“Çekiçi”/ Dëshmitari thotë se realizuan video-incizime për ta fajësuar gruan dhe vëllain e të ndjerit për vrasjen e tij

Aktuale

“Çekiçi”/ Dëshmitari thotë se realizuan video-incizime për ta fajësuar gruan dhe vëllain e të ndjerit për vrasjen e tij

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 22:30
Pamje nga gjykimi

Dëshmitari Xhelal Reqica ka vazhduar dëshminë e tij të premten, në rastin e njohur si “Çekiçi”, ku tha se kishin realizuar dy video-incizime për të fajësuar gruan dhe vëllain për vrasjen e tani të ndjerit Naim Hajrizi.

Sipas tij, për planin se çfarë do të deklaronte kur të vije koha para organeve të drejtësisë, ishin përgatitur me muaj, madje disa pjesë të planit thotë se edhe ishin shkruar.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Reqica e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Gëzim Retkoceri akuzohet se bashkë me një person tjetër, e kishin rrëmbyer Naim Hajrizin, në prill të vitit 2009, në Lipjan dhe më pas e kishin privuar nga jeta dhe ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Dëshmitari Reqica tha se nuk e di se kush e ka kryer këtë vrasje, por vetëm kishte zbatuar atë që i ishte thënë ta bënte dhe se vetëm kishte dëgjuar se i akuzuari me të ndjerin kishin qenë bashkë në biznesin e fajdeve.

Dëshmitari Reqica, tregoi edhe një herë se pjesë e këtij plani ishte edhe një çekiç, i cili duhej të lyhej me gjak të ndonjë kafshe ose ta priste dorën e tij dhe me pas këtë mjet ta dorëzonte te EULEX-i.

Ai shtoi se nuk e kishte kuptuar asnjëherë se pse do duhej ta bënte këtë, por veç kishte zbatuar atë që vëllai i të akuzuarit, Bashkim Retkoceri i kishte thënë ta bënte në këmbim të shumave të parave dhe veturave të ofruara.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi se a e dinte se nëse do e vendoste gjakun e tij mund të inkriminohej në këtë rast, dëshmitari Reqica tha se asnjëherë nuk e kishte menduar kështu.

“Bashkimi më ka thënë që nuk ka këtu (në Kosovë) me bë analiza me gjak, edhe këto bëhen veç jashtë. Po tani e bëmë me gjak të dhelprës”, tha dëshmitari, teksa shtoi se nuk e kishte menduar se po ta vendoste gjakun e tij në çekiç, mund të fajësohej për kryerjen e këtij krimi.

“Xhelal kush të shtini me m’i bo këto sende. Je tu u mundu me ba të zeza, mos ma përzij familjen, Xhelal, ma ke përfshi babën për se vdekuri, mixhallarët, bëhu burrë trego kush të ka shti me i bë këto sene”, iu drejtua i akuzuari Retkoceri dëshmitarit.

Dëshmitari u përgjigj se e ka nxitur nevoja që ka qenë i sëmurë dhe se vëllai i tij i ka bërë të gjitha këto.

“Me gjithë babën tënd, e mixhiallarët e tu se unë si kam bë këto prej dëshirës time, e keni ditë që jam i sëmurë, e keni ditë që kur jam kanë i vogël kam qenë problem, e keni ditë mirë”, u shpreh ai duke shtuar se e gjithë familja e ka ditur që ai ka qenë duke punuar me armatim.

Ndër të tjera, ai theksoi se familja e të akuzuarit nuk e ka marrë me mend që ai do të shërohet dhe një ditë do ta thotë të vërtetën para gjykatës, pasi të njëjtit kanë menduar se ai do ta gënjejë gjykatën, sipas planit.

Dëshmitari Xhelal Reqica ka deklaruar edhe në seancën e kaluar për këtë rast, e lidhur me këtë, ai tha se ka marrë kërcënime përmes telefonit nga një numër anonim dhe fizikisht është ballafaquar para pesë ditëve në Gjermani me një grup të panjohur.

“Dije çka je tu bë, se pa të vra s’kemi me lanë”, thotë te jetë shprehur personi që e ka telefonuar, duke theksuar se i njëjti nuk kishte theks të Kosovës.

Avokatja e të akuzuarit, Kosovare Kelmendi e quajti “bilbil”, dëshmitarin, pasi sipas saj ai është një dëshmitar jokredibil dhe se duhet të vërtetohet nëse këto janë sajime në kokën e tij.

Lidhur me incizimet e përmendura, ajo e pyeti se cilin prej tyre e kishin realizuar të parin, e për këtë dëshmitari ka thënë se incizimi i parë është bërë në zyrën e saj me aparat profesional, kurse më pas e kanë bërë tjetrin me telefon.

Në seancën e kaluar, ai kishte thënë se fillimisht e kishin bërë një video-incizim me telefon në shtëpinë e vëllait të tij Kemalit bashkë me një kushëri Agron Reqicën, ku thotë se i kishin incizuar fjalët që duhej t’ia thonin avokatës Fehmie Gashi-Bytyqi.

Kurse, në këtë seancë ai tha se në fillim e kishin bërë një incizim në zyrën e avokates Fehmie Gashi-Bytyqi.

Mbrojtësja e të akuzuarit e pyeti edhe për takimet që dëshmitari pretendon t’i ketë bërë me EULEX-in në lidhje me këtë rast, duke e pyetur nëse i njëjti ishte i sigurt se me të vërtetë ata kanë qenë pjesëtarë të Eulex-it.

Dëshmitari u shpreh se me zyrtarët e EULEX-it ishte takuar gjithmonë në ‘Grand Store’ dhe se për këtë vëllai i të akuzuarit Bashkim Retkoceri posedon edhe video-incizime nga këto takime, pasi i njëjti se bashku me të tjerët e këtij plani kishin qëndruar gjatë gjithë kohës në një tavolinë tjetër gjatë kohës sa ky po bisedonte me zyrtarë të EULEX-it.

‘‘Bashkimi më ka thanë vet që i ka incizimet e takimeve, ka shkuar në Grand Store edhe i ka marrë, ka pagu për ato incizime, unë nuk i kam pa’’, rrëfeu ai.

Ai shtoi se takimin e fundit me këta zyrtarë e kishte tek “Hotel Prishtina” dhe se ua kishte dorëzuar çekiçin.

Seancën e kaluar, dëshmitarit i është prezantuar një çekiç dhe i njëjti kishte thënë se është po ai çekiç për të cilën bëhet fjalë.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli tha se i njëjti është dërguar në Agjencinë e Forenzikës për ekzaminim, por që nuk kanë marrë akoma përgjigje.

Gjatë seancës mbrojtja e të akuzuarit deshi të prezantojë edhe disa mesazhe të shkruara, duke pretenduar se janë në mes të dëshmitarit Xhelal Reqica dhe vëllait të të akuzuarit Bashkim Retkocerit dhe kërkoi që t’i ballafaqojë këta dëshmitarë.

Mirëpo, pas shqyrtimit nga ana e trupit gjykues këto mesazhe nuk u përfshinë në shkresat e lëndës pasi u tha se nuk dihet kush me kënd ka shkruar.

Ndërsa, dëshmitari tha se kishte disa herë që Bashkim Retkocerit i kishte marrë telefonin dhe kishin shkëmbyer mesazhe që ai dëshironte t’i ketë.

Avokatja e të akuzuarit, Kosovare Kelmendi propozoi që si dëshmitar të dëgjohet Bashkim Retkocerit dhe Agron Reqica pasi të dy këta përmenden në vazhdimësi nga dëshmitari i dëgjuar.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu në fillim e kundërshtoi dëgjimin e dëshmitarit Bashkim Retkoceri pasi tha që i njëjti ka marrë pjesë në të gjitha shqyrtimet gjyqësore dhe e di gjithë rrjedhën, mirëpo më vonë tha se nuk e kundërshton dëgjimin e të dy dëshmitarëve nëse ata do flasin vetëm në lidhje me atë që ka deklaruar dëshmitari Xhelal Reqica.

Avokati i palës së dëmtuar, Berat Tmava tha se e kundërshton dëgjimin e dëshmitarit Agron Reqica pasi ai vjen nga i njëjti vend dhe mund të ndikohet nga të dyja palët. Mirëpo propozoi që edhe nëse ftohet të paktën t’i ndalohen takimet me palët.

Gjykatësi Ismajli mori aktvendim që t’i ftojë të dy dëshmitarët dhe seancën e radhës e caktoi për 2 shkurt 2022.

Ndryshe, Gëzim Retkoceri po akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin, ashtu që pas rrëmbimit, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit, në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, Kolegji i Apelit kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi, kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jolëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat