Dalin zbulimet e reja për rastin Bytyçi

Aktuale

Dalin zbulimet e reja për rastin Bytyçi

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 15:38
Vëllezërit Bytyçi

Sipas mediave serbe, ka informacione të reja për likuidimin e vëllezërve Bytyçi, e që është kockë në fyt në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë, transmeton B92.

Rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë që luftuan në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pas 22 vjetëve është arsye e presionit politik të SHBA ndaj Serbisë.

Kandidati për ambasador të ri të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili para arritjes në Beograd ka paralajmëruar se kjo do të vazhdojë të jetë çështje kyçe politike dhe se nuk do të heqë dorë nga kërkesa që të gjithë personat e përfshirë në këtë krim të sillen para drejtësisë, pavarësisht nga grada apo pozicioni i tyre.

Gazeta beogradase “Kurir” shkruan sot se ka marrë informacione të reja që zbulojnë se çfarë lëshimesh kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve si pala serbe ashtu edhe ajo amerikane dhe për shkak të të cilave, ndër të tjera, nuk i është dhënë fund këtij rasti.

Burimi i kësaj gazete pohon se prokurori i atëhershëm për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, zëdhënësi i Prokurorisë për Krime të Luftës, si dhe autoritetet amerikane që janë marrë me këtë rast, kanë hequr dorë nga një prej dëshmitarëve kyç në këtë rast.

Dëshmitari, një burrë nga Serbia që pretendon se i di faktet përkatëse, ndodhet në Suedi, pranon të dëshmojë dhe në këmbim kërkon mbrojtje për veten dhe familjen e tij. Të dhënat nga kjo deklaratë janë publikuar në media dhe dëshmitari tani merr kërcënime me vdekje. Ai ka dhënë deklaratë para përfaqësueseve të drejtësisë së SHBA, të cilët i kanë premtuar mbrojtje, por më pas ata kanë hequr dorë me arsyetim se nuk duan ta mbrojnë kriminelin.

Prokurori  Vukiçeviq është lavdëruar para mediave se e ka zgjedhur rastin, e në të vërtetë plotësisht e ka kontaminuar rastin dhe kështu e ka humbur dëshmitarin. Kështu ka ndodhur sepse nuk është respektuar as minimumi i mbrojtjes së fshehtësisë, pretendon burimi i gazetës i cili është i njohur me hetimet.

Ai thekson se është bërë gabimi i madh në vitin 2006, kur prokurori nuk pranoi t’ia dorëzonte prokurorit publik të qarkut të vetmen lëndë që ishte formuar në lidhje me këtë vrasje.

Aktakuza ka ekzistuar për Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, por ata janë liruar në vitin 2009 për krime lufte kundër robërve të luftës, sepse nuk është vërtetuar se vëllezërit Bytyçi kanë pasur statusin e robërve të luftës.

Lind pyetja se përse prokurori ka bërë një gabim të tillë. Sepse në gusht të vitit 2006, zëvendësprokurori i asaj kohe deklaroi se rasti duhet t’i lihet prokurorit publik të qarkut dhe të ngrihet aktakuzë për ndihmë për vrasje të shumta. Megjithatë këtë Vukçeviq  e refuzon.

Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyci u vranë në vitin 1999. Trupat e tyre, me duar të lidhura, plagë plumbash në kokë dhe gjurmë torture, u gjetën në një varr masiv në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat