Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se Qeveria Kurti po bashkëpunon me Listën Serbe për të miratuar buxhetin. Ai ka thënë se Kurti po i ndihmon agjendës së Serbisë, sipas tij, duke u nxituar të votojë ligjin për buxhetin pa buxhetimin e ligjit të pagave. Sipas kryetarit të AAK-së këto janë arsyet pse kjo parti do të votojë kundër buxhetit në fund të diskutimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti në aleancë me Listën Serbe e ka vendosur leximin e buxhetit në seancë të jashtëzakonshme.
Haradinaj: Kurti po i ndihmon agjendës së Serbisë
“Qeveria Kurti në aleancë me Listën Serbe e ndërroi rendin e ditës e vendosi në seancë të jashtëzakonshme leximin për të dytën herë të buxhetit dhe nënkuptohet edhe votimin e amendamenteve. Ajo që është shqetësuese pra që Qeveria Kurti, e ndihmuar nga Lista Serbe, po nxitohet me aprovu buxhetin pa e marrë në konsideratë pra buxhetimin e ligjit të pagave, është mjaft e habitshme kjo mënyrë e punës, ky veprim i tillë…Kryeministri Kurti duke u nxituar me votu ligjin për buxhetin pa buxhetim të ligjit të pagave me ndihmën e Listës Serbe u siguroj që po i ndihmon agjendës së Serbisë. Janë këto arsyet tona pse ne votuam kundër ndryshimit të rendit të ditës dhe do të votojmë kundër buxhetit në fund të diskutimit”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kurti është në koalicion me Listën Serbe dhe diçka të tillë nuk duhet ta fsheh.
Haradinaj: I bëj thirrje Kurtit të mos fshihet sepse po hetohet që është në koalicion me Listën Serbe
“I bëj thirrje Kutit të mos fshihet sepse po hetohet që është në koalicion me Listën Serbe, të mos frikësohet nga koalicioni me Listën Serbe por t’i del përballë çështjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi që i bie, i drejtohet presidentit të Amerikës me kërkesë për marrëveshjen finale, kjo mënyrë e qasjes së Kurtit ndaj dialogut duke provuar me na bind se ky nuk e implementon Asociacioni e në të njëjtën kohë impelementon buxhet së bashku me Listën Serbe pa Ligjin e pagave dhe pa buxhetimin e plot projekteve të rëndësishme për zhvillimin e vendit nuk vlejnë”, ka thënë ai.
Në një konferencë për media Haradinaj ka thënë se qeveria nuk po i adreson siç duhet problemet me të cilat po përballet vendi duke theksuar këtu situatën energjetike.
Haradinaj: Çdo ditë të punës Kurti duhet ta fillojë në KEK
“Kemi një situatë të rëndë energjetike, i bëj apel Kurtit në këtë rast që të ndërmerr dy veprime menjëherë, njëri që ta fillojë ditën e punës çdo ditë në KEK së bashku me ministren, çdo ditë të heq nga agjenda një takim protokollar dhe çdo ditë ta fillojë ditën në KEK gjatë gjithë dimrit dhe i dyti është të paguajë pra koston e importit për këtë vit nga buxheti i këtij viti pra mos ta bartë në buxhetin e vitit tjetër”, ka shtuar Haradinaj.