Von Cramon: Po vazhdon pasivizimi i shtetësisë serbe në mesin e popullsisë shqiptare

Aktuale

Von Cramon: Po vazhdon pasivizimi i shtetësisë serbe në mesin e popullsisë shqiptare

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 08:26
Viola von Cramon

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka shpërndarë një tabelë me numrin e votuesve të regjistruar në disa vendbanime me shumicë shqiptare në Serbi, duke pyetur se si mund t’u hiqen qytetarëve të drejtat e tyre themelore.

“Pasivizimi i shtetësisë serbe vazhdon, siç e shfaq qartazi kjo tabelë. Kjo ndodh në rajonin e banuar kryesisht me shqiptarë në jug të Serbisë. Si dhe pse mund t’u hiqen qytetarëve të rëndomtë të drejtat e tyre themelore”, shkroi Von Cramon në llogarinë e saj në Twitter.

Ajo këto fjali i përcolli me një postim të një përdoruese tjetër të rrjetit social, të quajtur Flora Ferati-Sachsenmaier, e cila ka publikuar një tabelë ku paraqitet zvogëlimi i numrit të votuesve të regjistruar në Serbi në krahasimin mes viteve 2012 e 2019 në vendbanimet: Gjylekreshtë, Kapit, Tupallë, Sijarinë, Sfircë, Rama Banjë, Stara Banjë dhe Gërbac.

Zvogëlimi më i madh i numrit të votuesve të regjistruar në këtë tabelë është në Sfircë – për 71.25 për qind, pastaj në Sijarinë me 70.64 për qind. Rënie e konsiderueshme prej më shumë se 50 për qind vërehet pothuajse në të gjitha vendbanimet tjera të paraqitura në tabelë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat