Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, drejtori i departamentit të Estradës, Afrim Muqiqi dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, kanë zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, për të diskutuar rreth masave antiCOVID dhe lirimin e tyre në prag të festave të fundvitit.
Kreu i OHTK-së, Sogojeva, ka thënë se kanë kërkuar që të largohet ora policore, të zgjatet orari i sektorit të Gastronomisë dhe të lejohet mbajtja e ahengjeve.
“Kërkesat i kemi paraqitur ndaj ministrit. Duke filluar nga heqja e orës e policore, zgjatja e orarit apo mos-kufizim të orarit të Gastronomisë dhe lejimin e ahengjeve.Jemi dakorduar që brenda 48 orëve të marrim përgjigje nga Ministria. Presim që të realizohen këto kërkesa”, tha ai.
Ai thotë se janë dakorduar me të parin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, që asnjë klient të mos hyjë në sallën e dasmave pa e paraqitur dëshminë e marrjes së vaksinës antiCOVID apo pa test PCR.
“Jemi dakorduar po ashtu që asnjë klient nuk mund të hyjë në sallë të dasmave pa i pasur dy dozat e vaksinimit antiCOVID apo testin kundër COVID-19 apo PCR. Ne po ashtu po presim që TVSH-ja për 8 për qind ndaj bizneseve të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike të zbatohet, pasi kemi raste që ende punëtorët nuk i kanë marrë nga 170 euro”.
Gastronomët kanë protestuar të mërkurën para Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar masat Anti-COVID
Ata kërkuan nga qeveria që të zgjatet orari i punës deri në orën 01:00, të lehohet puna në sallat e dasmave, të bëhet subvenvionimi i punëtorëve që nuk kanë punuar që 600 ditë e të shtyhet pagesa e afateve të kredive.
Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11 raste të reja me koronavirus dhe janë shëruar tetë qytetarë.