“Intrigë, ligësi dhe djallëzi”, Vuçiqit i vjen reagimi: Po luan teatër në Tiranë!

Aktuale

“Intrigë, ligësi dhe djallëzi”, Vuçiqit i vjen reagimi: Po luan teatër në Tiranë!

Nga: G.B Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 11:07
Aleksandër Vuçiq

Profesori Enver Bytyçi ka reaguar ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasi ai është ankuar se është lodhur duke u shpjeguar për Ballkanin e Hapur, gjatë takimit që po mbahet sot në Tiranë në kuadër të këtij projekti.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur pasi  Serbia dëshiron që të shkatërrohen të tria këto vende, përcjell Bota sot.

Më tej, profesori ka shtuar se Vuçiq në Tiranë luan teatër me deklaratën që bën, derisa këtë Bytyçi e quan Intrigë, ligësi dhe djallëzi, cilësi këto që sipas tij i kanë bashkuar të tre liderët sot në Tiranë.

Postimi i tij i plotë:

Ligësia, intriga dhe djallëzia e Aleksandër Vuçiq!

Aleksandër Vuçiq është ankuar sot për mos marrjen pjesë të tri vendeve të rajonit në Open Balkan: "Më ka ardhur pak në majë të hundës që të japim justifikime për çdo gjë, a thua se kemi bërë diçka të gabuar, dhe të kërkojmë ndjesë ndaj atyre që nuk duan të bëhen pjesë. Është e vështirë për liderët e këtyre vendeve, se pse nuk janë pjesë e kësaj iniciative”, tha ai.

Po pse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur? Sepse në të tri këto vende Serbia dhe presidenti i saj ankimues sillen si tutor dhe kërkojnë që ato të shkatërrohen si shtete.

Beogradi dirigjon serbët e Kosovës, me qëllim zhbërjen e shtetit. Këtë gjë nuk e fshehin udhëheqësit serbë, përfshirë edhe Vuçiqin.

Kisha Ortodokse e Serbisë dhe vetë presidenti i këtij vendi kanë sulmuar mëvehtësinë e Malit të Zi dhe punojnë për bashkimin e tij me shtetin serb.

Alaksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik punojnë hapur për shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ata kërcënojnë me shkëputjen e Republikës Srpska dhe humbjen nga Bosnjë-Hercegovina të 49 për qind të territorit!

Dhe nga ana tjetër Vuçiq në Tiranë luan teatër. Thotë se nuk e di pse liderët e këtyre tri vendeve nuk janë pjesë e Open Balkan! Intrigë, ligësi dhe djallëzi pa fund! Këto tri cilësi i kanë bashkuar tre aktorët e Ballkanit të Hapur, të mbledhur dje dhe sot në Tiranë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat