Analisti politik, Rrahman Paçarizi, duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se “Open Balkan” është interes i Shqipërisë, tha se në këtë pjesë ai ishte i sinqertë dhe se një deklaratë e tillë duhej të bëhej nga çdo kryeministër kur në pyetje janë interesat shtetërore.
“Në këtë pjesë të deklaratës Rama edhe më pëlqen, sepse nuk i shfaqi ato tendencat e veta paternaliste ndaj Kosovës. Mua më pengojnë qasjet paternaliste edhe të Ramës. Ishte çuditërisht i sinqertë, sepse nuk është zakonisht i tillë, ai është më ndryshe”.
Megjithatë, Paçarizi tha se përveç sinqeritetit te Rama pa edhe një arrogancë.
“Të tillë janë njerëzit e fuqishëm. Njerëz që e kalkulojnë votën e tyre dhe e përkthejnë votën që ua japin qytetarët në rrethana të caktuara”.
Ndërkaq, për Sali Berishën, Paçarizi në Rubikon tha se e mendon të kundërtën.
“E kemi edhe një Sali Berisha, i cili, ndonëse s’ishte takimi i parë në Shqipëri i “Open Balkan”, kjo ishte protesta e parë e organizuar nga Berisha në Shqipëri. Takimi i fundit në Shqipëri ishte derisa Berisha nuk ishte shpallë ende non grata nga SHBA-ja”.
“Tash ai në vazhdimësi e ka ndërtuar një narracion se gjoja është shpallë i tillë nga SHBA veç se është vënë në mbrojtje të interesave kombëtare, ndaj interesave të Kosovës. Ndaj kujt? Ndaj Amerikës. Ka kontradiktë të jashtëzakonshme. Ai është totalisht jashtë loje , jashtë realitetit, tepër kontradiktor dhe i pasinqertë”.
Paçarizi tha se forcimi i një elementi si Sali Berisha në Shqipëri, si i shpallur non grata nga SHBA, përçon mesazh të keq.
“Çka do të ndodhte në rast se Sali Berisha në një situatë të këtillë do ta detyrojë vendin të shkojë në zgjedhje dhe t’i fitonte zgjedhjet. Çka do të kishim? Një Shqipëri të riizoluar pas 30 vjet të çlirimit”.