Rasti i vrasjes së Përteshit - Ia mbyllnin sytë, lidhnin duart, dhe i rrihnin! - Çka po fsheh Remzi Shala?!

Aktuale

Rasti i vrasjes së Përteshit - Ia mbyllnin sytë, lidhnin duart, dhe i rrihnin! - Çka po fsheh Remzi Shala?!

Nga: Idriz Morina Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 19:29
Nga seanca gjyqësori për rastin Perteshi, i akuzuar Remzi Shala

Nuk kishte kush t’ua dëgjonte lutjet, as ato për ndihmë dhe as ato për shpëtim! Pak kush guxonte t’ju kundërvihej, aq ishin agresiv, në kohë lufte.

Por, sot, kur dalin para gjykatës thonë se nuk dinë asgjë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, dhe madje se nuk kanë qenë fare në ato rrugë dhe fshatra.

Nuk e marrin asnjë përgjegjësi! Por, atëherë familjarëve të viktimave dhe as vetë viktimave nuk iu ofronin mundësi as të rrëfeheshin para ekzekutimit, ndonjë juri formale!

Gjatë procesit të gjykimit Remzi Shalës për rastin e mbytjes së Haxhi Perteshit, në mesin e mbi 30 dëshmitarëve, ka dëshmuar edhe Xhemajli Elshani, i cili ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga disa persona të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe i akuzuari Shala.

Shala në vazhdimësi në procesin disavjeçar e ka mohuar madje se ka qenë në zonat ku është vrarë së paku një person dhe janë keqtrajtuar disa të tjerë në verën e vitit 1998, në zonën e Suharekës.

Ia mbyllnin sytë, lidhnin duart me telë!

Kështu në pyetjen e avokatit të viktimës, se a është e vërtetë se pasi ishte rrëmbyer dëshmitari Xhemajl Elshani, dhe është goditur në fytyrë dhe keqtrajtuar fizikisht, dëshmitari deklaroi “po”, në njërën prej dhjetëra seancave të mbajtura për rastin Përteshi.

Nesër nga ora 9.30 është paraparë seanca e radhës, në procesin e rigjykimit, ku fillimisht Shala ishte dënuar me 14 vjet burg, ndërsa i ulur në 10 vjet nga Gjykata e Apelit, që e ishte se sipas ligjeve të kohës, për veprën ‘pengmarrje’ nuk mund të dënohej më shumë i dyshuari.

Ndërsa, Gjykata Supreme e ka rikthyer në rigjykim rastin.

Dëshmitari ka sqaruar edhe rrethanat se si ishte rrëmbyer nga Remziu dhe disa ushtarë të tjerë, se çfarë itinerari kishte bërë, deri në futjen në bunker, dhe nga aty e burgosin në një ahur në fshatin Lluzhnicë.

I pyetur nga prokurori special Haki Gecaj, se kush i ka dhënë urdhër për lidhjen e syve dhe të duarve, Elshani deklaroi se këtë e ka bërë Remziu, sipas tij me urdhër të shtabit.

Dëshmitari Elshani, i cili ka dhënë deklarata që në kohën e UNMIK-ut, në prokurori, në EULEX, në prokurorinë speciale në Prishtinë, dhe në Gjykatën Themelor në Prizren, tha se i mbështetë të gjitha ato deklarime.

Mashtrimi për takim në odë

Fillimisht ai ishte thirrur të merrte pjesë në një mbledhje, e mbajtur në odën e Rifat Qatanit.

Në fund të atij takimi sipas dëshmitarit pas përfundimit të mbledhjes, Remzi Shala kishte pyetur kush është Xhemajl Elshani, dhe pas pohimit të tij, ishte urdhëruar “të shkonte me ata”.

Fillimisht ishte hipur në një traktor me të tjerët, që ishte në fund të fshatit. “Sa dolëm prej fshatit Remziu më ka thanë se kanë urdhër me mi lidh sytë dhe duart. Pasi mi lidhi sytë Remziu me një shami të kuqe e duart me tel, vazhduam udhëtimin. Kur arritëm në Grajqevc, Remziu më kapi për krahu dhe kur më zbriti prej traktorit, më ka mëshuar me kondak të pushkës në pjesën e mollëzës në anën e majtë dhe shamia lëvizi prej syrit, atëherë më ka dërguar me një bunker”, tha dëshmitari para gjykatës.

Të nesërmen para agimit, Remzi Shala dhe Ferati ashtu i lidhur si ishte i kishin thënë të shkonte me ta, pa i treguar se ku. Gjatë rrugës Remziu i kishte ndejtur pas shpine me pushkë, ndërsa Ferati para. Sipas tij rrugën për Luzhnicë po ia tregonte një person i maskuar. “Si kemi filluar udhëtimin në këmbë prej Grejqevcit me duar dhe sytë lidhur, rrugës jam rrëzuar 5-6 herë, pasi rruga ka qenë plot me thera e papërshtatshme. Remziu më tha ‘po ti zgjidhim sytë, por me bo me ik diku të vrasim”, tha Elshani.

Pas pak kishte arritur një veturë pikap, kanë hipur së bashku, dhe pas udhëtimit prej 10 minuta deri në Luzhnicë, hyjnë në një oborr dhe “më kanë futur në një ahur”, tha dëshmitari Elshani.

Në të njëjtën seancë kishte dëshmuar edhe Sejdi Përteshi, vëllai i viktimës Haxhi Përteshit.

I pyetur nga Blerim Mazreku avokati i të akuzuarit Remzi Shala, nëse kanë kontribuar ai dhe familja e tij në ndonjë formë në UÇK, dëshmitari Përteshi ka deklaruar se të katër djemtë e tij në Zvicër i kanë dhënë nga 2000 euro, për gati 2 vjet, ndërsa vetë ai i kishte ndihmuar me gjëra ushqimore, dhe se dy djem të tjerë të tij kanë punuar në istikame te pika në Grajqevc.

Ai kishte deklaruar se nuk është takuar asnjëherë me Bajram Qatanin, udhëheqësin e UÇK-së në Duhël.

I pyetur për rrëmbimin që i ishte bërë atij, dëshmitari ka thënë se as ai e as Shaban Shukolli, nuk i kanë pyetur ushtarët asgjë, as se pse po i merrnin.

Në seancën e tetorit 15 tetorit të vitit 2020, i pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, se kush kishte qenë komandant në pikën e Grajqevcit, dëshmitari Përteshi tha se sipas fjalëve ka qenë komandant “Guri”. Ai tha se e ka njohur komandant “Gurin” sepse kanë qenë fqinj, dikur rreth 10 km largësi, por nuk kishin shoqëri.

I mbajtën të burgosur në një mobileri

Ai është shprehur i pasigurt nëse natën që u mor në shtëpi vëllai i tij Haxhia, kishte qenë apo jo në shtëpi, mbase ishte në një udhëtim në Malishevë.

“Diku në fillim në muajin qershor të vitit 1998, në mesditë kah ora 11:00 – 12:00 me një komshi Shaban Shukolli me kerrin tim ‘Lada’ , unë si vozitës kemi shkuar në fshatin Reshtanë ku Shabani ka pasur të marr një borxh të vetin, në kthim për në shtëpi na ka ndal një ushtarë për mua i panjohur, në gjuhën shqipe na tha të zbresim prej kerrit, pastaj erdhën edhe 3 ushtarë të tjerë me veturë ‘Mercedes’ ngjyrë hiri, njëri prej tyre kishte pak mjekër. Ata na lidhën duart me konop dhe sytë me shami dhe na vendosën në veturë ‘Mercedes’, ushtari me mjekër ka qenë i ulur afër vozitësit, ndërsa unë dhe Shabani prapa dhe na dërguan në Malishevë nëpër rrugët dytësore deri në një sallon mobiliesh, nuk e di sa kohë kemi udhëtuar”, ka thënë dëshmitari, sipas raportit të “Betimi për drejtësi”.

