Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë nënshkrua marrëveshje dhe deklaratë të përbashkët si zotim i të dy qeverive për marrjen me qera të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Detajet e marrëveshjes i kanë dhënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Haxhiu ka sqaruar se marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qera të qelive, ku do të vendosen 300 të burgosur nga ky shtet vlen për 10 vjetët e ardhshme.
Ajo ka thënë se të dënuarit, të cilët do të transferohen nga Danimarka nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
“Sapo nënshkruam letër-qëllimet e përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës me ministritë homologe nga Mbretëria e Danimarkës”.
“Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze në idenë për transferimin e të dënuarve që aktualisht në qendrat korrektuese në Mbretërinë e Danimarkës”.
“Administrimi i mirë i institucioneve korrektuese, avancimi i respektimit të të drejtave për personat e privuar nga liria dhe kapacitetet e mjaftueshme akomoduese të institucioneve korrektuese janë vlerësuar edhe nga institucione kredibile ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
“Gatishmëria e Danimarkës për t’ja besuar Kosovës transferimin e të burgosurve dëshmon përparimin që vendi ynë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe përkushtimin tonë për të quar më tej reformat për sundimin e ligjit dhe ngritjen e marrëdhënieve tona në një nivel shumë të lartë”.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë për huazimin e qelive të burgut.
Nga kjo marrëveshje Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro në 10 vjetët e ardhshme.
Pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.