Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbrëmë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kanë ndarë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë.
Kurti ka shkruar në Facebook se pas miratimit në Kuvend të buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë, mbrëmë kanë mbajtur mbledhjen e 49-të të Qeverisë Republikës së Kosovës, ku janë miratuar dy vendime.
“Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtuam masën 3.7 Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. Ndamë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë.
Së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë krizë të madhe të energjisë, nëpër të cilën muajve të fundit po kalojnë të gjitha vendet e regjionit dhe Evropës”, ka shkruar ai.