Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës Drita Millaku e pat akuzuar në seancë të Kuvendit Hashim Thaçin si urdhërues të vrasjes së komandant ‘Drinit’ dhe po ashtu Kadri Veselin, që sipas saj ishte në dijeni të plotë të bërjes së krimit.
“Me urdhër të tij Thaçit, dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, thoshte Millaku, në njërën nga seancat e vitit 2017.
Ajo në garën pasuese për Kuvendin e Kosovës nuk u bë më deputete. Ky ishte ‘mallkimi’ që mori nga Thaçi dhe Veseli!
Kjo është një temë tjetër, por një indikacion me rëndësi se si përfundonin në mënyrën më të butë kundërshtarët e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit.
Por, vrasja nuk mund të ishte jashtë ‘orbitës’ së veprimit të SHIK-ut, pavarësisht se si u gjykua rasti, njëherë me dënim 15 vite për organizatorin e vrasjes së “Drinit” dhe në fund, duke e liruar si të pafajshëm, ndonëse ai për rreth tri vjet ishte në burg.
Në njërin prej shkrimeve për vrasjen e komandant “Drinit” kemi shkruar për ngjarjet që kanë ndodhur, dhe për reagimet e fuqishme, por që u bënë për vrasjen, nga SHBA-të, prania në Kosovë, nga Rugova, LDK-ja, PSHDK-ja, por që mungoi reagimi i duhur i shtetit ligjor për ta zgjidhur situatën në dobi të vendosjes së drejtësisë.
Remzi Shala: “Sali Veseli më ka thënë e vramë Drinin tani e ka radhën Zyrapi”
Një deklaratë të fuqishme e kishte dhënë një figurë shumë kontraverse dhe kritike në procesin “Drini”, Remzi Shala.
Shala është ndër të parët që e ka kërkuar gjykata speciale dhe kishte thënë se nuk i binte i gjallë në dorë kësaj gjykate. Po ashtu ka deklaruar se ai ishte thirrur nga specialja si i dyshuar.
Por, bazuar në procesin hetimor të rastit “Drini”, deklaratat që ka dhënë ai aty, mund të jetë edhe dëshmitar në Hagë, të paktën në një proces.
Deklarimet e tij, me shumë gjasë çuan në burgosjen e Sali Veselit, i cili sipas prokurorëve konsiderohej porositësi i vrasjes së komandant “Drinit”.
Dëshmitarët kyç në procesin e rastit “Drini” në Gjykatën e Qarkut në Prizren, ishin Remzi Shala, Bashkim Ndrecaj dhe Kadri Shabani (boshnjak), më vonë do të bëhet dëshmitar, i akuzuari Xhemajli Beqiraj.
Të akuzuar ishin Habit Haziraj nga Llausha e Drenicës, i dyshuar për doras, dhe të tjerët për organizim të vrasjes Sali Veseli e Halil Çadraku, e Xhemajl Beqiraj për ndihmë.
“Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit”
“Unë i njoh 4 të akuzuarit dhe ata e njohin mirë njëri-tjetrin”, kishte deklaruar Remzi Shala, i cili ka qenë shofer i Sali Veselit, ish-komandant i Zonës II Mbrojtëse të TMK-së.
Shala kishte rrëfyer menjëherë se kush ishin personat që e organizuan vrasjen. “Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit në zyrën e Veselit kur Fatosi (nofka e Halil Çadrakut) ka hyrë në zyrë të Veselit dhe i ka thënë atij se “këqyr çka ka shkruar ky qen, (për Drinin) në gazetën “Ditët e shpresës”, ndërsa sipas Shalës, Veseli i ka thënë se “ti e di urdhrin dhe Fatosi ia ka kthyer se unë do ta gri këtë dhe do ta hedh në bërllok”.
Për të argumentuar se këta ishin bashkautor dhe planifikues të vrasjes së “Drinit”, Shala kishte deklaruar se pas varrimit të Drinit, të njëjtit kanë festuar në restorantin “Pojata”, së bashku me nëntë persona të tjerë.
Shala po ashtu ka deklaruar se Veseli në atë drekë ka thënë: “ne e vramë Drinin, ndërsa tani është në radhë Bislim Zyrapi dhe se unë e vras njeriun, dhe sa mirë ia lexoj referatin në varrim”.
Po ashtu Shala, kishte vazhduar të argumentojë me disa informacione shtesë. “Duke shkuar në Mitrovicë, në rrugë për atje Veseli më ka treguar se ‘qyky gjyks vret njerëz’, duke më thënë se unë e kam ‘Nixhen’, për të cilin më vonë kam kuptuar se ai ishte Habit Haziraj”.
Po ashtu sipas Shalës, Veseli e kishte pyetur atë: “a e ka marrë vesh populli se unë e kam vra Drinin”.
Shala e ka përmendur edhe një takim, 2 javë para vrasjes së “Drini”, ndërmjet Veselit, Fatosit (Halil Çadrakut), Alush Shalës, Sadik Halitjahës, ku ishte edhe Xhemajl Beqiraj, në hotelin “Theranda”.
“Nixha” ishte Habit Haziraj
Kur ishte pyetur dëshmitari si e ka kuptuar se vrasësi është Haziraj, dëshmitari Shala ka thënë: “këtë ma ka thënë Veseli duke më treguar se atë e ka vrarë “Nixha”, por mbiemrin e kam kuptuar nga Xhemajl Beqiraj”.
Një kohë të gjithë këta dhe disa persona të tjerë ishin zhvendosur në Mitrovicë.
“Kur isha së bashku me Bashkim Ndrecajn në banesë në Mitrovicë dhe me ta së bashku, pasi që dinim vetëm mbiemrin dhe pseudonimin “Nixha” shkonim natën tinëza Sali Veselit dhe Xhemajl Beqirajt, në Drenicë për të kuptuar se kush ishte vrasësi i “Drinit” dhe atje nga disa shitës cigaresh kemi kuptuar se “Nixha” ishte Habit Haziraj”.
Shala kishte deklaruar se menjëherë e ka lajmëruar policinë pasi që sipas tij, ai e ‘ka dashur shumë Komandant “Drinin”.
Është interesante një pjesë e seancës së rigjykimit, e mbajtur me 6 dhjetor 2005.
Seanca e të martës së 6 dhjetorit do të fillonte, me kërkesën e prokurorit që të zbardhen disa të dhëna nga kompjuteri që e kishte dikur “Drini”.
'Ata janë një grup ‘Bin Ladenash’ në krye me Bislim Zyrapin'
Derisa avokatët e kishin kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha, ju kishte thënë se nuk mund të manipuloheshin të dhënat, sepse prodhuesi i kompjuterit e ka krijuar mbrojtjen me kohë, për shmangur abuzimet.
Ky episod, na dërgon diku tjetër. Menjëherë pas ekzekutimit të “Drinit”, i dyshuari kryesor në rastin e kësaj vrasje – si porositës Sali Veseli, do të shkonte pa pushim dhe thuaja me presion t’ua kërkonte kompjuterin familjes.
Ndërsa, tani i liruar nga akuzat, ishte dëshmitar Xhemajli Beqiraj, i cili do ta akuzonte rëndë Shalën.
“Bashkim Ndrecajt dhe Remzi Shalës ua kam frikën, sepse ata e kanë një rreth të gjerë. Ata janë një grup ‘Bin Ladenash’ në krye me Bislim Zyrapin. Le ta dijë gjykata dhe Kosova se nëse më ndodhë diçka, familja ime nuk kërkon askund tjetër, vetëm tek Shala, Ndrecaj dhe Zyrapi. Unë jam fukara”, ka thënë dëshmitari Beqiraj në procesin e rigjykimit të rastit “Drini”, në dhjetor të vitit 2005, 16 vite më parë.
Gjykata Themelore në Prizren, në vitin 2019 e ka shpallur fajtor Remzi Shalën i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, për krime lufte, i akuzuar për rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës në vitin 1998, i cili më vonë ishte gjetur i vdekur. Gjykata Supreme e ka rikthyer çështjen në rigjykim.