Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që të respektohen masat anti-COVID, kur variant Omicron po shpërndahet nëpër botë.
MSH ka njoftuar se nuk do të ketë ndryshim të masave kundër koronavirusit, sipas saj megjithëse numri i rasteve të reja është i ulët.
“Dhjetori na gjen me situatën epidemiologjike relativisht të qetë, mirëpo nën rrezikun e lartë për një valë të re gjatë javëve në vijim, gjë që na detyron përsëri të rrisim vigjilencën tonë. Si gjithnjë, do t’i mirëpresim mërgimtarët tanë, sepse janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, megjithëse edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë.” thuhej në një njoftim për media të Ministrisë.
Tutje thuhej se pasiqë javëve të fundit në shumë vende të botës është shfaqur varianti Omicron, zbatimi më efikas i masave është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe çështje urgjente.
“Ndërkohë që secili nga ne të zbatoj masat, le të inkurajojmë njëri tjetrin për t’u vaksinuar me të dy dozat, e kur të iu vie radha edhe dozën përforcuese/të tretë. Tashmë është shumë lehtë: pa termin, kudo dhe pavarësisht vendbanimit e shtetësisë. Ministria e Shëndetësisë nuk njeh detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion.”
MSH zotohet se në momentin që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken fillimisht, Qeverisë do t’i propozohen masat e reja lehtësuese.