Kriza energjetike në vend do të vazhdojë së paku deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur drejtori menaxhues i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili theksoi se nga data 20 janar 2022, mund të kthehet në funksion blloku “B2” i Kosovës B, për prodhimin e energjisë elektrike.
Krasniqi në një konferencë të përbashkët me ministren e Ekonomisë, ka thënë se KEK-u ka tri njësitë e “Kosovës A” në operim, ndërkaq te “Kosova B”, është në operim vetëm njëri bllok për shkak të avarisë.
Krasniqi: Presim që diku nga data 20 janar ‘B2” të kthehet në operim
“Tani për tani kur ne po flasim janë tri njësi të Kosovës A, të gjitha në operim pa probleme dhe sasia që ato prodhojnë është 390 MËh. Në TC Kosova B, vetëm Blloku ‘B1” është në operim dhe ai prodhon 260 MGWH energji elektrike. Te blloku “B2” e kemi avarinë e cila ende vazhdon që nga data 14. Jemi në proces dhe kemi marrë të gjitha masat që ta kthejmë sa më shpejt në operim. Mirëpo, prishja është e natyrës serioze. Ekziston një vlerësim preliminar, që ne presim që diku nga data 20 janar ‘B2” të kthehet në operim”, theksoi ai.
Derisa, ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ia lë fajin situatës në Evropë për krizën energjetike.
Ministrja Rizvanolli theksoi se përkeqësimi i situatës energjetike në Evropë dhe rritja e çmimit të bursës ndërkombëtare, ka sjellë probleme edhe në Kosovë.
Derisa pranon se situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar.
Rizvanolli: Situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar
“Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit nga ana e KEK-ut për shkak të rënies së Bllokut ‘B2’, I cili ende nuk është aktivizuar. Pra, ky është një faktor. Bursat ndërkombëtare dhe çmimet në bursat ndërkombëtare janë faktori I dytë. Këto janë duke shënuar çmime rekorde pasi që temperaturat janë ulur dukshëm dhe është rritur kërkesa si rrjedhojë e kësaj. Nga ana tjetër oferta për prodhimin e energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur posaçërisht ai i gazit, mirëpo edhe në disa vende të tjera. Kjo shpërputhje bën që çdo javë regjistrohen çmime rekorde të reja të energjisë elektrike. Situata në Evropë është përkeqësuar edhe më tej, dhe si rezultat i kësaj, edhe situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar”, theksoi ajo.
Rizvanolli ka thënë po ashtu se konsumi i energjisë në dy ditët e fundit është rritur për 14 përqind, që sipas saj, kjo po ndikon negativisht në situatën energjetike.
Rizvanolli: Konsumi i energjisë në dy ditët e fundit është rritur për 14 përqind
“Për dallim nga viti i kaluar, ne jemi duke konsumuar dukshëm më shumë. Më datën 21 dhjetor, pardje, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 14 për qind, vetëm në krahasim me dy ditë më parë, më datën 19 dhjetor. Kështu nga të gjitha aspektet jemi duke u përballur me faktor që po ndikojnë negativisht në situatën energjetike”, theksoi ajo.
Ministrja Rizvanolli ka veçuar se një faktor tjetër që po ndikon në krizë energjetike në Kosovë, është edhe fakti se Serbia po bllokon linjat energjetike dhe se kjo po krijon ngarkesa në sistemin e energjisë edhe në vendet tjera të rajonit, si Maqedoni të Veriut e Shqipëri.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu theksoi se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje enorme derisa siç ka thënë, diferenca mes importit dhe prodhimit vendor është shumë e lartë.
Derisa bëri të ditur se në 15 ditët e fundit kanë pasur shumë devijime në sistem, të cilat një kohë të gjatë KOSTT-i ka arritur t’i menaxhojë.
Kjo është arritur të tejkalohet kohët e fundit, por sipas tij, devijimi ka shkuar deri në 500 megavat.