VV-në: Këta hala nuk e dinë çka është dhuna

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është përfshirë në përplasjen në mes të Mergim Lushtakut dhe Arbër Rexhajt të PDK’së për një amandament të propozuar që ndërlidhet me furnizimin me ujë për Skenderajn.

Musliu i ka reaguar Rexhajt i cili i ka thënë Mergim Lushtakut të mos e ngrit zërin në Kuvend.

Musliu është kundërpërgjigjur duke cituar disa fjalë të hoxhës Shefqet Krasniqi

“Tu e dëgju debatin, mu kujtu një herë e patën lodhë Shefqet Krasniqin, jo feja kshtu, jo feja ashtu, ju pat thanë mos më detyroni se vij e ua këndoj “Allahu Ekber” në foltore e s’keni cka me më bo. Edhe unë, këtyne deputetëve që po moralizojnë sot se, kta hala nuk e din çka është dhuna. Na e kemi përjetu dhunën në Kuvend, por kta deputet që po flasin nuk e dinë. Mos nxitni dhunë, mos provokoni”, ka thënë Musliu.

Derisa po shqyrtohet në lexim të dytë projektbuxheti, në Kuvend ka shpërthyer debat për luftën e Kosovës, në vitin 1999. Gjithçka filloi kur shumica nuk ia votoi deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, një propozim për ujin në Skenderaj. 

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i ka reaguar deputetit Lushtaku, duke thënë se gjuha e tij dhe krahasimi me regjimin serb të paraluftës, është i papranueshëm. 

“Jemi shumë vend i vogël, që të përcahemi me krahina”, ka thënë Avdyli.

Deputeti i LVV-së thotë se është e turpshme që mosvotimi për propozimin e Lushtakut të lidhet me viktimat e luftës, sepse, shton se viktima në luftë ka pasur nga të gjitha rajonet.  

“Nuk është vetëm në Drenicë që ka pasur viktima. Ka pasur edhe në Krushë të Madhe, komplet fshati i Krushës së Vogël, krejt burrat e Krushës janë vra. Është në Lybeniq të Pejës, është në Meje, në Slovi të Lipjanit. Cdokund ka pasur viktima”, ka thënë Avdyli.

Deputeti i LVV-së ka thënë se e inkurajon Lushtakun që të flasë për projekte të vendit prej ku ai vjen, por jo me gjuhë, që krijon përçarje. 

Deputeti Lushtaku tha në Kuvend se deputetët e LVV-së nuk po e përkrahin një projekt për ujin në Skenderaj, pasi kanë hatërmbetje me rajonin e Drenicës. 

Ai tha se LVV-ja ka inate politike me Drenicën, pasi nuk është votuar nga ajo zonë as një zgjedhjet lokale e as në zgjedhjet e përgjithshme. 

Lushtaku përmendi regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, duke thënë se edhe atëherë edhe tash është tentuar që rajonit të Drenicës t’i ndalen “ajri, jeta” e tash uji.

“Kujdes fjalorin”, Lushtaku i reagon Konjufcës: VV dëshiron që për inat ta lë Drenicën pa ujë​​

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka tërhequr vërejtjen deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, për përdorim të gjuhës jo parlamentare.

Kjo pasi, pozita nuk votoi pro amendamentit të propozuar nga Lushtaku për ujësjellësin në Skenderaj.

Ai tha se ky amandament nuk është votuar nga LVV-ja për inati të Drenicës.

““Fillimisht duhet të shpreh keqardhjen e madhe ndaj këtij votimit që po tregon që partia Vetëvendosje e ka ende një hatër mbetje ndaj një rajoni për shkak të votave që s’ja ka dhënë as në zgjedhjet qendrore as në lokale. Është për turp, dhe ju po e tregoni vetëm fytyrën e vërtetë, që jeni kundër Drenicës, vetëm t’ua rikujtojë që në kohën më të vështirë, edhe aparati serb në krye me Millosheviqin, kanë dasht me na e ndalë ajrin dhe jetën, po s’kanë mujt”, është shprehur Lushtaku.

Ndaj kësaj deklarate të Lushtakut ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Kujdes fjalorin deputet. Është si nuk është. Është gjuhë jo parlamentare kjo të lutem”, ka thënë Konjufca.

Lushtaku fillimisht gjatë prezantimit të këtij amendamenti ka kërkuar nga deputetë që të votojnë pro, për shkak se siç ai ky projekt është i rëndësishëm për Skenderajn.

“Ky amendament ka një rëndësi të veçantë meqenëse ka të bëjë me ujësjellësin, për një ujësjellës që është larguar nga buxheti i këtij viti për arsye se ka qenë nga 2018 e deri më tani në buxhetin e 2022-ës. Në 2022 fatkeqësisht është larguar fare ky projekt. Janë zhvilluar gjitha procedurat që të fillojë implementimi i këtij projekti por fatkeqësisht Ministria e Planifikimit dhe Infrastrukturës nuk e ka parë të arsyeshme që ky projekt të fillojë të implementohet. Ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët e Skenderajt”, ka thënë Lushtaku.

Për futjen në projektbuxhet të këtij amendamenti votuan vetëm 22 deputetë, 52 kundër dhe asnjë abstenim.

Lushtaku, LVV-së: Po e tregoni fytyrën e vertetë, jeni kundër Drenicës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka reaguar ashpër në Kuvendin e Kosovës ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë këta të fundit nuk e kanë përkrahur një amandament të Lushtakut që lidhet me një projekt për furnizimin me ujë të Skenderajt.

Lushtaku ka thënë se me një votim të tillë deputetët e VV’së e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe se janë kundër Drenicës.

“Fillimisht duhet të shpreh keqardhjen e madhe ndaj këtij votimit që po tregon që partia Vetëvendosje e ka ende një hatër mbetje për shkak të votave që s’ja ka dhënë as në qendrore as në lokale. Është për turp, dhe ju po e tregoni fytyrën e vërtetë, që jeni kundër Drenicës. Në kohën më të vështirë, edhe aparati serb në krye me Millosheviqin, kanë dasht me na e ndalë ajrin dhe jetën, po skan mujt”, është shprehur Lushtaku.

Ndaj fjalëve të Lushtakut ka reaguar kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka cilësuar se gjuha e Lushtakut është joparlamentare.

Nuk miratohet amandamenti për ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë

Amandamenti për ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ka ngjallur debat në Kuvendin e Kosovës. Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka marrë përkrahjen e shumicës dhe për këtë deputetja Ganimete Musliu ka deklaruar se kjo dëshmon se kush po mbron vlerat e luftës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ky amandament nuk ka marrë përkrahjen e mjaftueshme për miratim.

Konjufca: Kuvendi nuk e miratoi amendamentin

“Me 12 vota për, me 54 vota kundër dhe me 5 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi amendamentin 42”, ka thënë Konjufca.

Për këtë ka reaguar, deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu e cila tha se kryeministri do të duhej të kërkonte votat e LVV-së për miratimin e këtij amandamenti.

Musliu: Këtu shihet se kush vërtetë punon për mbrojtjen e vlerave të luftës

“Shpreh keqardhje për amendamentin i cili nuk kaloj dhe kishte të bëjë me ndërtimin e akademisë ushtarake të UÇK-së në Aqarevë. Kam pritur që në këtë seancë të paktën kryeministri do të reflektonte dhe do të kërkonte nga deputetët e LVV-së që ky projekt të kalonte sepse nuk ishte një shumë e madhe e cila do ta prishte strukturën e buxhetit të Kosovës. Por, megjithatë këtu shihet se kush vërtetë me vepër punon për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe kush është kundër tyre”, ka deklaruar Musliu.

Ajo u shpreh e bindur se as amandamentet tjera të propozuara nga ajo nuk do të miratohen, meqë këto nuk po gjejnë mbështetje nga shumica. Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca: Atëherë që akuza të jetë parimore duhet të jetë 22 vjeçare, jo tash

“Veçse deputete akuza të tilla mendoj se janë të tepërta. Se mbrojtja e vlerave të luftës është që 22 vjet. Musliu: Edhe unë thash nuk e kemi bërë që 22 vjet, hajde të reflektojmë se sot e kemi momentin kur atje po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së. Atëherë që akuza të jetë parimore duhet të jetë 22 vjeçare, jo tash”, u shprehën ata gjatë votimit të amandamenteve për projektbuxhetin 2022.

Ndërtimi i Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ishte propozuar në vlerë prej 210 mijë euro.

Deputetët e opozitës shkojnë në pauzë, mazhoranca shqyrton buxhetin 2022

Në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet në lexim të dytë Projektbuxheti 2022, vetëm deputetët e mazhorancës, në këtë rast të VV-së kanë mbetur në sallë, ndërsa deputetët të subjekteve opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë lëshuar sallën.

Nga PDK-ja i pranishëm është vetëm Hysen Berisha, ndërsa nga LDK-ja vetëm deputeti Armend Zemaj.

Kuvendi deri tash ka shqyrtuar 40 amendamente, nga gjithsejtë 83 sa janë propozuar nga deputetët.

Projektbuxheti për vitin 2022 është planifikuar 2.7 miliardë euro. 

 Nuk miratohet amandamenti i propozuar nga Bekim Haxhiu për Ligjin për Pagat

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar pro miratimit të amandamentit për Ligjin për Paga. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka propozuar një shumë prej 71 milionë euro që të ruhen si kontigjencë.

Amandamenti i propozuar nga deputeti Haxhiu për Ligjin për Paga nuk ka marrë besimin nga shumica.

 

Haxhiu: Është e domosdoshme që të ruhet kontigjenca për zbatimin e Ligjit për Pagat

“Kam propozuar një shumë prej 71 milionë eurove në kuadër të Ministrisë së Financave që të ruhet si kontigjencë. Që në tre-mujorin e vitit të ardhshëm, qeveria të na sjell në kuvend, Ligjin për Pagat. Dhe kjo shumë është e kalkuluar bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese, sa i përket Ligjit të Pagave. Është e paraparë edhe rritja edhe për infermierët, mamitë, por edhe për të gjithë profesionistët shëndetëso. Dhe po kërkoj besimin tuaj dhe votën tuaj që nëse vërtetë e keni në plan si mazhorancë që të sjellin në kuvend Ligjin e Pagave, atëherë është e domosdoshme që të ruhet kontigjenca për zbatimin e këtij Ligji të Pagave”, ka thënë ai.

Ky amandament nuk është miratuar, meqë kanë qenë vetëm 21 vota për dhe 60 vota kundër. Deputetët e Kuvendit po votojnë një nga një 83 amandamentet e projektbuxhetit për vitin 2022. 

***

Me 75 vota për, 35 vota kundër dhe një abstenim Kuvendi ka aprovuar propozimin për shqyrtimin e Projektligjit të buxhetit për vitin 2022 në seancë të jashtëzakonshme.

Kundër këtij vendimi janë shprehur partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë kërkuar që buxheti të shqyrtohet siç është caktuar më herët me datën 22 dhjetor. Ndërkohë që për kanë votuar edhe deputetët e Listës Serbe.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se buxheti ka kaluar nëpër të gjitha fazat e diskutimit të parapara në komisionet relevante.

Kusari: Buxheti ka kaluar nëpër të gjitha fazat e diskutimit të parapara në komisionet

“Kemi prezantuar kërkesën të mbështetur nga 47 deputetë për mbajtje të seancës së sotme me një pikë të vetme të rendit të ditës, shqyrtimi në lexim të dytë të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke qenë të vetëdijshëm që edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur me datë 15 dhjetor u trajtua që kjo pikë e rendit të ditës të plotësohet me mocionin procedural për votimin në datën 17 dhjetor, gjegjësisht në ditën e sotme. Duke marrë parasysh që agjenda legjislative e fundvitit është me një mori projektligjesh të cilat do t’i trajtojmë edhe javën e ardhshme, buxheti ka kaluar nëpër të gjitha fazat e diskutimit të parapara në komisionet relevante, ftojmë grupet parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin mocionin procedural në kuadër të pikës shqyrtimi në lexim të dytë i Projektbuxhetit për vitin 2022”, tha ajo.

Por, kundër këtij ndryshimi të datës për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2022 ishin partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se janë kundër që të ndryshohet data dhe që në lexim të dytë buxheti të vije me datën 22 dhjetor.

Tahiri: Ne sot si GP i PDK-së do ta kundërshtojmë me votë këtë vendim

“Ne sot si GP i PDK-së do ta kundërshtojmë me votë këtë vendim dhe kërkojmë që pikërisht në lexim të dytë të vije në Kuvend atë ditë kur e keni përcaktuar ju me votë pa mbështetjen tonë si opozitë. Besoj që kjo duhet me qenë pak mësim për juve që në raste të tilla për çështje procedurale edhe me u konsideru me u marrë parasysh mendimi i opozitës nuk është keq. Ne në këtë rast do ta kundërshtojmë me votë ndryshimin e këtij mocioni procedural dhe kërkojmë që të vazhdojë ashtu siç keni vendosur vet me datën 22. Ndoshta ua prishim pushimet, ka pasur të planifikuara me shku më herët, po më e rëndësishme është buxheti sesa pushimi”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se do të kundërshtojnë me votë që buxheti të shqyrtohet sot në lexim të dytë.

Gashi: Nuk po kuptoj çka ka të jashtëzakonshme

“Vlerësojmë se mënyra e të menduarit të imponimit përballë deputetëve dhe Kuvendit të Republikës është i gabuar. Ju kam thënë në këtë Kuvend me datën 25 nëntor që është e paarsyeshme që një muaj përpara të vendosen afate strikte dhe data strikte se kur duhet të lexohet buxheti në lexim të dytë. Por vendosët me votat e juaja dhe vendosët për datën 22 nëntor, tash keni mbledhur nënshkrimet dhe kërkoni seancë të jashtëzakonshme që projektligji për ndarjen buxhetore për vitin 2022 të trajtohet në seancë të jashtëzakonshme sot. E para, nuk po kuptoj çka ka të jashtëzakonshme, sepse është projektligji për vitin 2022, pra ka buxhet, ka ligj, gjithçka është në rregull, pse duhet në mënyrë të jashtëzakonshme sot me trajtua kur deputetët nuk kanë pasur kohë me i diskutu dhe me i analizu 200 e sa amendamente që janë propozuar. Pra, është e paarsyeshme, e palogjikshme dhe është në kundërshtim me rregulloren e punës”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar deputetët që ta votojnë sot Projektbuxhetin 2022, ani se seanca për këtë projektligj ishte caktuar për 22 dhjetor.

Kurti: Ju ftoj ta votojmë sot Buxhetin 2022

“Natyrisht që nuk ka kurrfarë qëllimi tjetër seanca e sotme përveç asaj që dihet, pra leximi i dytë i buxhetit 2022 dhe meqenëse të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe gjithçka ka shkuar në rregull dhe meqenëse është e mundshme, më 17 dhjetor, pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që mos të zgjatemi edhe pesë ditë të tjera, kur mund të moszgjatemi. Nuk ekzistojnë qëllime të tjera pse po mbahet seanca më 17 dhjetor në vend se më 22. Pra nëse është e mundshme pse, jo. Tash kjo do të mund të ishte mbase e papërshtatshme nëse do të mungonit, por meqenëse kjo është e mundshme dhe meqenëse edhe ju keni ardhur dhe jeni të gjithë këtu, atëherë unë iu lus, iu ftoj që ta mbështetni këtë afrim të datës të votimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2022”, theksoi Kurti.

Muja: Projektbuxheti për vitin 2022 është më i larti në historinë e Kosovës

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja u ka rekomanduar deputetëve që të miratojnë projektligjin për buxhetin e vitit 2022. Sipas tij, buxheti i propozuar prej 2,7 miliardë euro është më i larti në historinë e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin në lexim të dytë të buxhetit ka theksuar se në disa mbledhje është shqyrtuar ky projektligj për ndarjet buxhetore të vitit 2022.

Muja: Kuvendit i rekomandojmë miratim të këtij projektligji

“Kuvendit i rekomandojmë miratim të këtij projektligji numër 08L066 mbi ndarjet buxhetore 2022. Këtë projektligj e kemi diskutuar gjerë e gjatë është shqyrtuar ka pasur edhe grupe punuese që kanë dëgjuar gjitha këto kërkesa buxhetore. Ka pasur po ashtu edhe konsultime me ministritë e linjës sa i përket kësaj”, ka thënë ai.

Derisa ka përmendur, siç tha ai, të arriturat e Qeverisë Kurti në të hyrat buxhetore, ai theksoi se prioritet i këtij projektligji është luftimi i varfërisë dhe përkrahja e bizneseve.

Muja: Ky projektbuxhet është më i larti në historinë e Republikës së Kosovës

“Ky projektbuxhet është më i larti në historinë e Republikës së Kosovës, me 2,7 miliardë euro. Gjithashtu e veçanta e këtij projektbuxheti është që mbështetet në të hyrat buxhetore që i kalojnë 2,3 miliardë euro. Për shkak të performancës ekonomike, për shkak të suksesit të procesit të vaksinimit dhe rikthimit të besimit në qeveri dhe formalizmit të masave ka pasur një performancë të jashtëzakonshme fiskale. Këtë vit ndoshta muajin e kaluar për herë të parë Qeveria e Kosovës i ka mbledhur mbi 2 miliardë euro”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Muja theksoi se për herë të parë qeveria ndan buxhet prej më shumë se 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës shkon për mbi 100 milionë euro.

Organi më i lartë legjislativ po shqyrton një nga një, 83 amendamentet e projektbuxhetit për vitin 2022.

Kurti opozitës për buxhetin: S’kemi çka e zgjasim, pse me pritë edhe pesë ditë

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur opozitës që kritikoi thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për leximin e dytë të buxhetit për vitin 2022.

Opozita ka thënë se ‘nuk e kuptojnë se pse seanca është thirrur në mënyrë urgjente’, kur ajo do të duhej të mbahej më 22 dhjetor.

“Nuk ka kurrfarë qëllimi seanca, përvec asaj që dihet, leximi i dytë i buxhetit 2022. Meqë të gjitha procedurat kanë përfunduar, pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që më mirë të mos zgjatemi edhe pesë ditë të tjera, kur mund të mos zgjatemi. Nuk ka kurrfarë qëllimesh pse po mbahet seanca më 17 e pse jo më 22 dhjetor. Jemi gati, jeni të pranishëm për cka edhe iu falënderoj”, ka thënë Kurti.

Opozita s’e voton buxhetin, kryeministri Kurti i përgjigjet kritikave të saj

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2022. Arsye e tyre është se ka ndryshim të datave se kur është paraparë rë mbahej kjo seancë.

Aty u yha se votimi i buxhetit është paraparë të mbahej më 22 dhjetor, ndërsa qeveria e ka sjellë me një seancë të jashtëzakonshmi. Këtë e ka bërë të ditur shefi i GP të PDK, Abelard Tahiri.

“PDK edhe atëherë e kemi kundërshtuar më logjikën po sillen si mazhorancë. Edhe në atë kohë të vij në procedurë të tillë dhe sot nuk mundeni me votuar pa e shfuqizuar këtë vendim. GP i PDK nuk e voton buxhetin për shkak të ndryshimit të datave, që është paraparë te mbahet më 22 dhjetor”, tha ai.

E shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, tha se me seanca e jashtëzakonshme nuk do të duhej të votohej buxheti i vitit 2022.

“Mënyra e imponimit ishte e panevojshme. Është e arsyeshme të vendosen data strikte se kur duhet të votohet buxheti në lexim të parë. Tani keni mbledh 47 nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme për buxhetin e bitit 2022. Pse duhet të votohet më një seancë të jashtëzakonshme, është në kundërshtim të rregullores dhe e paarsyeshme”.

“47 deputetë kanë ndëshkuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme por nuk po e sjoh urgjencën. Pse nuk po votohet me 22 dhjetor, dhe as sot nuk po e di pse të votohet sot. Lëvizin datat, proceset, mbi 200 amendamente nuk janë lexuar nga deputetët. Le të dalin kryeministri e ministri ta tregojnë pse është urgjencë. Tregoni pse është urgjenca të votohet sot e jo më 22 dhjetor. Ne si GP do të votojmë kundër për shkak të ndryshimit të datave”, tha Gashi.

Kundër propozimit për shfryrjen e datave ka dalë edhe AAK. Shefi i GP të kësaj partie Besnik Tahiri nga tha se ndërrimi i datave ka qenë i panevojshëm.

LIVE: Kuvendi e shqyrton buxhetin në lexim të dytë

Sot në Kuvend do të mbahen tri seanca. Në një seancë që do të fillojë nga ora 10:00 do t’i adresohet Kuvendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë në një seancë të jashtëzakonshme që fillon nga ora 11:00, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

E nga ora 18:00 do të vazhdohet seanca plenare.

Ajo me pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 25, 26 nëntor dhe 6 dhjetor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat