Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetja Rrezarta Krasniqi, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk duhet të jetë kusht për dialogun me Serbinë.
Ajo ka thënë se për Asociacionin ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se kryeministri Albin Kurti, duhet të veprojë në bazë të tij.
“Nuk duhet të jetë kusht Asociacioni (për dialog). Ne si parti e kemi qëndrimin sa i përket Asociacionit dhe kryeministri tashmë e ka verdiktin nga Gjykata Kushtetuese. Gjithçka çka është kundër kushtetutës nuk duhet të pranohet. Pres që dialogu të ndodh vetëm me njohje reciproke dhe të jetë nga ana e Kosovës si pikë kryesore fati i të pagjeturve”, ka deklaruar deputetja Krasniqi.
Asaj për këtë deklaratë i ka reaguar Driton Tali, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përcjell Bota sot. Tali ka thënë se deputetët e LDK-së nuk duhet të nguten me deklaratat për Asociacionin pa e pyetur “kryetarin e nderit” Isa Mustafa.
“A e keni pyet shokun Isë - Kryetarin e Nderit? Mos u ngutni me deklarata pa e pyet bosin, se nuk dihet çka thotë ai. Ai herë e lavdëron Zajednicën e herë i bie pishmanit. Prandaj, mos nxitoni se s'i dihet atij!”, ka shkruar Tali në një postim në Facebook./Botasot