Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) i ka shqiptuar gjobë 110 mijë euro hidrocentralit të Ujmanit, pjesë e ndërmarrjes publike ‘Ibër-Lepenc’.
Kjo për shkak të një kontrate që HC Ujmani kishte lidhur në maj të vitit 2019 për shitjen e energjisë elektrike.
Sipas kontratës, HC Ujmani do t’i shiste energji elektrike palës tjetër për një vit, por ZRrE ka gjetur se Ujmani ka vazhduar shitjen e energjisë edhe pas kësaj date, përkatësisht deri më 31 dhjetor të 2020.
“Bordi i ZRRE ka marrë vendim në seancën e sotme për shqiptimin e dënimit me Gjobë ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” SH.A. (HC UJMANI), për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me vazhdimin e Kontratës për shitjen e energjisë elektrike në kundërshtim me Procedurën për Tregtimin e Energjisë Elektrike, në shumën prej prej 110,705.00 € (njëqind e dhjetëmijë e shtatëqindepesë mijë Euro) që përbënë 5% nga te hyrat e realizuara nga aktivitieti i shitjes së energjisë elektrike për vitin 2020”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e bordit të ZRRE-së, po ashtu është vendosur që t’i lëshojë ndërmarrjes SOWI KOSOVO L.L.C licencën për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme të energjisë.