​Gërvalla nuk raporton në Komisionin për Integrim, opozita e quan të papërgjegjshme

Aktuale

​Gërvalla nuk raporton në Komisionin për Integrim, opozita e quan të papërgjegjshme

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 13:24
Komisioni për Integrime Evropian

Për shkak të një udhëtimi të natyrës urgjente ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla nuk ka marrë pjesë në Komisionin për Integrim Evropian ku pritej të raportonte. Deputetët e opozitës e kanë quajtur atë të papërgjegjshme ndërsa nga pozita është thënë që ministrat duhet të mirëkuptohen kur kanë takime të rëndësishme të jashtë vendit.

Raportimi i ministres Gërvalla ishte paraparë për sot pas disa koordinimeve që ishin bërë në mes saj dhe komisionit por Ministria e Jashtme e ka njoftuar komisionin në 24 orët e fundit se Gërvalla duhet të udhëtojë urgjentisht dhe nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Kryetarja e Komisionit për Integrim, Rrezarta Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se ky veprim i ministres tregon papërgjegjësi nga ana e saj.

Krasniqi: Mungesa e ministres së Jashtme në komision tregon papërgjegjësi nga ana e saj

“Me datën 21 kemi marrë njoftim nga ana e kabinetit të ministres se për shkak të një udhëtimi që i ka dalë urgjent, ministrja nuk mund të raportojë sot në Kuvend. Unë këtë gjë e konsideroj se është papërgjegjësi e ministres së Punëve të Jashtme, gjithashtu është papërgjegjësia e saj kushtetuese sepse siç e dimë ekzekutivi duhet t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar”, ka thënë ajo.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu i ka bërë thirrje ministres që të jetë e përgjegjshme përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deliu: Ministrja Gërvalla të jetë e përgjegjshme karshi deputetëve

“Unë thërras sot zonjës ministre që të jetë e përgjegjshme karshi deputetëve sepse besoj që një koordinim i mirë mes nesh dhe ministres është edhe në favor të shumë obligimeve që ne i kemi si deputetë. Shumë pak ligje janë miratuar, shumë pak raportime kanë ndodhur dhe zonja ministre duhet të vijë të qartësojë se çfarë po ndodh me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, cilat janë të rejat dhe ku qëndron Kosova në kuptimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar në këtë kohë të rëndë të pandemisë. Po e konsideroj që është papërgjegjësi sepse ne jemi njerëz dhe disa herë kemi pasur koordinim me të kur ajo ka pasur agjendë për të udhëtuar në Uashington”, ka thënë Deliu.

Por sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, ministrat duhet të mirëkuptohet kur mungojnë për shkak të takimeve të rëndësishme që mund t’i kenë jashtë Kosovës.

Kryeziu: Ministrja ka udhëtuar për takime pune, nuk duhet të quhet papërgjegjësi

“Nuk po dua ta luaj rolin e zëdhënëses së ministres sepse jam vetëm deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por duke u bazuar në atë që kryetarja e komisionit e tha në fillim, pra që arsyeja e mungesës së ministres sot në raportim është fakti që asaj i është dashur urgjent të udhëtojë jashtë vendit për takim pune, mendoj që nuk do të duhej të quhej pa përgjegjësi prej anës sonë si deputetë”, ka thënë Kryeziu.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Elmi Reçica ka kritikuar deputetët e pozitës që po e përkrahin ministren në mungesën e saj për të raportuar.

Reçica: Deputetët e pozitës po e mbrojnë ministren në mungesën e saj për të raportuar në komision

“Ju vërtetë thatë që nuk jeni zëdhënëse por përmbajtja ishte që jeni zëdhënëse, çështja tjetër është që ka shumë rate që thuhet diçka pastaj veprohet diçka tjetër, unë thash që ministrja nuk është shumë e përgjegjshme që nuk ka ardhur në takim, mirëpo ju po e mbroni ministren dhe po tentoni ta arsyetoni mosardhjen e saj, ne nuk i dimë arsyet dhe shkaqet, atëherë merrne përsipër le të vijë ta caktojë një ditë, një orë”, ka thënë ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat