(E plotësuar 19:25) - Prokuroria dyshon se ish-kryetari i Shtërpcës përfitoi 1 milion euro nga lejet për ndërtimin e vilave
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.
Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se ky aksion është kryer në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.
LEXO EDHE: 10 të arrestuar nga aksioni i Policisë, përfshirë ish kryetarin e komunës së Shtërpcës
Jashari: Janë bastisur 11 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës
“Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e hetimeve të krimeve të rënda në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka organizuar një operacion me ç’rast janë bastisur 11 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Gjatë bastisjes së këtyre lokacioneve janë sekuestruar si prova materiale para, armë, vetura, disa dokumentacione. Po ashtu është bastisur edhe dy zyre të Kuvendit Komunal të Shtërpcës, zyra e kadastrës dhe e urbanizmit. Në këtë rast janë ndalur me vendim të prokurorit të shtetit ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori aktual i urbanizmit, inspektorë komunalë, pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë për shkak të dyshimit për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes së ryshfetit”, tha ai.
Prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se aksioni i sotëm ka qenë shumë i suksesshëm ku janë sekuestruar një sasi e madhe e provave. Ai deklaroi se lidhur me këtë çështje penale askush nuk do të jetë i paprekur.
Maloku: Askush nuk do të jetë i paprekur
“Në këtë çështje hetimet kanë filluar qysh në vitin 2019 dhe është ngritur një aktakuzë ndaj 10 personave, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kurse në vitin 2020 kemi filluar një hetim të ri edhe ndaj 10 personave, e pastaj e kemi zgjeruar edhe ndaj disa personave për veprat penale kryesisht të natyrës së korrupsionit, dhënie ryshfeti, keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrimi i ndikimit. Sot ka rezultuar me një aksion shumë të suksesshëm, janë sekuestruar një sasi bukur e madhe e provave. Për këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur qoftë në këtë çështje apo edhe në çështje penale që do të jetë objekt i trajtimit nga Prokuroria”, tha ai.
Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, tregoi se gjatë kontrollit janë sekuestruar para të gatshme në vlerë 61 mijë e 470 euro dhe prova të tjera materiale.
Haziri: Tetë nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy nga Prishtina
“Operacioni ka rezultuar me 10 persona të arrestuar dhe 12 lokacione të kontrolluara. Tetë persona nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës. Gjatë operacionit dhe kontrollit do të thotë janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale si në vijim, para të gatshme në vlerë prej 61 mijë e 470 euro, monedha në vlera të ndryshme si denarë maqedonas, dollarë, lekë shqiptarë, dinarë të Serbisë dhe franga zvicerane. Është sekuestruar një pushkë ajrore, katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, 531 fishekë të kalibrave të ndryshe, tre karikatorë, dy gëzhoja, një palë pranga, 21 thika, tetë vetura të ndryshme në vlerë prej rreth 300 mijë euro, 13 telefona, nëntë laptop, pesë USB dhe katër hard diska, fletore dhe dokumente të ndryshme, 60 negativë të aparatit telefonik, si dhe janë sekuestruar aparate për prodhimin e kriptovalutave të cilat Dogana e Kosovës i ka sekuestruar”, tha ai.
Ai tha se të dyshuarit janë intervistuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Sa i përket vilave që dyshohet se janë ndërtuar pa leje në Brezovicë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se të gjitha ato vila që janë ndërtuar pa leje do të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i tyre.
Jashari: Vilat e ndërtuara pa leje do të sekuestrohen
“Të gjitha ato vila, të cilat janë ndërtuar pa leje, do të bëhet edhe sekuestrimi i përkohshëm i tyre. Fillimisht duhet të konstatohet se ato më të vërtetë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pavarësisht se të kujt janë ato vila”, tha ai.
Sa i përket këtyre vilave, prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se dyshohet që ish-kryetari i komunës së Shtërpcës ka marrë mbi 1 milion euro.
Maloku: Vetëm ish-kryetari i komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro
“Edhe pse jemi në fazën e hetimeve, megjithatë dyshimet tani për tani konsistojnë në vlera që kalojnë milionëshin, pra vetëm ish-kryetari i komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro. Dyshohet që janë disa vila që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve... Është e vërtetë që dyshohet se ka vilat që janë fare pa leje, por shumica e vikend-shtëpizave që quhen janë të ndërtuara në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë ndërtimin në parkun kombëtar Sharri, në këtë kontekst edhe në zonën e Brezovicës... Disa zyrtarë kanë marrë dhurata para për të ushtruar ndikim tek zyrtarët që kanë lëshuar leje për këto vikend-shtëpiza në zonën e Brezovicës”, tha ai.
Sa i përket aparaturave që janë sekuestruar për prodhimin e kriptovalutave, u tha se janë gjetur në një shtëpi dhe që pronari nuk ka ofruar dokumentacione që ato janë futur ligjshëm në Kosovë. Ai ka mohuar se ato janë gjetur në shtëpinë e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.
***
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se të gjitha villat e ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë do të sekuestrohen, pavarësisht se të kujt janë.
“Gjitha villat dhe objektet që janë ndërtu pa leje do të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i tyre, vetëm duhet të vërtetohet se janë ndërtu në mënyrë të kundërligjshme, pavarësisht se të kujt janë ato villa”, tha Jashari para mediave.
Ndërsa, prokurori i rastit Rasim Maloku tha se ka dyshime se ish-kryetari i Shtërpcës ka përfituar mbi 1 milion euro.
“Dyshimet konsistojnë në vlera që kalojnë vlerat milionëshe…Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milionë euro, disa villa që janë përfitu si dhurata, vetura që janë dhënë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha ai.
“Dyshohet se ka villa pa leje, por shumica e villave janë ndërtu në mënyrë të kundërligjshme”, u shpreh ai tutje.
“Disa zyrtarë kanë marrë dhurata/ para, për të ushtruar ndikim te zyrtarët për të lëshuar leje për villa”, përfundoi ai.
Gjithashtu prokurori Maloku paralajmëroi se ky aksion nuk do të jetë i fundit.
***
Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me Policinë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me aksionin i cili është zhvilluar mëngjesin e sotëm në komunën e Shtërpcës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka thënë se janë kontrolluar 11 lokacione në tri rajone të ndryshme.
“Pjesë e bastisjes ka qenë edhe Kuvendi Komunal në Shtëprcë, zyra e kadastes dhe ajo e urbanizimit”, ka njoftuar Jashari.
Ai tha se ish kryetari i Shtërpcës së bashku me disa persona të tjerë janë ndaluar me urdhër të prokurorit për 48 orë nën dyshimin e bazuar për korrupsion, marrje dhe dhenië të ryshfetit.
Ndërsa prokurori i çështjes Rasim Maloku ka thënë se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, dyshohet se ka marrë disa villa si dhuratë, vetura e gjëra tjera në vlerë rreth 1 milion euro për lëshimin e lejeve.
Ndërsa përfaqësuesi nga Policia e Kosovës ka thënë se hetimet në lidhje me rastin fillimisht kanë nisur në vitin 2019 e pastaj janë zgjeruar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar: Mbi 61 mijë euro, një pushkë ajrore, 4 pistoleta, 2 pushkë gjuetie, mbi 500 fishekë, karikator, 21 thika, 8 vetura në vlerë rreth 300 mijë euro dhe gjësende tjera.
***
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari bashkë me prokurorin e çështjes Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar sot në komunën e Shtërpcës.
Në konferencë u tha se nga ky aksion janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si: dollarë, franga zvicërane, lekë etj.
Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona.
Kryeprokurori Jashari tha se gjatë aksionit janë bastisur 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë.
“Janë sekusetruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të kuvendit komunal të Shtërpcës si ajo e katastrës dhe urnbanizmit. Janë ndaluar ish -kryetari i komunës së Shtëprcës, drejtori I gjeodezisë dhe urbanizimit, inspektorë komunal pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për kepqërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënië të ryshfetit”, tha Jashari.
Ndërsa, prokurori Rasim Maloku tha se në këtë çështje askush s’do të jetë i paprekshëm.
“Hetimet në vitin 2019, është ngritë një aktakuzë ndaj 10 personave, në vitin 2020 kemi filluar hetim të ri ndaj 10 personave, tani kemi zgjedhur hetimin edhe ndaj personave tjerë nën dyshimin për korrupsion, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi etj. Në këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur”, tha ai.
Nga policia thanë se janë 10 persona të arrestuar dhe nga ky numër 8 janë nga Rajoni i Ferizajt dhe 2 nga rajoni i Prishtinës.
Ndërsa u përmendën edhe gjërat e sekuestruara.
“61 mijë euro të sekuestruara, monedha si dinarë, franga zvicërane, dollarë…Pushkë ajrore, 4 pistoleta, 2 pushkë gjuetie, karikatorë, gëzhoja, fishekë…8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, 13 telefona”, njoftoi përfaqësuesi i PK-së.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish kryetari i Shtërpcës, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
***
Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin i cili është zhvilluar në komunën e Shtërpcës.
Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, prokurori i çështjes Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës.
“Konferenca do të mbahet nga ora 17:00, në objektin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).