Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një statusi në Facebook i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që ta heqë masën masën e ndalim qarkullimit, për të mundësuar kështu, udhëtim të lirë e të papengesa për diasporën tonë.
Haradinaj në këtë postim i është drejtuar mërgatës duke thënë se, diaspora i jep kuptim festave të fundvitit.
“Rrugët tuaja drejt vendlindjes nuk u ndalën asnjëherë, as dikur në rrethana okupimi e as sot në liri. Ju i jepni kuptim festave të fundvitit, të cilat do të ishin të zbehta pa ju dhe kjo jo vetëm për faktin që familjet çmallen me ju, por edhe gjallërimi që i bëni ekonomisë së shtetit tonë të përbashkët, vendlindjes tuaj”, shkruan ai.
Kreu i AAK-së, për heqjen e masës së ndalim-qarkullimit, i referohet faktit se aktualisht ka më pak të infektuar me CoVID-19.
“U bë më shumë se një vit që edhe Kosova po përballet me pandeminë, ashtu sikur vendet ku jetoni e punoni ju. Fatmirësisht, në këtë fazë ne kemi shumë më pak të infektuar.
Sot i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, që të heqin masën e ndalim qarkullimit, për të mundësuar kështu, udhëtim të lirë e të papengesa për diasporën tonë. Ne duhet t’i mirëpresim motrat e vëllezërit tanë, e jo t’i kufizojmë me masa që ekspertët po i konsiderojnë jo shkencore dhe jo të nevojshme për menaxhimin e pandemisë.
Të dashur bashkatdhetarë. Mirë se vini në shtëpinë tuaj!
RH”, përfundon ai.