Analisti i çështjeve politike Binak Maxharraj, ka ftuar qytetarët që të dalin në protestën e thirrur nga ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Tiranë.
Maxharraj ka thënë se duhet ndërprerë lidhja “mafioze” Edi Rama-Aleksandar Vuçiq, që sipas tij, synon shkatërrimin e qenies dhe interesave shqiptare në Ballkan, përcjell Bota sot.
“Sot të gjithë shqiptarët në protestë.
Është detyrim kombëtar dhe patriotik që sot masovikisht të protestohet kundër vizitës së Aleksandar Vuçiqit në Shqipëri për të ndërprerë lidhjen mafioze Rama-Vuçiq rreth projekteve anti-shqiptare, të cilat synojnë shkatërrimin e qenies dhe interesave shqiptare në Ballkan.
Dalja në protesta është e domosdoshme nga të gjithë shqiptarët në Shqipëri e më gjerë për të pamundësuar realizimin e projekteve anti-shqiptare, por edhe për rrëzimin e qeverisë anti-kombëtare të Edi Ramës në Shqipëri”, ka shkruar analisti në një postim në Facebook.
Vuçiq do të jetë sot pasdite në Tiranë, ku do të zhvillohet takimi i radhës së “Ballkanit të Hapur”, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikun do të përfshijë edhe Komisionin Evropian./Botasot