Ata ishin mbajtur dy ditë të burgosur në sallon, ku ishin intervistuar nga një ushtar pa armë, se pse ishin futur në pikën e tyre. Pas disa sqarimeve fillimisht e kishin liruar Shukollin në mëngjes, ndërsa Perteshit i kishin premtuar se do ta çonin në shtëpi me veturë dhe se do të pinin kafe, sepse për ta, ky ishte ‘i pafajshëm’. “Këto fjalë mi thanë ata dy ushtarë që ishin në veturë bashkë me neve... Në Malishevë një ushtar më ka pyetur se ‘çka e ke Haxhiun’ unë jam përgjigjur se prej babe e nëne e kam vëlla”, ka deklaruar dëshmitari.

Ai ka shtuar se vetëm të nesërmen e ka kuptuar se vëllai i tij Haxhiu është gjetur i vdekur. “Të nesërmen në mëngjes një komshi më ka informuar se ‘kufoma e vëllait tuaj baca Haxhi është në Duhël në një stom te xhadja e Malishevës”.

I pyetur nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Haki Gecaj, se çfarë shenja ka pasur në trupin e viktimës, dëshmitari ka pohuar se ka vërejtur vetëm shenja në të dyja duart, në nyjën e dorës, që sipas tij ishin shenja se duart i ka pasur të lidhura.

Shefki Bujari ish pjesëtarë i UÇK-së, në seancën e qershorit të rigjykimit, këtë vit e kishte pranuar se ai personalisht i kishte shpërndarë disa ftesa për disa veta në Duhel, duke iu kërkuar që të paraqiteshin në “shtabin e Bllacës”.

Dëshmitari ka pranuar se ka dëgjuar - “fjalë goje” për një listë për disa veta të fshatit Duhël, sipas tij që mendohej se ishin të ‘kompromentuar’ për UÇK-në, e që sipas tij ishin përmendur 10 – 25 persona, porse nuk e kishte pasur ndonjë listë.

Sipas tij, ajo pjesë ishte nën komandën e Brigadës 121 e komanduar nga Fatmir Limaj, ndërsa përgjegjës i logjistikës në Duhël ishte Bajram Qatani.

Dëshmitari tjetër ish-pjesëtar i UÇK-së Isuf Lumi, deklaroi se ka qenë pjesëtar i UÇK-së, pas rënies së Jasharëve dhe se sipas tij, ai ishte në mbrojtje të popullsisë. Ai ka pranuar se i njeh disa persona me mbiemrin Qatani, Përteshi, Shukolli dhe se po ashtu e ka njohur viktimën Haxhi Përteshin si kushërinj të shokëve të tij.

Çka po fsheh Remzi Shala

Në seancën e 2 shtatorit 2020 ka deklaruar Shala se ishte i gatshëm që të bënte një deklaratë të vërtetë, por me kusht që ato letra të bëheshin publike, por që avokatët e tij sapo i kishin lexuar letrat e kishin braktisur.

“I akuzuari Shala, para gjykatës deklaroi se pasi e kishte përshkruar gjithë ngjarjen në dy letra dhe kishte vendosur të flasë hapur lidhur me rastin e Haxhi Përteshit, avokatët nuk kanë pranuar të vazhdojnë me mbrojtjen e tij”, thuhet në raportimin për këtë seancë.

Gjykata Themelore në Prizren, më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme e kishte parashtruar avokati i të akuzuarit, Natal Bullakaj, i cili nuk e mbron më Shalën.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e ka rikthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Sipas vendimeve gjyqësore Remzi Shala-“Molla e Kuqe” bashkë me 5-6 pjesëtarë të UÇK-së, me maska në fytyrë, përveç Shalës, dhe të paidentifikuar, me 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 e kishin marrë peng në shtëpinë e tij Haxhi Përteshin, dhe pas pak ditësh është lënë i vdekur buzë rruge.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat